E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton përfundimin e shpejtë të Parkut Industrial në Elbasan



Kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në qytetin e Elbasanit, si pjesë e turit “Shqipëria në NATO”, ka premtuar ndërtimin sa më parë të parkut industrial në Elbasan. Gjatë përurimit të përfundimit të nënstacionit elektrik, Berisha tha se ky investim i paraprin ndërtimit të parkut të madh industrial, i cili pritet të sjellë zhvillim për zonën përreth. “Ky është një investim prej 900 milionë lekësh, apo mbi 6 milionë euro. Me këtë investim stabilizojmë parametrat e furnizimit me energji të Elbasanit dhe i paraprijmë ndërtimit të Parkut të Elbasanit, i cili sipas vendimit të fundit të qeverisë duhet të ngrihet me shpejtësi sepse edhe ai është një premtim i im i madh për Elbasanin, një premtim për të cilin unë këmbëngul deri në realizimin e tij të plotë”, - është shprehur Berisha. Duke u ndalur në furnizimin me energji për 24 orë të vendit Berisha tha se qeveria është e vendosur të blejë energji për plotësimin e nevojave të qytetarëve në çdo rast që në tregun rajonal do të ketë energji. “Deri tani ka pasur 24 orë drita. Ky vit ka qenë një vit me drita 24 orë, rezervat janë të mira, por mund të ishin edhe më të mira. Drita do të ketë 24 orë në çdo rast që në tregun rajonal të gjejmë energji për të blerë. Deri në plotësimin me burimet tona do të duhet disa kohë sepse do të hyjë në prodhim TEC-i i Vlorës, HEC-i i Kalivaçit, mund të ndërmarrim ndonjë iniciativë tjetër”, është shprehur kreu i ekzekutivit shqiptar. Gjatë vizitës në qytetin e Elbasanit Kryeministri Berisha inspektoi një fabrikë për përpunimin e letrës në këtë qytet, investim i një firme private me vlerë 3 milionë euro. Kryeministri e vlerësoi këtë fabrikë si një kontribut të rëndësishëm në kujdesin ndaj mjedisit. “Kjo fabrikë përpunon mbetjet e letrave të të gjithë Shqipërisë dhe prodhon letër ambalazhi, e cila përdoret si në vend ashtu edhe për eksport në vendet e rajonit. Ajo funksionon sipas standardeve më të mira të BE-së. Letrat të gjitha riciklohen dhe bëhen tërësisht të pastra duke mos krijuar asnjë ndotje”, është shprehur Berisha. Gjatë qëndrimit të qytetin e Elbasanit Berisha inspektoi punimet për rikonstruksionin e Universitetit dhe ndërtimin e godinës së Rektoratit. Ky rikonstruksion është investim i buxhetit të shtetit dhe kap shifrën 1.5 milionë euro. Kryeministri ftoi kompanitë në të gjithë vendin që kanë marrë përsipër ndërtimin e objekteve arsimore që të vendosin afatin 6 mujor për përfundimin e tyre. Berisha përgëzoi stafin pedagogjik për aftësinë e tyre për të përfituar nga investimet e qeverisë. Më tej ia informoi mbi nismat e qeverisë, si për fondin e ekselencës për studentët që përfundojnë studimet me rezultate të larta dhe mundësitë që u ofron qeveria për të ndjekur specializime jashtë vendit. Po kështu Berisha dha informacion dhe për programin “Brain gain” për mundësitë që qeveria u ofron për punësim në atdhe, studentëve që përfundojnë jashtë vendit me rezultate të larta. Ai kërkoi shfrytëzimin e këtyre programeve nga studentët e universitetit të Elbasanit.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›