Arvizu: Presidenti të zgjidhet në raundin e parë, atë se cakton një person i vetëm

Kreu i PS-së Edi Rama dhe ambasadori i SHBA-ve Arvizu
Kryetari i Partis Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Takimi në kuadër të negociatave për zgjdhjen e presidentit të ri, u mbajt në ambientet e selisë së Partisë Socialiste.
Në fund të takimi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka pranuar se gjatë takimi me kreun e opozitës është diskutuar për emra konkretë që mund të jenë kandidatë të mundshëm për president.
Kemi biseduar 100% për zgjedhjet presidenciale. Rama ishte i hapur. Folëm për disa personalitete dhe në këtë pikë duhet të ketë më shumë diskutime dhe të mos ketë një person që vendos se kush duhet të jetë president, u shpreh ambasadori pas takimit me kreun e PS-së.
Arvizu ishte i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij. Ai u bëri thirrje partive që të gjejnë marrëveshje për një president konsensual duke kundërshtuar në këtë mënyrë retorikën e kryeministrit Berisha, për një president sipas kushtetutës por të propozuar nga mazhoranca.
Paritë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur këtë çështje. Nuk do të ishte mirë që të mbesë e pazgjidhur para nisjes së procedurës. Ne e dimë se çfarë thotë kushtetuta. Por objektivi kryesor është që presidenti të zgjidhet që në votimin e parë, ku kërkohen 84 vota. Kjo duhet të jetë objektivi. Nuk duhet të jetë objekti në raundin e katërt apo të pestë, theksoi ambasadori amerikan.
Arvizu gjithashtu nënvizoi se presidenti cakton se kush duhet të jetë kreu i prokurorisë dhe kjo tha ai është shumë e rëndësishëm për SHBA-të. /F.Stafa/

Idrizi - Rama
Rama: Presidenti i ri, të jetë i paanshëm në zgjedhjet e 2013-s
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrimi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Kreu i PDIU-së, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 i përkiste PS-së, u takua me liderin e opozitës për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Rama, ashtu si edhe në takimin me kreun e LSI-së, shoqërohej nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe në përfundim të takimit ai u shpreh se vendi ka nevojë për një president të dalë nga një proces që i përgjigjet sfidave të Shqipërisë për integrimin në BE.
Duam që të eksplorojmë çdo mundësi për të ndërtuar një proces dhe pastaj nga procesi të shkojmë tek emri dhe jo anasjelltas. Qëllimi ynë është ti përgjigjemi kësaj sfide madhore për Shqipërinë pasi nga mënyra se si do të zgjedhim presidentin e republikë varet statusi i kandidatit, varet rrugëtimi ynë evropian për institucione të pavarura, tha kreu i opozitës. Ai gjithashtu nënvizoi se vendi ka nevojë për një president që në zgjedhjet e ardhshme të jetë i paanshëm.
Pak ditë më parë, Rama u dërgoi letër të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ku i ftonte ata në takim për nisjen e negociatave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Berisha: Për “presidentin” do flas pas 21 majit

Kryeministri Berisha gjate nje mbledhjeje qeverie / Foto arkiv
Nga ana tjetër pak minuta para nisjes së këtij takimi, Berisha në mbledhjen e qeverisë, u shpreh do të flasë për çështjen e presidentit të ri pas samitit të Çikagos.
“E kuptoj që mendjen e keni te ethet presidenciale po unë këtu jam në mbledhje qeverie dhe do vazhdoj me rendin e ditës. Me presidentin do merrem sa të kthehem nga samiti i Çikagos dhe kam shpjeguar si do procedohet”, tha Berisha.
Ky samit do të mbahet me 20-21 maj. Në bazë të deklaratës së Berishës, kuptohet se kreu i qeverisë do të flasë me nisjen e procedurave parlamentare, që sipas Kushtetutës duhet të nisin para 24 majit, një muaj nga përfundimi i mandatit të Bamir Topit.
F.Stafa