E Diel, 1 Nëntor 2026

Artistët, shqiptarët e parë që prekën Gjermaninë në prillin e ’83-it

Atë që nuk mund ta bënte politika, e bëri arti. Artistët shqiptarë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, u bënë shqiptarët e parë, që prekën tokën e Republikës Federale Gjermane. 

Ymer Minxhozi

Ishte viti 1983, unë isha pjesë e grupit që niseshim nga Tirana për të shkuar në vendin më të madh të Evropës Perëndimore, një vend i panjohur për shqiptarët, për shkak të mungesës së marrëdhënieve zyrtare e njëkohësisht, të propagandës negative reciproke. Ansambli i Shtetit ishte trupa artistike shqiptare më e shëtitur nëpër skenat e vendeve të ndryshme të botës, por, pa dyshim, ky ishte turneu më i rëndësishëm në historinë e tij. Ishte koha kur folklori ishte pjesë e rëndësishme e politikës, madje, në shumë raste, folklori ishte e vetmja dritare e hapur për të na prezantuar në ato vende, ku nuk shkonin ministrat e Jashtëm. Vizita jonë në atë periudhë në Gjermaninë Perëndimore, ishte një shenjë se diçka po lëvizte në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Të dyja palët prisnin që muzika të krijonte një atmosferë zbutjeje dhe t’iu jepte një shtysë marrëdhënieve politike, edhe pse nuk flitej hapur për një “diplomaci folklori”....
“Po vijnë shqiptarët”!
Gazetat gjermane gjatë disa ditëve kishin reklamuar ansamblin shqiptar. Titulli që hasej më shumë në faqet e gazetave ishte: “Po vijnë shqiptarët!”, Titull i thjeshtë, po simbolik: Shqiptarët po vijnë! Lajm sensacional dhe i mirëpritur. 
Premiera do të jepej në Teatrin Kombëtar të Mynihut. Biletat dhe ftesat ishin dhënë thuajse vetëm për gjermanët. Për shqiptarët do të jepej një shfaqje e dytë, të nesërmen. Në program nuk parashikoheshin ceremoni dhe fjalime. Mirëpo dy orë para se të fillonte shfaqja njoftohem se para koncertit do të ketë një pritje zyrtare nga Bashkia e Mynihut. Pritja u dha në Sallën e Pasqyrave. Ambientet e gjëra të sallës me mure prej xhami ishin mbushur plot me të ftuar. Drejtori i Teatrit Kombëtar, zoti Peter Vebler, më bëri prezantimin e personaliteteve që kanë ardhur për të marrë pjesë në premierën e shqiptarëve: Këshilltari i Bashkisë së Mynihut, këshilltarë të ministrave të qeverisë së Landit të Bavarisë, profesorë të universitetit “Ludvig Maksimilian”, deputetë e gazetarë, si dhe disa diplomatë të përfaqësive të huaja, me qendër në kryeqytetin bavarez. Po Shtrausi? Ai vetë nuk erdhi, po dërgoi tre fëmijët e tij: Jozefin, Maksin dhe Monikën.
Mosardhjen atë natë në premierën e ansamblit shqiptar, (siç kishte njoftuar më parë) kryeministri bavarez do ta shpjegojë një vit më vonë, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri.
Gjithçka në atë sallë ishte organizuar në mënyrë solemne: gratë ishin veshur me fustane të gjata e dekolte, sipas stilit klasik, burrat me kostume të errtë e kollare, servirja bëhej me shampanjë, fjalimet përshëndetëse qenë ndërtuar me fraza të zgjedhura e plot figura artistike. Këshilltari i Bashkisë, zoti Lodtmann, që ishte edhe “i zoti i shtëpisë”, në fjalën e tij tha se “ne e konsiderojmë nder e privilegj që ansambli i parë shqiptar, si një dallëndyshe e parë e pranverës, e fillon turneun e tij pikërisht nga qyteti ynë. Ne shpresojmë se ju do të hapni një rrugë të re në marrëdhëniet tona”. Drejtori i teatrit, zoti Peter Vebler, mbajti një fjalim të pashkruar, që unë do ta quaja poetik. 
