Gjirokastra, përmes fotove të rralla
I përkasin fillimit të shekullit XX. Të gjitha janë bardhë e zi dhe paraqesin Gjirokastrën gjatë Luftës së Parë Botërore. Në 50 fotografi të rralla, përcillet Gjirokastra e panjohur. Janë shkrepur prej ushtarëve italianë të dislokuar në qytetin e gurtë. Ata janë fokusuar më së shumti te banesat e gurta gjirokastrite dhe objektet e tjera karakteristike prej guri. Nuk mungojnë edhe momente të ceremonive ushtarake, ku krahas tyre dallohen edhe banorë vendas të veshur me kostume kombëtare, klerikë dhe autoritetet vendase. Në një ekspozitë organizuar dje nga Drejtoria Rajonale e Kulturë Kombëtare, shoqata kulturore "Dante Aligeri", zyra për administrimin e qendrës historike dhe studio fotografike "Vito", këto fotografi të rralla sjellin në vëmendje Gjirokastrën me monumentet, kulturën dhe historinë e saj në fotografi unikale të fillimshekullit XX. Bëhet fjalë për një koleksion fotosh prej 50, ku 43 prej tyre janë krejtësisht të panjohura. Aty gjen pamje nga lagjet tradicionale të Gjirokastrës si: Dunavati, Palorto, Manalati, Pazari i Vjetër, Bashte e Teqesë, Varrosh Hazmurat etj., por në krye të tyre mbetet kështjella e qytetit dhe harqet madhështore të mbetura nga ujësjellësi i Sopotit, ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. Kjo është edhe një prej pamjeve më interesante, pasi prej këtij ujësjellësi sot ekzistojnë vetëm themelet e harqeve, të cilat u shkatërruan midis viteve ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, për të ngritur burgun e kalasë së Gjirokastrës.
Por, ajo që është më e rëndësishme dhe që i jep vlerë e një mision të veçantë këtyre fotove edhe në ditët tona, është fakti se ato mund të përdoren si një pikë referimi për vazhdimin e projekteve restauruese në Gjirokastër. Fotot e vjetra të Gjirokastrës ofrojnë një informacion të gjerë pamor të kësaj periudhe, prej së cilës mungojnë pothuajse krejt dëshmitë. Për këtë arsye, mendohet se ato do të kthehen edhe në objekt studimi, sidomos për inxhinierët e arkitektët, të cilët janë duke u marrë me projektet e restaurimit të qendrës historike të Gjirokastrës.
"Të gjitha fotografitë janë produkt i një kërkimi të gjatë në arkivat shtetërore, private dhe universitare italiane, të realizuara gjatë disa viteve nga arkitekti Fabrico Torezi dhe profesor Boticeli. Të dy kanë qenë të përfshirë në projekte të ndryshme për restaurimin e monumenteve dhe hartimin e planeve të menaxhimit të qendrës historike të Gjirokastrës. 50 fotografitë e rralla janë mbledhur në bashkëpunim edhe me pedagogët e degës së italishtes në Universitetin e Gjirokastrës, Teodori Bilushi, dhe italianit Franco Greganti. Pasi i kanë grumbulluar me shumë kujdes, ata ia kanë dhuruar Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër", shpjegon drejtori i DRKK-së, Spartak Drasa.
Ndërsa presidenti i komitetit të shoqatës "Dante Aligeri" në Gjirokastër, zoti Teodor Bilushi, u shpreh se ku koleksion i rrallë i fotografive të vjetra që ekspozohen për herë të parë, përfshin ekzemplarë të gjetur në arkivat e Universiteteve të Mançeratës dhe Bolonjës, kartolina e fotografi nga koleksione private, që në origjinal kanë edhe mesazhet e ushtarëve për familjet. "Ato janë grumbulluar nga arkitekti Fabrico Torezi dhe prof. Boticeli, të cilët vazhdimisht kanë qenë të interesuar për ruajtjen dhe rijetëzimin e qendrës historike të Gjirokastrës", tha ai.
Ndërkaq, në ceremoninë e çeljes së ekspozitës ishte i ftuar edhe Sergio Strozzi, konsulli i përgjithshëm italian në Vlorë. "Qendra muzeore e Gjirokastrës është në vëmendje të arkitektëve dhe restauruesve italianë me eksperiencë në restaurimin dhe valorizimin e qendrave të tilla historike dhe antike", komentoi konsulli. Pas Gjirokastrës, është menduar që fotografitë e rralla do të ekspozohen edhe në Berat e Sarandë.