E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artur Zheji: “Referendumi heq masken e paktit Berisha-Rama”

Kreu i KMK-së: “Në Shqipëri po instalohet diktatura ‘moderne’”. Zheji: “Kërkesa jonë ishte ligjore, KQZ-ja dha vendim politik”

Shaban Sulçe

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rrëzimin e kërkesës për referendum nuk e ka stepur Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës nga misioni për zhvillimin e këtij referendumi. Ajo që i ka alarmuar në të vërtetë është dalja gjithnjë e më shumë në pah e kapjes së institucioneve dhe e instalimit të diktaturës moderne. Artur Zheji, kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, komenton pengesat që po i bëhen zhvillimit të referendumit, ndërkohë që thekson vendosmërinë e këtij komiteti për t’i garantuar të drejtën sovranit për t’u shprehur me anë të referendumit për fatet e demokracisë së vendit.

Zoti Zheji, si e gjykoni vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rrëzimin e kërkesës për referendum?
Në radhë të parë e kam quajtur paradhoma e fashizmit. Dua të them që është një vendim antipopullor. Ky termi antipopullor është një term i përdorur dhe i konsumuar në të tjera sisteme, por normalisht të gjitha gjërat që bëhen këto 10 mijë vitet e fundit në botë nga profetët, mbretërit, presidentët dhe kryeministrat, bëhen gjithmonë për të mirën e popullit dhe në të mirë të popullit. Kështu që me termin popull është abuzuar gjithmonë. E them këtë sepse fitoj të drejtën që të nënvizoj se është bërë një akt antipopullor, për arsye se ka të bëjë me të drejtën e mirëfilltë të shqiptarëve për të ushtruar pushtetin e tyre të fundit, që është vota, referendumi, konsensusi, ose e kundërta e tij për ndryshimet që kanë të bëjnë me kartën më të rëndësishme noteriale që rregullon shtetin dhe që quhet Kushtetutë. “Kushtetutë” vjen nga shqipja, “kusht”, pra që vë kushte, pra kushtet e vendosura që një sistem apo një sistem tjetër të ketë këtë fytyrë apo një fytyrë. Këto kushte, të cilat janë shtyllat dhe gurët e themelit të shtetit dhe të kushtetutës, në çdo vend normal, por edhe në Shqipëri, i voton drejtpërsëdrejti populli. Në vitin 1998 e votoi populli, në vitin 1994 palo-Kushtetutën” e Berishës e rrëzoi populli. Në këtë sens them që ne kemi arritur në fazën më të turpshme të sofistikimit antipopullor, kur i mohohet e drejta popullit për t’u shprehur. Ne nuk e “marrim inat” KQZ-në sepse është palë me një mendim apo me një mendim tjetër, por në momentin kur ajo ndërmerr një akt antipopullor, atëherë nuk ka mëshirë për të. Sepse i heq të drejtën popullit, përdorimit të një instrumenti të drejtpërdrejtë demokratik, siç është referendumi.
Gjatë debatit që u bë në KQZ, nëse do ta keni vënë re, të gjithë anëtarët e KQZ-së flisnin në emër të ligjit, të gjithë flisnin në emër të garantimit popullor, sidomos përfaqësuesit e së ashtuquajturës të majtë të Partisë Socialiste, të cilët mundoheshin të distancoheshin ndërmjet vendimit në emër të ligjit dhe botëkuptimit të tyre. Dhe na jepnin mesazhe të tërthorta që ne mendojmë si ju, por ligji nuk na lejon që të shprehemi në një formë të tillë, që t’u japim formularët shqiptarëve, dhe jo Artur Zhejit dhe shokëve të tij, për t’u shprehur në lidhje me këto ndryshime referendare. Prandaj mendoj që nuk kemi keqardhje për KQZ-në, sepse të paktën Parlamenti më 21 prill e shkarkoi nga piramida kushtetutore edhe KQZ-në. KQZ-ja është faktikisht një organ i shkarkuar, është një organ i përdhosur nga maxhoranca e 21 prillit. Dhe unë përpara votimit iu drejtova anëtarëve të KQZ-së duke u thënë se keni rastin që të votoni një precedent konstruktiv, të keni çfarë t’u thoni fëmijëve tuaj kur të shkoni në shtëpi, të keni çfarë t’i thoni së ardhmes dhe të konsumoni një element lirie dhe pavarësie. Sepse në fund të fundit KQZ-ja është një komision i çnderuar, sepse nga një subjekt kushtetutor, është kthyer në një subjekt i rëndomtë, që ndoshta do të kalojë në funksion të Ministrisë së Brendshme. Aktin e fundit që ata vërtet mund të konsumonin në favor të popullit, në favor të shqiptarëve, ata nuk e përdorën. Kuptoni pra se sa marioneta janë kthyer.
