E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu Bojkoti afatgjate i opozites nuk e ndihmoi axhenden evropiane

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, mendon se klasa politike shqiptare është përgjegjëse për mundësinë e mosmarrjes së statusit të vendit kandidat muajin e ardhshëm.

Përfaqësuesi zyrtar i Uashtingtonit në Tiranë, evidentoi bojkotin dy-vjeçar të opozitës si faktor kryesor përsa i përket mungesës së mundshme të ftesës së Komisionit Europian që Shqipëria të hedhë hapin tjetër të rëndësishëm drejt integrimit.

“Mendoj se të gjitha palët kanë përgjegjësi. Di që disa njerëz thonë se opozita me bojkotin e saj mbajti peng progresin. Mendimi im modest është se bojkoti afatgjatë ishte kundër-produktiv. Nuk mendoj se ky bojkot ndihmoi axhendën. Por, mendoj se i takonte edhe mazhorancës që të krijonte kushtet për të ftuar opozitën në dialog. Flasim gjithmonë për kompromis, por nuk është vetëm faji i opozitës. Sigurisht që mendoj se opozita ka përgjegjësi!”, tha ai.

Ambasadori Arvizu përcolli vlerësimin e tij në lidhje me paketën prej 10 pikash të propozuara së fundmi nga kryesocialisti Edi Rama.

“Mendoj se është inkurajuese që PS ka përgatitur një listë prej 10 idesh apo kushtesh, varet si i cilëson ato, pasi nuk është në dorën time të komentoj mbi cilësimin specifik. Por mendoj se është inkurajuese që ka propozime specifike që përbëjnë bazën për dialog apo debat. Nuk mund të jap komente mbi secilën prej 10 pikave. Por shpresoj se përbën bazën për diskutim dhe për të ecur përpara, ku procedurat dhe rregullat e parlamentit, përbëjnë një pikë të rëndësishme”, shtoi ai.

Këto komente, Ambasadori Arvizu i bëri pas seminarit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës me të zgjedhurit vendorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›