E Diel, 1 Nëntor 2026

Artisti i gjendur i ‘Gjeneratës së humbur’

A ju kujtohet filmi i njohur Harry Potter & The Order of Phoenix ? Në këtë film ishte edhe një personazh negativ i quajtur Death Eater. Rolin e tij po e luante një aktor shqiptar, i quajtur Arben Bajraktaraj.

Është larg Kosovës, që nga mosha 14 vjeçare andaj edhe pak njihet nga shoqëria e këtij vendi.
I përfshirë në dhjeta filma me emër dhe seriale televizive, po ju sjellim rrëfimin dhe eksperiencën e Bajraktarajt që nga Sllovenia e deri ku sot punon dhe jeton, Francë.

“Kosovën e kam lëshuar shumë i ri, 14 vjeç, qysh në vitin 1988, fillimisht për Slloveni, ku kam jetuar një kohë të gjatë dhe mandej për Francë”, tregon Arbeni kohën kur është larguar nga Kosova.

E konsideron gjeneratën e tij si “një Gjeneratë e Humbur, jo vetëm për shkak të shkapërderdhjes gjeografike të një brezi të tërë, por edhe metaformizmit shoqëror”. Eksperienca e tij e parë me televizionin ishte në Slloveni, me një projekt filmik i quajtur “Syri i Tretë”, me regji të Laboviçit.

“Mirë që luaja një engjëll, ngase pastaj filluan rolet e të ‘ashpërve’”, shpjegon Arbeni.
Marrja e një rroli mund të jetë një sfidë.

Por çka duhet të ketë aktori brenda vetes, karakter dhe pamje që i përshtatet një roli apo është më shumë tek puna e madhe që e bën vetë ai?

“Parimisht, një aktor duhet të jetë në gjendje të rroket me çdo lloj roli, por natyrisht që ka role për të cilët një aktor është më i afërt se një tjetër. Aq shumë gjëra luajnë në përzgjedhje, ndoshta çfarë është më e rëndësishme në ballafaqimin me një rol është ajo çfarë bart vetë aktori në jetë, para se t’ia nisë punës. Nganjëherë një aktor është thjesht i pjekur për një rol dhe kjo shihet”, thotë Arbeni.

Për Arbenin pjesëmarrja kuantitative në filma nuk është edhe aq e rëndësishme sa është e rëndësishme përvoja krijuese.

“Por për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, kam marr pjesë në mos gabohem në 12 filma të metrazhit të gjatë dhe disa të tjerë televiziv”, shpjegon ai.

Edhe pse ka qenë pjesë e shumë projekteve jo nga modestia, Arbeni thotë se rruga e tij në kinematografi është ende tepër e shkurtër.

Por nëse duhet thuhet diçka atëherë ai konsideron se njëra prej eksperiencave më të mira të tij ka qenë “takimi dhe puna me Toni Gatliff-in në filmin e tij të fundit “Liberté” (Liria), që sapo ka filluar të shfaqet nëpër sallat frënge dhe që trajton mes tjerash fatin e një familje romësh që ka përfunduar në Aushvic”.

Ndërsa pjesëmarrja e tij në filmi Harry Potter&The Order of Phoenix ka qenë një aventurë, por edhe eksperiencë ashtu si edhe vetë filmi.

“Ishte një botë krejt tjetër nga xhirimet e mëparshme. Meqenëse ka shumë efekte speciale, çdo gjë punohet me saktësi dhe natyrisht kjo merr shumë kohë. Andaj duhej punuar mirë me durimin. Kushtet e punës janë të jashtëzakonshme dhe kjo bën që edhe presioni të jetë ndoshta edhe më i fuqishëm”, tregon Arbeni.

Bajraktaraj shton se ka pasur një rol fare të vogël aty por për të ishte e rëndësishme besimi që kishte pasur në të regjisori David Yates, me të cilin kishte punuar edhe më herët.
“David Yates nxjerr nga aktorët gjëra që ata nuk janë edhe të vetëdijshëm, me një finesë të jashtëzakonshme”, tregon ai.

Sa vështirë është të jesh aktor në Francën e disa miliona qytetarëve?

“Me kohën sikur më duket se në jetë është më së vështiri është të jesh thjesht njeri. Natyrisht, hallet janë të mëdha për të gjithë në këtë kohë krize, por me punë e djersë gjërat nganjëherë ecin. Egocentrizmi është elementë përbërës i çdo aktori, por kur e lufton mirë, kjo sjell edhe një lloj çlirimi, që ndihmon shumë edhe në punë” thotë ai.

Kur flasim për kinematografinë apo edhe në përgjithësi për artin, Bajraktaraj thotë se gëzohet kur dëgjon dhe sheh diçka të mirë. Sipas tij, Kosova ka një potencial por se duhet më shumë investim.

“Uroj që kulturës t’i ecë rrugë e mbarë e sidomos t’i ndahen më shumë mjete, ngase dihet se me rrota n’bandash nuk shkohet larg. Në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare ka potencial të jashtëzakonshëm krijues e ku ka gëzim më të madh sesa lindja e një vepre të mirëfilltë arti! Ndërsa për bashkëpunim në ndonjë krijim filmik apo teatror të ardhshëm, gjithnjë kam qenë dhe natyrisht mbetem i hapur”, tha ai.

Në cilin prej filmave do ta shohim Arbenin në të ardhmen ?

“Veç kemi përfunduar xhirimet e filmit Elle s’appelait Sara (Ajo quhej Sara), ku luan mes të tjerëve edhe Kristin Scott Thomas; është një film që mes tjerash trajton përndjekjen e llahtarshme të hebrenjve në Paris gjatë korrikut të vitit 1942. Filmi është punuar sipas romanit Sara’s Key të zonjës Tatiana de Rosney. Aty luaj rolin e një babai që e di se djali i tij është i mbyllur dhe do të vdesë në banesë, por nuk arrin dot të ikën nga kampi i internimit, që ta shpëtojë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›