Kur do ta depozitojë Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës kërkesën për referendum pranë Gjykatës Kushtetuese?
Shumë shpejt do të depozitojmë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Ne asistohemi nga një aparat juristësh. Normalisht kjo është një betejë idesh, që i drejtohet një objekti shumë të drejtpërdrejtë siç është referendumi, por nga ana tjetër ka nevojë për një asistencë juridike për të përpiluar dhe për të ndërtuar kërkesat në formatin që përcakton ligji. Gjëja që na trishtoi më shumë me vendimin e KQZ-së është se aparati ynë juridik, i përbërë nga 12 juristë (disa mund t’i bëjë publik dhe disa jo) të niveleve më të larta konstitucionaliste janë të bindur në korrektesën juridike dhe ligjore të kërkesës që ne i paraqitëm KQZ-së. Prandaj vendimi i KQZ-së nuk është ligjor, por është një vendim politik, i një politike të frustuar. Në këtë pikëpamje, në momentin që ligji parashikon dhe brenda kornizës juridike më perfekte, do të ndërtohet dhe aplikohet kërkesa për Gjykatën Kushtetuese.
Theksoj se janë dokumente që do të depozitohen, dhe pas 100 vjetësh një historian mund t’i shikojë dhe të kuptojë rëndësinë e tyre. Ne duam dhe kërkojmë me seriozitetin më të madh që të jenë rreptësisht dhe saktësisht ligjore dhe me kompetencë juridike. Sapo të kompletohet një gjë e tillë, nuk besoj se do të kalojnë më shumë se dy javë dhe ne do të depozitojmë kërkesën tonë për referendum pranë Gjykatës Kushtetuese.
A i druheni ndonjë vendimi të paragjykuar edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese?
Druaj jo për vete, se unë nuk fitoj asgjë nga kjo. Druaj për ty, druaj për shqiptarët, druaj për njerëzit tanë. Në qoftë se hap pas hapi, në mënyrë tinëzare u rrëmbehen të drejtat shqiptarëve duke përdorur institucionet e ashtuquajtura ligjore, në emër të ligjit, por kundër popullit, atëherë do të vijë një moment që ne do të ndihemi të pushtuar nga kjo lloj kaste, e cila po vendos një diktaturë të butë, të kadifenjtë. Diktatura nuk është gjithmonë e shoqëruar me kamionë me policë që pushtojnë udhëkryqet, me skafandra, me shkopinj gome, me stadiume të mbushura me disidentë. Diktatura “moderne” është një lloj morse, e cila fut brenda kthetrave të saj me qetësi sistemin e institucioneve të një vendi dhe i thyen ato një mbas një, duke të çarmatosur nga çdo lloj mbrojtjeje dhe garantimi.
Në momentin që ua merr këtë terren këtyre institucioneve, atëherë shpalos arrogancën në mënyrën më flagrante. Përmes korrupsionit, përmes shantazhit të institucioneve dhe ndaj institucioneve, kjo quhet diktaturë e kadifenjtë. Në momentin që ka dhe do të ketë forca që do ta kundërshtojnë këtë lloj diktature, këtë lloj paradhome të fashizmit, do të ketë protesta, do të ketë reaksion, atëherë do të shohim një arrogancë proporcionale që për të ruajtur këto kuota të gjithëpushtetshme që ka kapur në mënyrë tinëzare, mund të përdorë edhe forcën. Nuk është për t’u habitur nëse ndodh një gjë e tillë. Por ne nuk do të donim të arrinim deri këtu, sepse do të kishte pasoja shumë negative për Shqipërinë. Nuk e meriton Shqipëria një tension të tillë, nuk e meriton Shqipëria që të jetojë në një vend me oksigjen demokratik të rralluar, në një vend me asfiksi demokratike, do të ishte një padrejtësi shumë e madhe historike dhe një akt i rëndë i klasës së saj politike, që ta çonte vendin drejt një tensioni tjetër të rëndë.
