E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimi i fesë, kërkesë e pajustifikueshme

Reagime të emigrantëve shqiptarë në Greqi, për regjistrimin e ri të popullsisë
Të mirinformuar, të bindur për atë çka mendonin, të hapur dhe pa asnjë lloj kompleksi, por edhe dyshues në më të shumtën e rasteve janë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, për sa i përket regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë së Shqipërisë, bazuar në përkatësinë etnike dhe fetare. E vërteta është se gjithë ata të cilët kanë akses në internet, apo ndjekin shtypin dhe mediat shqiptare, ishin tepër të informuar dhe u treguan të gatshëm të jepnin një koment për këtë iniciativë të qeverisë shqiptare në këtë moment që shumë prej tyre e quajtën pak si të papërshtatshëm. Të tjerë e mësuan nga... unë, prandaj dhe nuk ishin në gjendje të shprehnin një koment apo një mendim duke kërkuar më shumë kohë për të mësuar hollësitë. Por shumica kërkonte të informohej se mbi çfarë baza strukturore do të kryhej ky regjistrim dhe sidomos përderisa janë emigrantë, pyesnin se si do të regjistrohet kjo pjesë e popullsisë që ndodhet jashtë kufijve të vendit dhe që përbën pothuajse një të tretën e popullsisë shqiptare. Gjithashtu, mëdyshja më e madhe shprehej në rastin e deklarimit të besimit fetar, për arsyen se shumë martesa shqiptare janë midis personave të besimeve të ndryshme, kështu që deklarimi i besimit fetar të fëmijëve, të paktën të atyre që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, do të përbëjë një problem tepër të veçantë. “Ku do të na gjejnë që të na pyesin?”, më thotë dikush. “Një fëmijë e kam të pagëzuar, por tjetrin jo. Si duhet t’i deklaroj?”, më pyet dikush tjetër. Por ajo për të cilën bien të gjithë dakord, është fakti që regjistrimi i popullsisë si një proces në vetvete, është më se i domosdoshëm, sidomos pas dy dekadave që kanë kaluar nga regjistrimi i fundit zyrtar. E vërteta është se një pjesë e mirë e komunitetit shqiptar në Greqi, ndoshta komentohet që është e ndikuar nga helenizmi, apo nga mënyra e jetesës në një shtet ku mbi 95 për qind e popullsisë janë të krishterë ortodoksë. Por ka shumë prej tyre që i përkasin edhe atij brezi ateist që është larguar nga Shqipëria qysh prej viteve ‘90, kur ende feja nuk kishte ndonjë ndikim tek ata. “Le të bëhemi shtet serioz më në fund”, më thotë një miku im emigrant. “Po të hapësh faqen e CIA, do të gjesh të dhëna për Shqipërinë qysh prej vitit 1989. Edhe aty shkruhet besimi fetar, por thjesht si statistikë”, thekson ai. Zgjedhja e personave që u prononcuan për gazetën “Shqip” është krejt e rastësishme. Janë miq, kolegë, të njohur, por edhe të panjohur. Janë edhe përfaqësues të minoritetit grek. Më poshtë janë komentet e tyre, pa as më të voglin ndryshim.
Gazi Kapllani, gazetar i “TA NEA”
Nuk e kam ndjekur nga afër temën, kështu që nuk jam njohës i hollësive. Megjithatë mendimi im vetjak është se shteti laik nuk duhet të merret me tipare individuale të identitetit. Për një shtet laik, identiteti fetar është diçka që i përket personit dhe jo sferës publike. Ajo që duhet të bëjë shteti laik është ruajtja e lirisë së besimit të çdo qytetari dhe jo sondazhe se çfarë feje i përkasin ata. Besoj se çdo qytetar do jetë i lirë t’i përgjigjet ose jo pyetjes për identitetin e tij fetar. Por vetë pyetja e formuluar përbën një shkelje të principeve dhe asnjanësisë së shtetit laik. Kjo mund të bëhet në kuadrin e një hulumtimi shkencor, por jo pjesë e regjistrimit të popullsisë. Dua të sjell vetëm shembullin e Greqisë, e cila, duke zbatuar principet e shtetit laik në regjistrimin e fundit të popullsisë hoqi pyetjen për besimin fetar. Në se shteti pyet për besimin fetar, atëherë pse nuk pyet edhe për orientimin seksual? E di që për një individ këto janë gjëra shumë të ndryshme, por për shtetin laik janë e njëjta gjë. Nga ana tjetër do më lejoni të them se kam frikë që edhe kjo temë do bëhet shkas për një valë të re “super patriotizmi” që shoh se po vërshon në Shqipëri kohët e fundit. Më me avash djem, se akoma nuk i kemi shkulur bunkerët... Sipas mendimit tim, duke lënë mënjanë patriotizmat dhe teoritë e komplotit, duhet të diskutojmë në se duam një shtet laik të “tipit francez” apo të “tipit anglosakson”, ku përkatësia etnike dhe fetare kanë rëndësi në regjistrimin e popullsisë. Ky është mendimi im.
