Artistët shqiptarë, me Kumbaron në Paris
Me sa duket, duhet të jemi në Paris që të shijojmë punët e mjeshtërve tanë. Kështu ndodhi edhe me filmin e Saimir Kumbaros "Ne dhe Lenini". Ndryshe nga Tirana, këtu në Paris emri i Leninit në emrin e filmit nuk është i çuditshëm, sepse në kryeqytetin e Francës atë e gjen edhe si emër rruge e stadiumi, ashtu si edhe emrin e Stalinit në bulevardin "Stalingrad", apo emrin e Kremlinit dhe shumë emrave të tjerë historikë nga e gjithë bota e Lindjes dhe Perëndimit. Me sa duket, francezët, ndryshe nga ne, nuk vuajnë nga alergji prej emrave historikë. Në Tiranë edhe unë, ashtu si të tjerë, nuk vajtëm ta shikojmë filmin në sallën e kinemasë. Nga alergjia për emrin e Leninit, apo ngase në Tiranë vajtja në kinema nuk është në mënyrën tonë të jetesës, pra modë? Këtu në Paris, ndryshe nga në Tiranë, njerëzit shkojnë në kinema, sepse kjo sjellje bën pjesë në mënyrën e tyre të jetesës. Gjithsesi, salla e kinemasë "Açatone" në rrugën Cujas pranë Panteonit, ishte e mbushur plot. "E vogël" - thanë aty për interesin e publikut për filmin e Kumbaros. Pas fjalës së rastit të organizatorëve, ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçkaj, dhe urimit të regjisorit Kumbaro për shikim të mbarë, salla ra në heshtje dhe njerëzit u përpinë nga filmi për një orë e gjysmë. Në fund duartrokitje të gjata, jo nga ato të shtirat, ato të bëra ashtu koti, por kumbuese për të shprehur mirënjohje ndaj mjeshtrit për tregimin e një historie shqiptare plot emocione. Mes shikueseve kishte shumë shqiptarë, një ndër ta edhe unë me vëllain tim, piktorin Zamir Mati, që prej tetëmbëdhjetë vjetësh punon dhe rron në Paris. Pamë se si njerëz të artit të kinematografisë franceze dhe botës së spektaklit shkuan dhe përgëzuan Kumbaron. E përgëzuam edhe ne dhe vajtëm e u ulëm te "Fregata" në lagjen "St Germain de Pres", buzë Senës me kafenë përpara dhe bisedën për filmin. Në fakt folëm për miqtë tanë artistë, mjeshtrit e kinematografisë shqiptarë, që Kumbaro i kishte mbledhur të luanin në film. Për Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Robert Ndrenikën, Mirush Kabashin, Elvira Diamantin, Lazer Filipin, Lutfi Hoxhën, si gjithmonë mjeshtërisht luajtën rolet e njerëzve të moshuar e të braktisur dhe që dashuria për jetën i bën të përballojnë me dinjitet hallet që kanë në një shtëpi për të moshuar me emrin "Lulet e Vjeshtës". Artistët duket se luanin vetë jetën e tyre të braktisur shqiptare. Pa punë, me pensione të vogla, të harruar, me salla kinemaje, teatrosh dhe estradash të tjetërsuara. Filmi i Kumbaros të mban pezull, me grykë të shtrënguar nga ngashërimi dhe me sy të ndriçuar nga lotët e dalë prej emocioneve. Ai është, më në fund, filmi që tregon për hallet tona të përditshme në shoqërinë e hapur ku ndodhemi. Ironia, autoironia, sarkazma, raporti mes së keqes dhe së mirës shoqërore i gjen të shtrira në tërë filmin. Lufta për të drejtat e njeriut, bërë nga njerëz të braktisur në një shoqëri që pak kujdeset për ta, është mesazhi qytetar që na duket se Kumbaro përcjell te shikuesi. Një histori shqiptare e ditëve tona, e trajtuar mjeshtërisht, është e pëlqyeshme edhe për shikuesin francez. Shikues sqimatar, i cili, i mbytur në tërësinë e informacioneve për botën e krimit gjithfarësh me targë shqiptare, sheh nëpërmjet përpjekjeve të njerëzve të braktisur se si shoqëria shqiptare përballet me ndryshimet e saja drejt shoqërisë së hapur.
Filmin e Kumbaros, aty te "Fregata" para filxhanit të kafesë, nuk patëm kohë ta diskutonim për anët e tij teknike, për mjetet e realizimit, kamerën, zërin. U mbush diskutimi për lojën e aktorëve mitikë të kinemasë shqiptare që Kumbaro kishte ditur t‘i zgjedhë. Por, edhe aktorët e ri, si balerini i mrekullueshëm Leon Çika dhe Fred Zeneli. Të dy e plotësuan detyrën e tyre mjeshtërisht për t‘i dhënë filmit optimizmin e nevojshëm të atyre përpjekjeve të mëdha njerëzore për të dalë nga vështirësia ku ndodhen. Edhe një herë, si duket, duhet të jemi në Paris për të shijuar dhe kuptuar punën e mjeshtërve për publikun e tyre, që nga hallet u kanë kthyer krahët sallave të kinemave. Të vjen keq që një film si "Ne dhe Lenini" i Kumbaros nuk do të shikohet nga shumë shqiptarë. Por, në të njëjtën kohë, kinematografisë shqiptare i shtohet një film, ku mjeshtrit e saj luajnë dhe dëshmojnë gati-gati hallet e tyre në një kohë braktisjeje.