Arvizu: Shqipëria, progres në rrugën drejt BE-së
Shqipëria ka bërë progres të madh në rrugën dret integrimit europian. Kështu është shprehur Ambasadori i ri i SHBA-së Aleksandër Arvizu në një takim me ministrin e brendshëm Lulzim Basha. Gjithashtu Arvizu ka përshëndetur fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.
Ai theksoi se lëvizja e lirë nuk ishte dhuratë por frut i përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra për përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.
Gjithashtu Ambasadori Arvizu shprehu vullnetin e qeverisë amerikane për të promovuar dhe mbështetur forcimin e institucioneve ligjzbatuese dhe zbatimin e ligjit në Shqipëri.
Nga ana e tij ministri i brendshëm Basha i shprehu Ambasadorit Arvizu mirënjohjen e veçantë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për kontributin dhe ndihmën e qeverisë së SHBA për modernizimin e policisë shqiptare.
Ministri Basha e informoi gjerësisht Ambasadorin Arvizu mbi rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të narkotikëve dhe trafikut të qenieve njerëzore.
Përsa i takon situatës së krijuar nga përmbytjet natyrore në Qarkun e Shkodrës, Z. Basha informoi Z. Arvizu se për përballimin e situatës u angazhuan fuqimisht të gjitha strukturat shtetërore, të cilat po vijojnë punën e tyre në terren.