Ai filloi përshëndetjen e tij me fjalët: “Ne sonte do të shohim copa ylberi që zbresin nga majat e maleve të larta shqiptare, do të dëgjojmë tinguj mitikë të jehonës së këtyre maleve, do të shijojmë poezinë e asaj gjuhe, që e studiuan me aq dashuri edhe dijetarët gjermanë...”.
Herman Froshël, që ishte edhe organizatori i Turneut, u tha të pranishmëve se “ne jemi krenarë që mundëm t’u sjellim bashkatdhetarëve tanë tufa me lule që nga brigjet e Adriatikut, nga arti i popullit më të lashtë të Ballkanit”.
Në fund të falënderimit tim për mikpritjen, të pranishmit takojnë gotat me artistët. Në të gjithë sallën dëgjohet “Prost!”, “Prost!”. (“Gëzuar!”)
“Sturm und Drang” *)
Të 1500 vendet në sallën e shfaqjes ishin të zëna. Bashkë me këshilltarin e Bashkisë, zura vend në lozhë. Ai tha se kjo është shfaqja e parë që jepet në këtë teatër, pas rikonstruksionit të përgjithshëm. Deri atëherë unë s’kisha parë një sallë teatri të ndriçuar kaq bukur e komode. Gjithë ndriçimi, e veçanërisht kupola e sallës, ishte një qiell i kaltër, i veshur me yje, që të krijonin vizion kozmik.
“Vallja e Shqipeve” vërshon në skenë si një stuhi. Bekim Zekthi me krahët e hapura si të shqiponjës, në qendër të rrethit të valltarëve, ngjyrat e forta kuqezi të kostumeve, lëvizjet energjike dhe vështrimet e ashpra të shqiponjave që vizatoheshin në fytyrat e kërcimtarëve, për disa sekonda e mbajtën sallën pezull, pastaj shpërthejnë duartrokitjet. Dikush nga spektatorët thirri: “Sturm und Drang!”. Ky kontakt i parë entuziast spektatorë-skenë vazhdoi pastaj për më se një orë e gjysmë, deri në fund të programit.
Drejtori i teatrit, që është ulur në të majtën time, kthehet nga unë e më thotë: “Fantastike!”.
Vjen vallja e fundit: “Festë të madhe ka sot Shqipëria”. Spektatori nuk i kupton fjalët e këngës që e shoqëron këtë kompozim të mrekullueshëm koreografik të Panajot Kanaçit, por ritmi entuziast, shpërthimet e papritura, bëjnë që vallja të shoqërohet me duartrokitje nga kreu në fund.
Këshilltari i Bashkisë afrohet e më thotë përmes përkthyesit: “Kjo është një mrekulli. Siç duket, ju shpenzoni shumë për kultivimin e artit popullor. Me të vërtetë fantastike!”.
Kur ra perdja dhe u ndezën dritat, dhjetëra spektatorë afrohen e më japin dorën duke më uruar, të tjerë bëjnë me shenjë nga larg e shtrëngojnë të dyja duart në shenjë përshëndetjeje.
Prova e parë u kalua me sukses. Njëri prej mikpritësve afrohet e më thotë me zë të ulët: “Kur të duartroket Mynihu, të ka duartrokitur Gjermania”.
Pas Mynihut koncertet vazhduan në qytete të tjera dhe çdo ditë na prisnin surpriza të reja. Çdo mbrëmje, para se të fillonte koncerti, na prezantoheshin grupe shqiptarësh të ardhur nga Belgjika, Zvicra, Austria, madje në dy apo tre raste, edhe të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Midis tyre, përveç emigrantëve ekonomik nga Kosova e Maqedonia, kishte edhe të arratisur prej kohësh nga Shqipëria. Disa paraqiteshin me emër,
madje tregonin edhe peripecitë e tyre, ndërsa të tjerë vetëm më jepnin dorën, por nuk dëshironin të tregonin emrin e vërtetë, sepse nuk u pëlqente të përmendeshin në shtyp. Disa fytyra i shikonim çdo natë në sallat e koncerteve, edhe pse ne lëviznim nga një qytet në tjetrin, në distanca prej qindra kilometrash. Ata ishin të “abonuar” për gjithë turneun dhe e shoqëronin ansamblin ashtu siç ndodh me tifozët që shkojnë pas skuadrës së tyre të zemrës gjatë një kampionati futbolli.
