E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fansat e Viçencës, “jo” Bogdanit

Tifozët e Viçencës nuk dëshirojnë që klubi i tyre të blejë qendërsulmuesin shqiptar, Erjon Bogdani. 

Jetmir Halilaj

Në forumin e tifozëve të uebsajtit sportiv goal.com, ata e kanë quajtur të tepruar këmbënguljen e trajnerit të tyre Anxhelo Gregoruçi dhe të stafit për të pasur në ekip bomberin shqiptar.
Refuzimi
Duke qenë në dijeni të faktit se Bogdani nuk dëshiron që të transferohet në Serinë B, tifozët e Viçencës i kanë bërë thirrje klubit që të mos marrin në skuadër një futbollist që shkon pa dëshirën e tij në një ekip. “Bogdani mund të jetë një blerje e mirë, vetëm nëse ai do të vinte me dëshirë në ekip, por në këtë rast nuk më duket se është kështu. Ai nuk dëshiron të luajë për Viçencën dhe nuk kemi pse t’i lutemi askujt që të vijë te ne”, shkruante një ultras i skuadrës së Viçencës. Megjithatë ka pasur edhe nga ata që janë treguar më të ashpër në komentet që kanë bërë për sulmuesin shqiptar, duke e cilësuar atë si jo të përshtatshëm për skuadrën e tyre. “Zampanja është shumë më i mirë se Bogdani. Ai vërtet është 34 vjeç, por është nga ata futbollistë që të garantojnë 15 gola në sezon. Bogdani nuk më duket i tillë dhe për këtë mjafton të shohësh rendimentin e tij sezonin e kaluar ku arriti të shënojë vetëm dy gola me Livornon. Nuk e duam këtë lojtar, aq më tepër që me çmimin që i ka vënë Kievo mund të marrësh dy sulmues të kalibrit të mirë”, ishte komenti i tifozit me pseudonimin “Andrea”.
E ardhmja
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare i ka shprehur impenjim maksimal drejtuesve të Kievos për sezonin e ardhshëm, por këta të fundit megjithëse janë shprehur të kënaqur për rikthimin e tij te skuadra verdheblu, pas huazimit të Livorno, duket se janë në kërkim të një ekipi, i cili mund të kënaqë kërkesat e Bogdanit. Kjo do të thotë se krerët e klubit venet po kërkojnë ta largojnë sulmuesin dhe problemi kryesor në këtë mes është paga e sulmuesit, prej 950 mijë eurosh. Bogdani nga ana tjetër i ka paralajmëruar se nuk pranon asnjë reduktim të rrogës së tij. 31-vjeçari nga Tirana ka thënë gjithashtu se nëse do t’i duhet të largohet nga Kievo, ekipin e tij të ardhshëm do ta zgjedhë vetë dhe nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë që të largohet sërish në formë huazimi. Ndërkaq në pikëpyetje është edhe vendi i titullarit te verdheblutë (nëse ai qëndron aty), sepse në ndeshjet miqësore që Kievo pazhvilluar deri tani, Bogdani e ka nisur nga stoli duke i lënë vend dyshes Pelisier-Gasparreto. 

Blic nga legjionarët
“Eurosport” vlerëson Skelën
“Ervin Skela është lojtari kryesor i Energi Kotbusit”. Ky është vlerësimi që i bën stacioni televiziv “Eurosport” në uebsajtin e tij mesfushorit të Kombëtares shqiptare. Në komentin për fantazistin thuhej se ai është shtylla e skuadrës dhe lojtari më i rëndësishëm. Ndërkaq, Skela ka luajtur dje 75 minuta në ndeshjen miqësore kundër AEK-ut të Rivaldos, e cila përfundoi me rezultatin 1-1. 

“Kërcënohet” Lorik Cana
Sulmuesi i Marsejës, Mamadu Niang, ka thënë se do të dëshironte që sezonin e ardhshëm të ishte ai kapiteni i Marsejës, duke lënë të kuptohet se nuk do t’i vinte aspak keq që t’ia merrte Lorik Canës shiritin. “Do të doja të isha një shembull edhe jashtë fushe dhe mendoj se jam i denjë për të mbajtur shiritin e kapitenit”. Deklarata e tij nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e skuadrës marsejeze.

Berisha, tani me rival
Besart Berishës do t’i duhet të luftojë me ish-mesfushorin e Mançester Junajtit, Kris Igëlls, për një vend titullari te skuadra e Bërnleit. Klubi anglez ka komunikuar dje se ka blerë mesfushorin e djathtë nga kampionët e Anglisë. Igëlls ka karakteristika të ngjashme me Berishën dhe luan si mesfushor i djathtë, por edhe si sulmues i tërhequr. Kjo do të thotë se bjondi do ta ketë të vështirë për të siguruar një vend titullari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›