Dr.Stavri J. Dajo, Selanik
Regjistrimi i parë i popullsisë shqiptare u zhvillua më 1 mars 1918. Regjistrimi pasardhës u krye në vitin 1945, i cili ishte një regjistrim i hollësishëm dhe me standarde shkencore. Ky regjistrim u pasua nga regjistrimet e viteve 1950, 1955, 1960, 1969, 1979 dhe 1989, ndërsa regjistrimi i fundit u realizua në vitin 2001.
Një regjistrim tjetër i popullsisë në vitin 2011, mbi bazën e shtetësisë dhe të prejardhjes kombëtare, nuk ka asgjë të keqe. Shtetësia është element institucional dhe i jepet shtetasit me lindje, me rifitim (në rast se e ka humbur për shkak të faktorëve të ndryshëm) dhe me natyralizim, kur kërkohet nga personi vetë. Elementi etnik ose ai i prejardhjes kombëtare ka fillesë dhe përmasë historike dhe çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të mësojë kombësinë e vet në bazë të këtyre të dhënave. Kombësia është një dhe e patjetërsueshme. Asgjë të keqe nuk ka nëse një shtetas shqiptar pretendon se i përket një kombësie tjetër. Kahu tjetër do të ishte ksenofobi. Ndërsa regjistrimi në bazë të bindjeve fetare është i pajustifikueshëm, jo vetëm se besimi fetar është element i bazës së të dhënave personale (konfidencialiteti) të çdo qytetari shqiptar, por edhe se çështja e besimit fetar në Shqipëri është një çështje fort e diskutueshme dhe e lidhur me ndërrime të herëpashershme të fesë. Nuk e kuptoj se si do të ndihmojë ky element në sistemin statistikor të vendit dhe në pasurimin e ndërgjegjes kombëtare, siç ndodh në vende të tjera ku feja është element i pazgjidhshëm i kombëtarizmit.
Ardi Stefa, gazetar i “Tribuna”, Athinë
Do të përgjigjem shkurt. Nuk shoh ndonjë gjë të keqe për sa i përket deklarimit të besimit fetar, por vetëm në rast se përdoret për qëllime statistikore dhe jo për ta shkruar në dokumente zyrtare shtetërore. Ndërsa për çështjen e kombësisë jam dakord, me kusht që ata që do të deklarojnë një kombësi tjetër, ta kenë atë të vërtetuar me dokumentet përkatëse.
Gjergji Gambeta, biznesmen, Selanik
Debati i hapur në këto momente politike do të thosha që është pak i shpejtuar. Jo vetëm se ka një klimë politike jo të mirë për sa kohë opozita nuk merr pjesë në Parlament. Gjithashtu popullsia nuk mendoj se është në gjendje të përcaktojë e të plotësojë me besueshmëri një pyetësor të tillë. E para se ka një padurim të tyre për t’u futur në Europë pa viza, apo të realizohet liberalizimi i tyre. Në këto kushte, një pjesë e saj, duke pasur parasysh edhe përbërjen etnike, do të deklarojë jo me koshiencë të pastër, por e ndikuar nga shumë faktorë origjinën dhe përkatësinë fetare. Ka shumë shembuj, sidomos me emigrantët e Greqisë, kur ata kanë tjetërsuar mjaftueshëm të dhënat pikërisht për të përfituar. Raste të shumta të tilla ka në çdo komunitet, që është pjesë e popullsisë heterogjene shqiptare. Shoqëria shqiptare nuk është e barabartë e në kushte jo të barabarta me të tjera shoqëri, ku mund të jetë kryer një regjistrim i tillë. Pra rezultati përfundimtar nuk do të jetë real dhe nuk do të shprehë përfaqësueshëm të vërtetën mbi përbërjen etniko-fetare shqiptare. Gjithashtu Shqipëria, si një vend post-komunist, ka pësuar deformime të mëdha në strukturën e bërthamën e saj dhe mentaliteti i kësaj shoqërie, paçka se kanë kaluar 18-20 vjet demokraci, nuk është solid e liberal si ai i një shoqërie tjetër europiane.
