E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi zgjedhor në PD-në e Kukësit



PD-ja ka filluar punën në terren për organizimin e zgjedhjeve të reja në parti. Grupi i punës ka çelur dje fushatën zgjedhore në qarkun e Kukësit, ku përfshihen edhe rrethi i Tropojës dhe i Hasit. Fushata në këto rrethe do të organizohet nga grupi i punës i kryesuar nga deputeti Aleksandër Biberaj, ndërsa anëtarë janë deputetët Fatos Hoxha dhe Jemin Gjana dhe Bardhyl Peka dhe Ibsen Elezi, si dhe Hasan Halilaj, të cilët mbajnë poste në Bashkinë e Kukësit. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e zhvilluar me të rast deputeti Biberaj ka vënë theksin në domosdoshmërinë e rivitalizimit të strukturave të PD-së në këto rrethe. “Zgjedhjet e reja në parti janë një moment shumë i rëndësishëm, pasi nëpërmjet tyre do të realizohet një ri-vitalizim dhe një ripërtëritje e PD-së”, është shprehur Biberaj, ndërsa e cilësoi këtë fushatë si një moment të rëndësishëm për të zhvilluar analizat e qeverisjes në nivel rajonal dhe lokal.
Më tej Biberaj kërkoi që kjo fushatë zgjedhjesh të shndërrohet në një proces për hapjen e mëtejshme të PD-së ndaj të rinjve dhe intelektualëve, traditë kjo e PD-së që nga krijimi i saj në dhjetor ‘90. Ndërsa deputeti i Kukësit, Fatos Hoxha, përmendi investimet e rëndësishme të realizuara në Qarkun e Kukësit gjatë qeverisjes së PD-së, duke theksuar se janë të gjitha kushtet dhe mundësitë që PD-ja të shënojë një fitore të thellë në zgjedhjet e vitit 2009 në këtë qark. Në zgjedhjet e vitit 2005, PD-ja fitoi të tre deputetët që kishte Qarku i Kukësit. Ndërsa, në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007, PD në këtë qark, që përfshin 3 bashki dhe 23 komuna, ka fituar 3 bashki dhe 17 komuna.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›