E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: “MASH po pengon punën e universiteteve”



Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, e ka akuzuar sërish dje Ministrinë e Arsimit se po cenon autonominë e universiteteve. Sipas tij, ligji i Arsimit të Lartë nuk po funksionon në shumë hallka të tij. Kreu i Universitetit të Tiranës sqaron se vetëm pagat e pedagogëve nuk janë bllokuar, ndërsa financimet e tjera kanë mbetur pezull. Kule bën të ditur se njëjta gjë ka ndodhur dhe me Masterat dhe Doktoraturat, të cilat, sipas tij, janë bllokuar për arsye burokratike. Përballë kësaj situate, Dhori Kule kërkon që të gjithë aktorët e interesit të zbatojnë ligjin e miratuar për Arsimin e Lartë. Por pavarësisht problemeve që ngrenë drejtuesit e universiteteve publike në vend, ata shprehen se do të jenë gati për të pritur studentët e rinj. Këtë vit për Universitetin e Tiranës do të shtohet numri i kuotave të pranimit, për arsye se nuk do të ketë më degë të liberalizuara, me përjashtim të sistemit me kohë të pjesshme. Ndërsa përsa i përket tarifës së regjistrimit, drejtuesit e universiteteve shprehen se propozimet nuk janë për një rritje të saj, por i takon Ekzekutivit të vendosë. Dhori Kule, lidhur me kuotat e pranimit për këtë vit akademik, pohon se Universiteti i Tiranës i ka propozuar të gjitha degët me kuota të rritura. Ndërkohë, propozimi më i fundit i Rektoratit është që për degën e mësuesisë tarifa e regjistrimit të jetë e përgjysmuar, krahasuar me tre vitet më parë.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›