E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Ndalni sharjet dhe provokimet

Nga Express më 22 janar 2011 në ora 17:45

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka kërkuar nga skena politike shqiptare që t’i japë fund sharjeve dhe të punojë për interesat e qytetarëve.

Arvizu theksoi se dje kishte biseduar me kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e PS, Edi Ramën, ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe zv/kryeministrin Edmond Haxhinasto duke iu bërë thirrje të shmangin gjakderdhje të mëtejshme.

Duke e cilësuar ditën e djeshme të tmerrshme, ambasadori amerikan ka thënë se i vjen jashtëzakonisht keq që thirrjet e Ambasadës amerikane për protesta paqësore nuk u dëgjuan. Ai apeloi për qetësi dhe u shpreh kundër protestave.

“Dita e djeshme në Shqipëri ishte e tmerrshme. Di që kemi thënë shumë herë që e drejta për të tubuar duhet siguruar të jetë paqësore. Dhuna për të cilën ishim dëshmitarë dje nuk ishte e nevojshme dhe as e pashmangshme. Mund të ishte shmangur dhe duhet parandaluar që të mos ndodhë përsëri. Disa e kanë përshkruar si protestë kundër korrupsionit. Duhet bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit që Shqipëria të realizojë potencialin e saj të plotë. Dhuna në rrugët e kryeqytetit nuk do ta zgjidhë problemin e korrupsionit në vend. Në këtë moment, Shqipëria ka nevojë të madhe për qetësi politike dhe kemi nxitur vazhdimisht udhëheqësit politikë të gjejnë rrugë për kompromis”, u shpreh Arvizu.

Ambasadori amerikan deklaroi se kërkohet hetim dhe për ngjarjet e djeshme ka përgjegjës.

“Është koha për të hequr dorë nga provokimet e mëtejshme. Është koha për t’i dhënë fund inkriminimeve dhe sharjeve të ndërsjella, ka nevojë që të gjitha palët të përmbahen e mbi gjithçka është koha për t’i dhënë fund dhunës”, ka thënë Arvizu.

Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-të ndjejnë keqardhje për jetët e humbura në demonstratën e djeshme dhe bën apel për hetimin e përgjegjësve të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›