Sa do të ndikojnë protestat në realizimin e kërkesës për organizimin e referendumit?
Ne do të luftojmë deri në fund për të drejtën për referendum. Por paralelisht do të luftojmë deri në fund dhe për sensibilizimin e shqiptarëve, për të drejtën që po u merret. Kjo pamundësi që çdo ditë e më tepër kalon, kjo pamundësi për t’u shprehur, për të qenë edhe kundër nesh, ç’rëndësi ka, por për të qenë vetvetja në radhë të parë, kjo është regres demokratik. Dhe ne, krahas luftës për të realizuar referendumin, synojmë ndërgjegjësimin e shqiptarëve, sepse edhe vetë referendumi është një instrument i demokracisë direkte, instrument i ndërgjegjësimit të fuqisë që duhet të kenë dhe kanë shqiptarët. Çfarë ndodh? Shpeshherë nëpër kafene, restorante dhe ambiente familjare, të gjithë shfryjnë pakënaqësitë e tyre për padrejtësitë që bëhen çdo ditë, për grabitjen dhe arrogancën e pushtetarëve, për arrogancën e burokracisë, ryshfetin dhe gjithçka tjetër negative. Por, nga ana tjetër, pasi e konsumojnë, e shfryjnë gjithë këtë duf brenda rrethit të familjes dhe shoqërisë, ndiejnë në të njëjtën kohë impotent dhe të paaftë për ta instrumentalizuar, për të gjetur një instrument që kjo pakënaqësi të mos mbetet vetëm nëpër biseda. Vota njëherë në katër vjet është një proces shumë i gjatë. Nëse ti ke votuar Partinë Demokratike dhe zhgënjehesh që në vitin e parë të qeverisjes së saj, do të duhet të presësh edhe katër vjet për të korrigjuar votën tënde. Por katër vjet janë shumë. Pra referendumet, kultura referendare është një kulturë që vendet e qytetëruara e kanë aplikuar për të korrigjuar trajektoren e votës, pikërisht për t’u dhënë të drejtën popujve të tyre për të ushtruar presionin e tyre të drejtpërdrejtë te politika dhe pushtetarët e tyre. Nëse ti nuk je dakord me 2-3 vendime të ndërmarra këtë vit, me anë të referendumit ke mundësi të shprehesh dhe t’i japësh një shuplakë të madhe maxhorancës apo qoftë edhe opozitës. Ti si shqiptar, si popull shqiptar, ke një instrument për të shprehur kontestimin tënd ndaj gabimit që mund të bëjnë politikanët apo qeveritarët. Kurse kështu, ta lësh popullin të çarmatoset fare nga çdo lloj instrumenti dhe dufi dhe ankesat e veta t’i shkarkojë vetëm nëpër tavolina, ky është një krim tjetër. Ne duhet të kalojmë në një stad tjetër të madh dhe të lartë demokratik, pikërisht realizimin e shprehjes së tyre disa herë brenda katër viteve dhe jo vetëm njëherë. Në këtë pikëpamje ky është thelbi i luftës sonë. I referohemi aktit më të madh dhe më të shenjtë, siç është Kushtetuta, që është e barasvlershme me flamurin, me identitetin kombëtar.
A mendoni se ata që gatuan ndryshimet kushtetuese i frikësohen referendumit dhe votës së sovranit?
Ka qenë një presion shumë i madh për të mos u bërë 28 firma nga deputetët. U bënë presione të jashtëzakonshme nga ana e Berishës dhe Ramës. Një tmerr i madh. Pastaj u kalua në rrugë alternative. Një grup nismëtar me firmën e zotit Meidani, me firmën e zotit Moisiu, me firmën e zotit Agolli, me firmën e zotit Lubonja, me firmën time dhe të kolegëve të mi etj. I kërkuam KQZ-së për të gjetur një tjetër rrugëdalje, që të na jepte të drejtën për të mbledhur 50 mijë firma dhe nëpërmjet këtyre 50 mijë firmave të certifikuara nga KQZ-ja, atëherë do të merrej vendimi për të zhvilluar referendumin. Por kjo u bllokua. Pra frika është evidente.
Pse është evidente?