Disa koncerte u ngjanin më shumë mitingjeve apo manifestimeve popullore në një ditë feste. Kjo na gëzonte, po edhe na shqetësonte, sepse koncertet tona ndiqeshin nga një numër i madh gjermanësh dhe ata vinin për të parë e dëgjuar vallet e këngët shqiptare dhe jo mitingje. Edhe kur në sallë kishte më pak shqiptarë se gjermanë, shqiptarët gjithmonë ishin mjaft për të krijuar situata të ngjashme me ato të një manifestimi në shesh.
Në mëngjesin e 16 prillit nisemi për në Sindelfingen, ngjitur me Shtutgartin. Nga kërkesat e shumta për bileta dhe sipas njerëzve që e njihnin qytetin e rrethinat e tij, në Sindelfingen na priste një takim i bujshëm.
Ajo që kishte ndezur atmosferën midis shqiptarëve të Shtutgardit e Sindelfingenit ishte një ngjarje tragjike, që pat ndodhur tre muaj më parë e që me siguri do të manifestohej edhe gjatë koncerteve tona.
Thirrje për Kosovën e pavarur
Më 17 janar 1982, në Shtutgart, agjentët e shërbimit të fshehtë jugosllav patën vrarë Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Kjo vrasje politike kish ngritur peshë shqiptarët në Gjermani dhe në Kosovë. Emri i Jusuf Gërvallës u kthye menjëherë në simbol të luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Familja dhe miqtë e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës donin t’i varrosnin ata në vendlindjen e tyre, por autoritetet jugosllave nuk e lejuan transportimin e kufomave, nga frika se mos ceremonia e varrimit do të shndërrohej në një demonstratë të fuqishme politike kundër atyre që qëndronin prapa këtij atentati frikacakësh. Varrimi u bë në varrezat e Kanshtadit në Shtutgard, në praninë e qindra vetëve dhe tre arkivolet ishin mbuluar me flamuj kombëtarë shqiptarë. Një dëshmitar na tregonte se në krye të kortezhit printe nëna e vëllezërve Gërvalla dhe babai i Kadri Zekës, që kishin ardhur nga Kosova. Njëri nga oratorët, duke folur para arkivoleve, kishte thënë:
“Refuzimi i qeverisë serbomadhe për t’ju çue juve në Kosovë do ta bëjë akoma më të madhe lavdinë tuaj. Kosova e çliruar do ta festojë kthimin tuaj me madhështi nën himnin kombëtar shqiptar”.
Ndërsa bisedojmë rreth kësaj ngjarje të rëndë, autobusi ynë dykatësh i afrohet teatrit, ku do të jepet koncerti dhe ne u gjendëm para një të papriture që na kalli ankth: e gjithë zona rreth godinës së teatrit qe rrethuar nga ngjyrat kaki të policëve. Një makinë zjarrfikësish qëndronte në hyrje të sallës së madhe. Policët kontrollonin me aparatura të gjitha qoshet, kthinat, skenën dhe çdo karrige të sallës.
Ndërsa ne po vështronim këto skena të frikshme, afrohet shefi i trupës policore bashkë me të dërguarin e kryetarit të Bashkisë së qytetit dhe na thotë të mos shqetësohemi; ky është një kontroll sigurie, pasi dikush ka bërë një telefonatë për vendosjen e një bombe në ambientet e teatrit.
Njëri nga personat që na fliste për këto telefonata, tha: “Ne i njohim ata, janë vrasësit e Jusuf Gërvallës”.
