E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, prefekti përgatit studimin:Reforma që shkurton administratën



DIBER - Prefekti i Qarkut Dibër, Xhafer Seiti ka publikuar ditët e fundit një studim të tij në lidhje me reformën që duhet kryer në institucionet dhe ndërmarrjet lokale dhe rajonale të qarqeve. "Nisur nga përvoja ime prej më shumë se 25 vitesh, kam arritur në përfundimin e argumentuar që Administrata Publike e Institucioneve Qendrore në nivel vendor rezulton e mbingarkuar me numër nëpunësish", argumenton në fillim të studimit Seiti, një kopje të të cilit ia ka dërguar dhe Qeverisë. Sipas këtij studimi, vetëm në qarkun e Dibrës largohen rreth 500 vetë nga puna, nëse realizohet kjo reformë. Sipas Seitit, ndryshe nga organizimi i derisotëm, propozohet që kjo administratë të drejtohet nga një qendër e vetme në shkallë Qarku, me varësi administrative nga Prefekti dhe varësi tekniko-profesionale nga Institucionet Qendrore. Ai thotë se Drejtoria e përgjithshme Tekniko-Eko-nomike duhet të ketë 15 punonjës, Drejtoria e Shërbimeve 7 nëpunës, Sektori i Arsimit 10 nëpunës e punonjës, Sektori i shëndetësisë një personel jo më i madh se 12 nëpunës e punonjës, Sektori i Shërbimit Pyjor 10 punonjës, Sektori i Rrugëve Nacionale 1 përgjegjës, 3 specialistë të fushave të ndryshme, përfshirë statistikën dhe 1 punonjës i veprimtarisë mbështetëse. Sektori i Bujqësisë 12 punonjës, Drejtoria Ekonomike 10 persona, Sektori i Tatim-Taksave 10 vetë, Sigurimet Shoqërore 12 nëpunës e punonjës, ai i Punësimit 3 vetë, etj. Studimi vijon me të tjerë sektorë të administratës shtetërore. "Nga të dhënat e grumbulluara, sipas degëve të thesarit në rrethe do të duheshin të aktivizohen 466 nëpunës e punonjës (Dibra 314, Bulqiza 63 dhe Mati 79). Pra, do të kemi pakësim të numrit të nëpunësve e punonjësve me 494 persona më pak, ose 51.45%. Pakësimi i numrit të punonjësve do të shoqërohej dhe me një pakësim prej rreth 40.00% të fondeve dhe që do të përdoreshin për plotësimin e funksioneve të institucioneve që do të krijoheshin. Nëpunësit dhe punonjësit e Administratës Publike duhet të fitojnë besimin e komunitetit nëpërmjet rritjes së efektivitetit, efiçensës maksimale dhe përgjegjshmërisë, parim ky që midis të tjerash duhet të synojë në eliminimin e vendeve të tepërta të punës në administratën publike", thotë prefekti Seiti. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›