E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Ska kohë për rikompozim të KQZ-së

17/03/2011  Ambasadori i SHBA-ve premton se do jetë në terren ditën e zgjedhjeve lokale

“Është shumë vonë për të rishikuar Kodin, ta kishin menduar më parë”

Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar dje se afrimi i zgjedhjeve lokale nuk krijon mundësi për ndërhyrje në ligjin zgjedhor. Nga qyteti i Lushnjës, gjatë një takimi me kreun e bashkisë Albert Sanxhaku, diplomati amerikan ka theksuar se “nuk ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor”. Ambasadori ka zhvilluar takime me drejtues të pushtetit vendor dhe në qendër të bisedave ka qenë çështja e zgjedhjeve vendore dhe përgatitja për zhvillimin normal të tyre. “Me sa di unë, fushata elektorale fillon më 8 prill, një muaj përpara ditës së votimeve. Mendoj se nuk ka kohë për ta rishkruar apo rishkruar Kodin Zgjedhor. Është shumë vonë për ta bërë këtë”, - tha ai. Arvizu ka theksuar se personalisht do të jetë në terren për të parë nga afër përgatitjet dhe problemet që mund të ketë deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Edhe gjatë takimit me Sanxhakun ambasadori ka deklaruar se duhet të ketë debate televizive ndërmjet kundërshtarëve politikë, në mënyrë që të jepen alternativa për qeverisjen e qytetit dhe administrimin e taksave. Arvizu shkoi dhe më tej, kur u shpreh se personat që nuk duan që zgjedhjet të shkojnë mirë, duhet të marrin përgjigjen e merituar nga votuesit, pasi janë ata që zgjedhin institucionet që i qeverisin. Në lidhje me rikompozimin e KQZ-së Arvizu theksoi se kjo gjë duhej të ishte bërë më parë dhe partitë politike nuk duhet të kujtohen në prag të zgjedhjeve. Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë në një kohë kur nga opozita janë shtruar një sërë kërkesash, që kanë të bëjnë kryesisht me rikompozimin e KQZ-së. Disa herë gjatë këtyre ditëve kreu i PS-së Edi Rama, por edhe eksponentë të tjerë të kësaj partie, kanë theksuar se me këtë përbërje KQZ-ja nuk mund të japë garanci për zgjedhjet e 8 majit. Ndërkohë anëtarët e opozitës prej më shumë se dy muajsh nuk marrin pjesë në mbledhjet e këtij institucioni, gjë që ka vënë në vështirësi vendimmarrjen e këtij institucioni. Gjithsesi, nga data e zgjedhjeve ska mbetur shumë kohë dhe ndryshimet në Kod apo rikompozimi i KQZ-së gjatë kësaj kohe më shumë do ta çoroditnin se do të ndihmonin zhvillimin normal të zgjedhjeve.

Kodi zgjedhor

“Mesa di unë, fushata elektorale fillon më 8 prill, një muaj përpara ditës së votimeve. Mendoj se nuk ka kohë për ta rishikuar apo rishkruar Kodin Zgjedhor. Është shumë vonë për ta bërë këtë”, - tha ambasadori Arvizu. Kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor ka ardhur nga ana e Partisë Socialiste, si garanci për zgjedhjet lokale të 8 majit. Mes të tjerave kërkohet dhe rishikimi i listave të zgjedhësve, si dhe kërkohen garanci për kartat e identitetit.

Rikompozimi

Në lidhje me rikompozimin e KQZ-së Arvizu theksoi se kjo gjë duhej të ishte bërë më parë dhe partitë politike nuk duhet të kujtohen në prag të zgjedhjeve. Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë në një kohë kur nga ana e opozitës janë shtruar një sërë kërkesash, që kanë të bëjnë kryesisht me rikompozimin e KQZ-së, ku kryesisht atakohet kryetari i këtij institucioni Arben Ristani. Opozita ka kohë që nuk merr pjesë në mbledhjet e KQZ-së.

Ambasadori i OSBE-së, i SHBA-ve dhe BE-së

“Dhuna ndaj komunitetit rom është e papranueshme”

Dhuna dhe dëbimi i rreth 50 familjeve rome nga banesat e tyre në periferi të Tiranës pak ditë më parë ka rritur shqetësimin e organizatave dhe selive diplomatike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut në vend. Kryetari i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfart, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, dhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Etore Sekui, kërkuan nga qeveria që të mos lejojë përsëritjen e ngjarjeve të tilla në vend. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011 për disa ditë dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre”, - thuhet në njoftimin e përbashkët të tre autoriteteve. Nga ana tjetër ambasadori i OSBE-së, ai i SHBA-ve dhe ambasadori i BE-së nxitin autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe tu ofrojnë ndihmë të shpërngulurve “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxitim autoritetet të marrin hapat e duhur për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë”, - shprehen tre ambasadorët për dëbimin e romëve. Ata shprehen se si pasojë e këtyre veprimeve pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi. “Ne theksojmë se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së Romëve dhe Sintive në Zonën e OSBE-së, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për shtimin e përpjekjeve të OSBE-së për integrim të qëndrueshëm të romëve dhe sintive. Miratimi i këtij vendimi nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sinive edhe nëpërmjet medies. Në opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet. “Ne jemi të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›