Atë ditë koncerti u dha paradite dhe shumica e pjesëmarrësve ishin shqiptarë. Njerëzit kishin ardhur me flamurë kombëtarë shqiptar, me pankarta ku shkruheshin parulla për Enver Hoxhën, për Shqipërinë-mëmë. Thirrje për Kosovën e pavarur. Disa të rinj me kostume kombëtare ngrinin lart një portret të Jusuf Gërvallës, të rrethuar me flamur kuq e zi.
“Treva ime ballkanike”
Rri e shikoj këto manifestime të shqiptarëve në një vend të huaj dhe mëndja më shkon tek “treva ime” ballkanike. Më kujtohet se si një këngë për Kosovën në programin e një ansambli amator shqiptar në Greqi qe bërë problem ndërqeveritar dhe, po të mos hiqej nga programi, ansambli duhej të ndërpriste turneun, sepse kënga do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet shtetërore greko-jugosllave! Ajo këngë u bë objekt radiogramesh e preokupacionesh  për ambasadat e ministritë e Jashtme, derisa më në fund u vendos të  mos këndohej dhe kështu marrëdhëniet midis dy shteteve nuk u cenuan! Po kështu një fletë-palosje mjaft modeste e ansamblit amator “Migjeni”, gjatë një turneu në Turqi, qe bërë objekt i shqetësimeve të policisë së atjeshme, sepse disa rreshta mbi historinë e lindjes së këtij ansambli amator qenë trajtuar si “propagandë komuniste”! Më tej akoma. Autorin e këtyre shënimeve, për herë të parë në jetën e tij, e kanë kontrolluar nëpër xhepa doganierët maqedonas në Qafë-Thanë, edhe pse ishte i ftuar zyrtar i Bashkimit të Gazetarëve të Maqedonisë. Gazetarët shqiptarë edhe pse ishin të ftuar zyrtarisht, nuk u lejuan as të vizitonin Tetovën. Dy herë me radhë mu refuzua kthimin në Atdhe përmes Prishtinës, në kohën kur kryesoja një delegacion në Beograd për nënshkrimin e një marrëveshje kulturore shqiptaro-jugosllave. Dhe të dyja herët refuzimi u bë “për arsye sigurie”.
Po, po, Ballkani mbetej Ballkan edhe pse ndryshonin sistemet.
Në këtë trevë kaq origjinale bën pjesë, natyrisht edhe vendi im. Një këngë  e shoqëruar me një muzikë ritmike e lëvizje të “forta”, në repertorin e këngëtares greke Marinela, shkaktoi një tronditje të thellë tek ata që u ngarkuan me kontrollin “paraprak” të programit të saj në Tiranë. Ajo këngë ritmike gati u bë shkak për anulimin e koncertit...
Këto po më vinin ndërmend, ndërsa shikoja bashkëkombësit e mi këtu, në Gjermani, duke i kënduar edhe Shqipërisë. Shtatëdhjetë pjesëtarë të ansamblit shqiptar kaluan dy dogana të aeroporteve gjermane, por askush nuk na pyeti se për çfarë këndon dhe kujt i këndon ansambli shqiptar. Mjafton që ai të këndojë!
 “O moj Kosovë”
Arif Vladi del në skenë me këngën “O moj Kosovë”. Në sallë shpërthejnë ovacione. Ata më të papërmbajturit lënë karriget dhe drejtohen për nga skena. Në fillim dy, pastaj pesë veta, me ta bashkohen të tjerë dhe, të lidhur dorë për dore, formojnë një varg të gjatë që i bie platesë rreth e rrotull, duke penguar edhe pamjen e atyre që janë ulur në rreshtin e parë. Vargu i spektatorëve – kërcimtarë zgjatet nëpër korridor. Në sallë nuk dëgjohen më as tingujt e fizarmonikës së Agim Krajkës, as zërat delikatë të grupit polifonik të Irinit e Fiqiretes, madje as goditjet kumbuese të daulles së Lul Carës.
