Qyteti Studenti çel dyert për 6800 studentë – sot nisën regjistrimet
Qyteti Studenti i rikthehet ritualit të përvitshëm, pas një pauze 3 mujore. Sot nisën regjistrimet, për të pritur të gjithë studentët e rinj dhe të vjetër. Ky vit ka sjell shumë ndryshime, si në ambientet e brendshme, por dhe ato të jashtme, siç është rikonstruktimi i dhomave të vjetra.
Tashmë kanë përfunduar të gjitha restaurimet e nevojshme në bujtina, duke nisur nga lyerja dhe deri tek pajisja me orendi të reja dhe bashkëkohore. Transformime rrënjësore për t’u ofruar standarde bashkëkohore te strehimit studentëve shqiptare. Gjithashtu këtë vit investime janë bërë në hapësira të gjelbra shtesë, përfshirë edhe ndërtimin e një parku modern pranë Drejtorisë së Qytetit Studenti.
Por pavarësisht ndryshimeve, tarifa e regjistrimit për akomodim ne konviktet e qytetit stydenti, mbetet e pandryshuar.
Akomodimi në Qytetin Studenti përgjatë 1 viti do t’u kushtojë studentëve që kanë zgjedhur strehimin në këto godina, 40.000 lekë të reja.
Regjistrimet për t’u akomoduar në godinat studentore, filluan sot dhe këtë vit nuk do të lejohen më shumë se tre persona në një ambient të përbashket ose një dhomë. Një tjetër risi do të jetë edhe godina e re ku do të mund të strehohen si vajzat edhe djemtë. Kjo pritet të jetë në dispozicion të çifteve ose të djemve apo vajzave që kanë dëshirë të qëndrojnë bashkë. Numri i të regjistruarve për këtë vit pritet të jetë rreth 6800 studentë, pak më i lartë sesa e një viti më parë.
Burime nga Drejtoria e Qytetit Studenti bëjnë me dije se vetëm dy vitet e fundit janë bërë investime tepër të rëndësishme, duke nisur me ristrukturimin e 26 bujtinave, ndriçimin publik, funksionalitetin e mbi 6 mijë m2 hapësirë të gjelbër, asfaltimin e akseve kryesore dhe të rrugicave si dhe ndryshimin e itinerarit të mjeteve motorike që shkaktonin kaos dhe deri tek investimet e tjera në përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve.