E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu- Totozanit: AP është ndërgjegjja e njerëzve

Avokati i Popullit Igli Totozani ka zhvilluar sot një takim me ambasadori ne Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Aleksandër Arvizu. Ky ishte takimi i parë mes tyre pas marrjes së detyrës nga ana e Totozanit dhe Arvizu e përgëzoi për emërimin duke nënvizuar se emërimi i me një numër shumë të madh votash në parlament është një arsye se përse pritshmëritë nga z.Totozani dhe nga institucioni që ai drejton janë shumë të larta.

Kjo zyrë ka një rol shumë të rëndësishëm, është ndërgjegjja e njerëzve, duhet të jetë zëri i atyre personave që nuk kanë një zë në shoqëri. Zyra e Avokatit të Popullit ka një rol të rëndësishëm kushtetues në këtë vend dhe gjithashtu është e rëndësishme që të lejohet të kryejë punën e saj në mënyrë të pavarur dhe pa ndikim politik të asnjë pale, u shpreh në fjalën e tij ambasadori i SHBA-së.

Arvizu siguroi Totozanin se vendi dhe ambasada që ai përfaqëson, do të angazhohen të japin ndihmën e tyre në mënyrë që ai të veprojë i pavarur dhe pa asnjë ndikim politik.

Nga ana e tij, Totozani i siguroi atij se Institucioni i Avokatit të Popullit do të punojë vazhdimisht për të qenë zëri i qytetarëve që nuk kanë mundësi të dëgjohen, ose të flasin dhe do të jetë një zë i pavarur kushtetues, larg lojërave politike shqiptare, por thjesht dhe vetëm duke punuar për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Totozani theksoi se Institucioni që ai drejton, do të jetë një institucion, i cili do të bashkëpunojë me institucionet e tjera shtetërore, me Parlamentin, me Qeverinë, me Ministritë, me Pushtetin Vendor, në mënyrë që puna e gjithsecilit prej institucioneve të arrijë suksesin e saj dhe qytetarët të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese.

KABINETI 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›