Arvizu: Kodi Zgjedhor është mjaft i mirë, të plotësohen boshllëqet. Wollfarth: Më shumë besim mes palëve

Krydiplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu bën thirrje për finalizimin në kohë të reformës zgjedhore, pasi sic tha ai, Kodi është mjaft i mirë ndërsa mbetet të plotësohen boshllëqet. Arvizu dhe Ëollfarth kërkuan respektimin e afateve të reformës, ndërsa u shprehën se nuk inkurajojnë një zgjidhje të minutës së fundit, 1 vit para testit elektoral
UPDATE- “Kodi Zgjedhor është mjaft i mirë. Detyra e partive politike dhe ekspertëve të angazhuar në diskutimet e reformës, është të plotësojnë boshllëqet”. Kjo ishte deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu i cili bëri thirrje për angazhim serioz në mënyrë që të respektohen afatet kohore. “Kodi aktual është bazë e mirë, por ka disa boshllëqe, të cilat duhen realizuar. Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Respektimi i afateve do të bëjë të mundur që të mos i lihen përgjegjësitë palës tjetër dhe të sabotohen zgjedhjet e 2013-ës”- u shpreh Arvizu. Deklarata e ambasadorit amerikan u bë gjatë tryezës së organizuar nga OSBE “Për teknologjitë e reja në zgjedhje dhe administrimi i tyre”.
Nga ana e tij, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth tha se reforma zgjedhore është një proces kompleks. Sipas tij, është bërë progres, por ka ende punë për t’u bërë dhe se reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda afatit. “Duhet rezultat cilësor dhe besim mes palëve politike. Palët duhet të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE-së. Reforma zgjedhore është një proces që i përket klasës politike shqiptare”, u shpreh Wollfarth.