E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata turke: AK e Erdogan nuk është e jashtëligjshme

Gjykata Kushtetuese në Turqi ka vendosur, që partia qeverisëse AK nuk duhet të mbyllet, por nuk e lanë pa ndëshkuar këtë parti, të akuzuar se është kthyer në fokus të aktivitetit pro-islamik, duke shkelur parimet laike të shtetit. 

Gjykatësit i prenë AK-së gjysmën e financimeve të thesarit për këtë vit. Partia AK, e cila u rizgjodh me 47 për qind të votave vitin e kaluar, tha se akuzat kundër saj ishin të motivuara politikisht dhe nuk pranoi se, po përpiqet të krijojë një shtet islamik. Në shumë raste vendimet e Kryeministrit turk, Rexhep Tayp Erdogan dhe Presidentit Abdullah Gul, të dy anëtarë të bordit drejtues të kësaj partie, janë kundërshtuar nga ushtria, e cila jo pak herë ka përgatitur protesta kundër këtyre vendime, siç ishte më i fundit që u refuzua nga gjykata, për vendosjen me detyrim të shamive nëpër universitete, pasi shkelte kushtetutën sekulariste. Ushtria e fuqishme e sheh veten si mbrojtëse të shtetit laik, modern të themeluar nga Mustafa Kemal Ataturk. Presidenti i Gjykatës Hasim Kilic tha se, sanksionet financiare që i janë vënë AK ishin një “paralajmërim serioz”, që kjo parti dhe zyrtarët e saj të mos ndërmerrnin më aksione, që do të vinin në dyshim parimet sekulariste të shtetit turk. Të paktën shtatë nga 11 gjykatësit e gjykatës duhet të votojnë pro që partia të ndalohej. Por gjashtë gjykatës donin ta ndalonin, ndërsa pesë votuan kundër. Paraqitja në gjyq ishte kulmimi i një serie përleshjesh midis AKP që ka rrënjë islamike dhe elitës shekullare. Sekularistët turq kanë organizuar herë pas herë manifestime kundër partisë AK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›