E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tituj të rinj në stendat e librarive

Stendat e librarive të kryeqytetit janë pasuruar gjatë kësaj jave me një numër librash të rinj, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Histori, ngjarje të jetuara, fantazi dhe trill na përcjellin disa nga shkrimtarët e përzgjedhur nga botuesit. "Kalorësi i Skënderbeut", "Shtëpia e mallit", "God bless America", e "Historia e Kosovës", Kur jam me ty, etj, janë disa prej titujve të rinj në stendat e librarive. Kujtesë e shpifur,  libër me poezi i autorit Hiqmet Meçaj, botuar nga shtëpia botuese "Toena". Në këtë vëllim  trajtohen larmi temash dhe formash shprehëse, duke vendosur baraspeshën ndërmjet fjalës dhe idesë, formës dhe përmbajtjes, intimes dhe shoqërores, lokales dhe universales, modernes dhe tradicionales. Historia e ilustruar e botës është libri më i ri enciklopedik për lexuesin e vogël, që vjen si botim i shtëpisë "Toena". Ky libër ofron një panoramë të përmbledhur të etapave më  të rëndësishme të historisë mbi Tokë, nga Bing Bengu deri në fillimin e shekullit XXI. Në të, krahas historive të trazuara të Evropës dhe Amerikës, zënë vend me shumë faqe kushtuar historisë së islamizmit, Afrikës dhe Lindjes së Largët.  Ramiz Kovaçi, një zë brilant dhe i papërsëritshëm, është një libër biografik, i shkruar nga Ramona Tullumani dhe Rajna Kovaçi. Në këtë libër,sillet për lexuesin jeta dhe kariera e një prej figurave më të shquara të artit e të kulturës sonë, Ramiz Kovaçit, i cili me talentin e padiskutueshëm dhe me punën e tij të palodhur, u bë një ndër kolonat e forta që mbajtën në këmbë Teatrin e Operës dhe të Baletit shqiptar. Aura është romani më i ri i botuar në shqip i autorit Karlos Fuentes. Në këtë roman autori sjell një vështrim mes një marrëdhënieje dramatike të jetës bashkëkohore. "Dashuri e vonë, është libri me tregime që sjell autori Isaac Bashevis Singer. Ky libër sjell një përshkrim të situatave të ndryshme që krijohen prej pasionit dhe luftës që bën njeriu me të. Në të gjitha tregimet autori sjell histori të ndryshme dashurish. Haki Stërmilli sjell "Kalorësi i Skënderbeut".  Kombet dhe nacionalizmi në erën globale është libri i Anthony Smith. Tema e këtij libri argumentohet me një arsyetim bindës dhe me kujdes të palodhur për realitetin e jetës moderne. Vështrimi i Smthit është në kohën e duhur e i zhvilluar bukur dhe me realizëm. Akadamiku Kristo Frashri sjell historinë e Kosovës, Dardania, Kosova antike. Profesor Frashëri ka trajtuar gjihnjë procese, ngjarje  të historisë së Shqipërisë, që nga temat historiko-politike e deri tek zhvillimet ekonomike apo mendimet filozofike.  Ndërsa "Shtëpia e mallit" vjen nga Eqerem Basha. "God bless America"  është libri i Xhovalin Delia. Ndryshimi nga kafsha që zgjedh a refuzon për instinkt, njeriu e bën me vullnet të lirë e për pasojë, shtaza nuk largohet nga rregulli natyral instiktiv dhe kur është në favor të saj, ndërsa njeriu largohet  shpesh edhe në dëm të tij. Në këtë kontekst filozofik me një stil origjinal poetik e kinematografik midis reales e virtuozes, ligësisë e paqes, arsyes e marrëzisë përtej së mirës e së keqes, me ndërthurje natyrale të botës shtazore me atë njerëzore, artisti rrëfen romanin e tij të dyte. E për ta mbyllur vitrinën e librit vijnë poezitë e Vangjel Zafrati me vëllimin "Qyteti në diell".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›