E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Kompromisi parlamentar jetik për vendin

25/10/2011  Integrimi euroatlantik, konferencë ndërkombëtare në Tiranë

“Integrimi euroatlantik është angazhim që bie mbi Kuvendin, ndaj ju kërkoj sot kompromis”

U mbajt dje në Tiranë konferenca me temë “Karta e Adriatikut, integrimi euroatlantik dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, një organizim ky nga Kuvendi i Shqipërisë. Qëllimi i kësaj konference, e cila do të zhvillojë punimet edhe gjatë ditës së sotme, është mbështetja e agjendave të përbashkëta nga parlamentet kombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas drejtimeve të konceptit strategjik të miratuar në Lisbonë. Sesioni i hapjes u përshëndet dje nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu, kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli. Në fjalën e tij ambasadori Arvizu theksoi se SHBA-të e kanë mbështetur integrimin e vendeve të rajonit në NATO, të cilat janë shndërruar tashmë në vende të sigurta. Kryediplomati amerikan deklaroi më tej se për këto vende jetik mbetet thellimi i bashkëpunimit mes tyre. Në këtë kuadër, Arvizu theksoi se integrimi euroatlantik kërkon më shumë bashkëpunim dhe kompromis. “Integrimi euroatlantik kërkon angazhim dhe, si i tillë, ky angazhim bie mbi Kuvendit. Dhe duke qenë se këtu ndodhet edhe Kryetarja e Kuvendit, do të kërkoja më shumë kompromis. Debati i shëndetshëm është mjaft me rëndësi. Ju përgëzoj për punën që keni bërë deri tani. Jo shumë kohë më parë vendet e rajonit ishin burim pasigurie, ndërsa sot ato përfaqësohen nga ushtarët e tyre në botë aty ku ka nevojë për siguri”, - u shpreh ambasadori amerikan në vendin tonë Aleksandër Arvizu. Më tej diplomati amerikan garantoi të pranishmit se “SHBA-të janë të gatshme për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit për të ruajtur sigurinë në botë”. Më tej ai shtoi se SHBA-të nxitin Bosnjën dhe Maqedoninë për të vazhduar përpara me planet e tyre për anëtarësim. Ambasadori insistoi se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e mbështet politikën e dyerve të hapura, ndërsa vendet e Kartës së Adriatikut po ofrojnë ndihmën e tyre në misionet e NATO-s.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në fjalën e saj theksoi: “Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka kontribuar dhe po vazhdon të kontribuojë në mënyrë aktive në sigurinë e rajonit, por jo vetëm të rajonit. Shqipëria në NATO është garancia e lirisë. Shqipëria në NATO është garancia sigurisë, është garancia e zhvillimit në tërësi”, - tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›