- Çfarë bëhet kështu? – i them një burri të shkuar në moshë, që është ulur pranë meje dhe vështron pa lëvizur, ashtu si dhe unë, herë artistët në skenë, herë ata që hedhin valle në korridoret dhe midis karrigeve. Ai kthehet nga unë dhe qesh.
- Sot nuk kemi ardhur vetëm për koncertin, kemi ardhur për të festuar ardhjen e ansamblit nga Shqipëria!
Koncerti mbaroi, po shumica e njerëzve nuk largohej. Pse, me kaq do të na lini? Ata duan t’i shtojnë minutat në praninë e vëllezërve të ardhur nga Tirana, të bisedojnë, të pyesin. Mjaft prej tyre duan të sjellin në koncert edhe ata që s’patën rastin të vinin sot paradite. A nuk ka mundësi ta përsërisni?
Në orën gjashtë pasdite fillon koncerti i dytë.
Dyndja ishte akoma më e madhe, skenat ishin po ato, por një surprizë e vogël më ka mbetur në mendje dhe me siguri s’do ta harroj kurrë.
Një burrë rreth të pesëdhjetave, me një vajzë për dore, afrohet e më përshëndet. Vajza ishte veshur me një fustan të bardhë nusërie.
- Ju jeni kryetari i këtij ansambli?
- Po, - i thashë.
- A ban të merrni nja tre-katër shokë e të më vini për një vizitë në shtëpinë time? Po erdhët ju, unë sonte kam dasmën e vajzës.
- Të cilës vajzë? – pyes unë.
- Ja, të kësaj që po shihni këtu.
Unë mbeta i shtangur. Ai e kuptoi habinë time dhe nisi të shpjegohet:
- Kjo është Xhevrija, sa ka mbush 11 vjet. E kam të vetme. Hala s’asht fejue, por unë desha që dasma e saj, kurdo që të bahet, të mbahet mënd e të jetë me muzikë e valle shqiptare. Siç po e shihni, e vesha me fustanin e nuses dhe e prura këtu te ju, që ta mbajë mend se për herë të parë e ka veshë fustanin e nusërisë në dasmën e madhe të ansamblit shqiptar. Kurdoherë që të martohet, dasma e saj ka qenë kjo që u ba sonte.
- Po fol he burrë, - i them. – Ta urojmë me gjithë zemër dasmën e ardhshme të Xhevrijes, të kalojë jetë të lumtur e në Kosovën e lirë, po ne na vjen keq që nuk të vijmë sonte në shtëpi, se jemi për rrugë, të lodhur jemi, pastaj, siç thua vetë, dasma u ba.
Të nesërmen ishte e shtunë. Gjithë paraditen e kaluam në Marbah, një qytezë e vogël në periferi të Shtutgardit, vendlindja e Friedrih Shilerit, mendimtarit, poetit dhe dramaturgut të madh, mjaft i njohur edhe nga lexuesi shqiptar.
Atë të shtunë kaluam disa orë të mrekullueshme çlodhjeje pas dy koncerteve radhazi – njëri më i ngarkuar se tjetri, jo vetëm me emocionet që ka arti, por edhe me tensionet që sjellin takimet dhe bisedat me njerëzit e shumtë, të etur për informacion nga Shqipëria.
Sipas shitjeve të biletave dhe ftesave, në koncertin e asaj mbrëmjeje në Sindelfingen, i treti, duhej të vinin rreth një mijë gjermanë dhe nja katërqind shqiptarë. Proporcioni ishte i zhdrejtë, por përsëri zhvillimi normal i tij s’ishte i garantuar. Ne dëshironim që sonte, në prani të autoriteteve zyrtare, të shumë intelektualëve që ishin ftuar, të jepnim një koncert pa sforcime dhe përsëritje pa fund. Kishte qëlluar që programi ynë, i llogaritur për nëntëdhjetë minuta, shkonte në njëqind e pesëdhjetë minuta. Sonte kjo nuk duhej lejuar, po si mund të arrihej?
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›