Taktika është evidente. Sepse kanë marrë vendim antipopullor. Sepse populli e ka perceptuar mëkatin e tyre. Dhe normalisht mëkatarët janë ata që kanë frikë, dhe jo ata që zbulojnë mëkate. Nëse do të mbahej referendumi, do të shikonim një situatë shumë groteske që Rama dhe Berisha haptazi do të mbronin ndryshimet e tyre kushtetutore do të bënin fushatë të përbashkët, do të ishin të detyruar që të dilnin nga errësira e kompromiseve të tyre, nga skutat apo restorantet e shtrenjta jashtë shtetit ku bëjnë kompromiset e tyre dhe do të detyroheshin të dilnin në publik për të mbrojtur ndryshimet e tyre kushtetutore. Pra të bënin një front të përbashkët me njëri-tjetrin dhe kuptohet që kjo nuk do t’i sillte asgjë të mirë reputacionit të tyre politik dhe partiak.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se edhe pas refuzimit të kërkesës së KQZ-së, referendumi do të bëhet. Komenti juaj...
Ilir Meta ka shprehur vullnetin e palëkundur të KMK-së dhe në një kontekst dialektik të zhvillimeve politike në Shqipëri, ky mëkat antikushtetues do të korrigjohet në një formë apo në një tjetër. Ne jemi këtu për të organizuar një grup rezistence, rezistencë qytetarësh, analistësh, shoqërisë civile dhe politikanësh, për të frenuar këtë regres demokratik. Ky është misioni ynë. Në këtë mision ne nuk tërhiqemi dhe nuk dorëzohemi.
Si dhe pse u formua Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës?
Po ju jap një përgjigje të metaforizuar, por shumë objektive. Kur u pushtua Franca në Luftën e Dytë Botërore, në një kafe që quhej jo rastësisht “Liberte” (Liri), shumë njerëz shkuan aty se nuk kishin ku shkonin tjetër. Njerëz të njohur e të panjohur shkëmbyen cigare me njëri-tjetrin, pinë kafe dhe u ndërgjegjësuan se kishin ardhur aty, se ishte pushtimi dhe shkatërrimi i ëndrrës dhe krenarisë franceze, Parisit, që ishte nëpërkëmbur dhe shkelur nga çizmja naziste. Nga njerëz fare të panjohur, edhe të njohur, por me qëllime të përbashkëta filloi në këtë kafene, filloi grupi i parë i rezistencës franceze. Pak a shumë po ndodh edhe me Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në komitet ka njerëz që i kam njohur pikërisht për herë të parë në këtë komitet, me të cilët jemi bashkuar vetëm e vetëm për misionin e mbrojtjes së Kushtetutës. Ishte dhunimi i përshkallëzuar i lirisë së shqiptarëve, i cili na mblodhi. Na mblodhi me dallime me njëri-tjetrin, por me një qëllim të përbashkët.
Është thënë se ndryshimet kushtetuese shmangin krizat, megjithatë sapo kemi kaluar një krizë parlamentare gjatë javës së kaluar në lidhje me emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë...
Ne sot kemi një krizë, nga një prej amendimeve kushtetuese të miratuar më 21 prill pikërisht nga neni 104, ai i mocionit të kryeministrit, i cili në vend që ta shmangë krizën, e thellon atë. Sepse ky nen i jep një forcë shumë dhe pushtet shumë të madh kryeministrit, i cili i kërcënoi deputetët e Partisë Demokratike për të mos diskutuar fare në Kuvend nga ana e Grupit Parlamentar të PD-së dekretet e presidentit Topi për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë, sepse përndryshe ai do të aplikonte nenin 104, do të shpërndante Parlamentin e do ta çonte vendin në zgjedhjet e parakohshme. Ne kemi një rast shumë evident, sesi një ndryshim kushtetutor i dhuruar edhe nga votat e Ramës, i jep një arrogancë ekstreme Berishës për t’iu hakërryer grupit të vet parlamentar, disidencës që ekziston në këtë grup parlamentar. Sepse ju e dini që ka edhe mjaft deputetë që mendojnë më shumë se sa zoti Topi, se sa zoti Berisha. Kamxhiku i amendimit të nenit 104 fshikulloi në Grupin Parlamentar të PD-së duke u thënë atyre se nëse ju veproni pro dekreteve, unë do ta çoj vendin në zgjedhje të parakohshme.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›