Nase Jani, kryetar i klubit të shkrimtarëve “Drita”, Selanik
Më duket jashtë kohës dhe qytetarisë të kërkohet deklarimi i besimit fetar. Edhe sikur ta kishte gjithë Europa, ne nuk duhej ta kishim. Për sa i përket kombësisë, shqiptarët do i bien “kambanës” ku jetojnë e mbijetojnë. Do të jetë regjistrimi më i pavërtetë që mund të bëhet.
Mimoza Daka, kryetare e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”
Nuk përbën asnjë lloj problemi një regjistrim i ri i popullsisë në Shqipëri. Sigurisht që duhet bërë për të mësuar saktësisht se sa është numri i shtetasve shqiptarë, për arsye se asnjëherë në vitet e fundit me sa kujtoj nuk thuhet i saktë. Por më duket krejt e pa vend pyetja se çfarë feje i përkasim. është një pyetje dhe një përgjigje që nuk do sjellë diçka të re, nuk e kuptoj cili është qëllimi dhe se çfarë konkluzioni do të nxjerrë qeveria shqiptare nga ky element i panevojshëm, do të thosha, në këtë fazë. Për sa i përket kombësisë, aty gjërat janë më të thjeshta. Gjithkush mund të deklarojë se kujt kombësie i përket në bazë të dokumenteve që disponon.
Spiros Zotos, kryetar i konfederatës së shoqatave të minoritetit grek, "Agjios Kosmas”, Athinë
Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri është një nga kërkesat kryesore të minoritetit grek, të atyre që jetojnë në Shqipëri, apo edhe ne që jemi këtu në Greqi. Ky proces me kritere kombësinë dhe përkatësinë fetare, ka një rëndësi jetike për sa i përket këtij minoriteti. Në radhë të parë do të zgjidhë shumë çështje për sa u përket të ashtuquajturave “zona të diskutueshme” të minoritetit, si për shembull Himara. Vetëm në rast të një regjistrimi të tillë, real, do të kemi një pasqyrim të saktë dhe të vërtetë, do të shohim realisht se çfarë ndodh. Të mos harrojmë diçka shumë të rëndësishme për minoritetin grek, ky regjistrim ka edhe një rëndësi jetike, sepse është i lidhur me tre aspekte kryesore të jetës në Shqipëri, siç janë arsimi, administrata publike dhe çështja e pronësisë, flasim gjithnjë për zonat ku jeton minoriteti grek. Besoj se ekzistenca e këtij minoriteti në Shqipëri është diçka tepër pozitive. Askush nuk do të ketë dëm, nëse një grek minoritar është i lirë të deklarojë sipas dëshirës dhe vullnetit të tij kombësinë dhe besimin e tij fetar. Madje edhe për vetë shtetin shqiptar, deklarimi i një numri prej 250 mijë apo 300 mijë minoritarësh grekë që kanë apo do të kenë në një moment kohor të shkurtër nënshtetësinë greke, do të jetë ndihmë e madhe në ecurinë europiane të vendit drejt anëtarësimit në BE, përderisa një pjesë e madhe e qytetarëve të tij janë apo do të jenë realisht qytetarë europianë. Pra ky numër nuk ka për të krijuar një shpërbërje të popullsisë, siç shprehen disa zëra ekstreme. Kushdo duhet të jetë i lirë dhe të ketë mundësinë të deklarojë atë çka është dhe çka ndjen se është.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›