Arumunët, Topi përplaset me Baseskun
ADI SHKEMBI
Tirana dhe Bukureshti përplasen publikisht për minoritetin arumun në Shqipëri. Dy vendet nuk bien dakord, nëse ky komunitet duhet të vlerësohet si minoritet etno-gjuhësor, siç është aktualisht apo minoritet kombëtar. Kërkesën për t'i dhënë komunitetit arumun të njëjtin status, siç e ka minoriteti grek dhe ai maqedonas në vendin tonë, e bëri dje në Tiranë Presidenti i Rumanisë, Traian Basesku, por që mori përgjigje negative në deklarimin për mediat nga Presidenti Topi.
Topi
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kreu i shtetit shqiptar, i cili mori fjalën i pari, tha se pretendimi i homologut të tij rumun u diskutua edhe në takimin mes dy palëve përpara. "Në Shqipëri, jo vetëm mbi bazën e konstruksionit dhe të kuadrit ligjor shqiptar, por edhe mbi bazën e një realiteti konkret, respekti për çdo qytetar që banon në Republikën e Shqipërisë rezulton i barabartë për të gjithë. Ndërsa në rastin konkret, ky konsiderohet si një komunitet etno-gjuhësor, i cili është konfirmuar në dy raporte, në Raportin e parë dhe në Raportin e fundit të vitit 2007 në Këshillin e Europës, që konfirmon në mënyrë zyrtare minoritetet zyrtare në Shqipëri dhe duke qenë konseguent i linjave që përshkojnë Këshillin e Europës në dokumentet themeltarë të tij, ne vazhdojmë t'i qëndrojmë këtij pozicioni", tha Presidenti Topi. Sipas tij "respekti për cilindo do të jetë në nivelin më të lartë, qoftë nga pikëpamja legjislative, qoftë nga pikëpamja reale, konkrete".
Basesku
Presidenti rumun, që vizitonte për herë të parë Tiranën nga pozicioni më i lartë i shtetit të tij, tha në deklarimin para mediave se gjatë takimit mes dy delegacioneve, i ka shpjeguar homologut të tij shqiptar dhënien e statusit të minoritetit kombëtar për komunitetin arumun. "Nga diskutimet që kam pasur me Presidentin, kemi kërkuar dhënien e statutit si minoritet kombëtar të komunitetit arumun në Shqipëri. I kam shpjeguar Presidentit Topi rëndësinë e dhënies së këtij statusi për arumunët për të drejtat e personave, të cilët u përkasin minoriteteve kombëtare, si dhe trajtimi i mirë që i bëhet nga Rumania, në përputhje me Kushtetutën e Rumanisë minoritetit shqiptar", tha Basesku. Ai shtoi se "Rumania konsideron se arumunët janë shtetas besnikë të shtetit shqiptar, të cilët këtë gjë e kanë dëshmuar përgjatë historisë".