Arvizu: Projekti për gjykatat, përmirëson punën e tyre

Ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, Aleksandër Arvizu ka zhvilluar sot një vizitë në gjykatën e Korçës, ku është ndaluar në projektin e qendrës së ndërmjetësimit pranë kësaj gjykate. Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se ky projekt është një alternativë ndaj procedurave të tejzgjatura.
Ndër të tjera, ambasadori e ka vlerësuar këtë projekt, pasi sipas tij qëllimi është përmirësimi i punës së gjykatave. Arvizu e ka konsideruar sistemin gjyqësor në Shqipëri, të mbingarkuar.
“Ky program është një alternativë ndaj procedurave të tejzgjatura që hapen në gjykatë. Qëllimi i projektit është përmirësimi i punës së gjykatës, ndërkohë që parashtrohet të ketë një regjistrim të të gjitha çështjeve gjyqësore që rrit transparencën në sistemin gjyqësor”, është shprehur Arvizu.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu i cili ka theksuar se nevojitet reformë në sistemin ligjor. Sipas Spahiut, duhet theksuar fakti se mungesa 2-vjeçare e opozitës në Parlamentin Shqiptar, ka shkaktuar mjaft probleme dhe pengesa. Ndërkohë që nënkryetari i KLD-së, ka vlerësuar mbështetjen që SHBA-ja, po i jep drejtësisë shqiptare.