E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stonestreet: Të gatshëm të ndihmojmë për reformën zgjedhore

TIRANË- Një ekip me ekspertë të misionit të OSBE/ODIHR-it, i kryesuar nga kryetari Xhonatan Stonestreet është takuar sot në Tiranë me presidentin Topi, kryeministrin Berisha, kreun e PS Edi Rama dhe atë të LSI Ilir Meta. Stonestreet në të gjitha këto takime ka deklaruar se OSBE është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë për procesin e reformës zgjedhore.

STONESTREET TAKON TOPIN
Reforma zgjedhore dhe rekomandimet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë kanë qenë temë kryesore e takimit të presidentit Topi me ekipin e ekspertëve të misionit të OSBE/ODIHR-it, të drejtuar nga kryetari i këtij Misioni, Xhonatan Stonestreet.

Duke vlerësuar rolin e misionit në Shqipëri, kreu i shtetit vuri në dukje se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces për realizimin me sukses të së cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës.

“Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, - u shpreh Topi.

Nga ana e tij shefi i misionit te OSBE/ODIHR vleresoi rolin ekuilibrues të kreut të Shtetit si simbol i unitetit të popullit, dhe në vijim vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme.

“Ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve”, theksoi Stonestreet.

STONESTREET TAKON BERISHËN
Në vijim të axhendës së takimeve në Tiranë ekipi i ekspertëve të OSBE/ODIHR u prit edhe nga kryeministri Berisha. Kryeministri u shpreh se cilësimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive është një vlerësim që përmbledh të gjitha standartet që ka arritur procesi zgjedhor i 2011.

Kryeministri nënvizoi se rekomandimet e ODIHR në raportin e vitit 2011 sëbashku me rekomandimet e vitit 2009 përbëjnë një bazë shumë të mirë procesin e reformës zgjedhore. Ai siguroi delegacionin e ODIHR se mazhoranca ka vullnetin e plotë për t’i trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar.

Stonestreet i ka komunikuar kryeministrit Berisha “se reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore”. Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës.

STONESRTEET TAKON RAMËN
Shefi i misionit të OSBE/ODIHR Stonesrteet takoi për rreth 75 minuta dhe kreun e PS Edi Rama. Ndërsa vlerësoi raportin e këtij organi për zgjedhjet Rama tha se dokumenti “është një gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur, që ndryshe nga raporti i vitit 2009 ndikoi pozitivisht në uljen e tensionit politik me objektivitetin e me qartësinë e tij. Partia Socialiste e konsideron raportin një pikë referimi solide për një reformë që t’i japë fund deformimeve të papranueshme zgjedhore”.- theksoi Rama.

Nga ana e tij shefi i misionit ndërkombëtar të vëzhgimit vuri theksin tek domosdoshmëria e një sërë rregullimesh ligjore si edhe e krijimit të kushteve për rritjen e besimit të njerëzve tek zgjedhjet përmes një kulture politike që ta bëjë të mundur një gjë të tillë.
(e.m/BalkaWeb)
Lidhje te tjera Stonestreet: Nisni reformën zgjedhore, por mos u nxitoni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›