E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kasapi i Bosnjës” sot para Gjykatës Ndërkombëtare

Radovan Karaxhiç do të përballet sot me seancën hapëse të Gjykatës së Hagës, e cila e akuzon atë me 11 akuza për gjenocid e krime kundër njerëzimit. 

Karaxhiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”  u dërgua në Hagë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, i shoqëruar me autokolona të blinduara. 63-vjeçari udhëtoi për në Rotterdam nën masa të forta sigurie dhe në mënyrë të fshehtë, ku u transferua më pas në qendrën e paraburgimit të Hagës, në një qeli të ngjashme me atë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç. Urdhrin për ekstradimin në Hagë e dha ministri serb i Drejtësisë. Lajmi se Karaxhiç është dërguar me avion në Hagë erdhi disa orë, pasi të paktën dhjetëmijë mbështetës të tij zhvilluan një tubim proteste në Beograd. Partia Ultranacionaliste serbe, ajo Radikale e organizoi tubimin në Beograd. Karaxhiç është i paditur për rolin e tij në krimet më të rënda në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore, vrasjen në vitin 1995 të tetë mijë myslimanëve në Srebrenicë. Ai është akuzuar gjithashtu, edhe në lidhje me rrethimin e kryeqytetit Sarajevë. “Arrestimi dhe ekstradimi i Radovan Karaxhiç është i një rëndësie mjaft të madhe për viktimat që kanë pritur kaq gjatë për këtë ditë”, tha dje në një konferencë për mediat, kryeprokurori i Hagës, Serge Brammertz. “Është shumë e rëndësishme për drejtësinë ndërkombëtare, sepse tregohet se nuk ka asnjë alternativë për arrestimin e kriminelëve të luftës dhe nuk ka vend të sigurt për të kërkuarit”. Brammertz shprehu shpresën se autoritetet në Ballkan do të kapin edhe Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, një serb etnik nga Kroacia, dy të kërkuarit e fundit nga Haga. “Pa këto dy arrestime, Gjykata nuk mund ta përmbushë mandatin e saj”, tha Brammertz. Mandati i Gjykatës skadon në vitin 2010, por mund të shtyhet me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Brammetz paralajmëroi se për përgatitjen e procesit kundër Karaxhiç do të duhen disa muaj pasi ka dhjetëra dëshmitarë për të thirrur për të përgatitur një akuzë të mirinformuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›