E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi, opozita thyen bojkotin

17/03/2011  Komisioni i Sigurisë, kalon pa debate projektligji për Kodin Penal

Reforma në drejtësi, deputetët e PS-së japin pëlqimin

Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin parlamentar të Sigurisë kanë miratuar dje në unanimitet ndryshimet dhe shtesat në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimet e miratuara dje në Komisionin e Sigurisë kërkojnë miratimin nga ana e Parlamentit me shumicë të cilësuar prej 84 votash nga ana e deputetëve, çka pritet që konsensusi i dhënë dje në Komisionin e Sigurisë të reflektohet dhe gjatë punimeve të Kuvendit. Vetë ligji në fjalë është pjesë e reformës në drejtësi, një parakusht ky i vendosur nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në seancë plenare nëse ndryshimet në Kodin Penal do të marrin të njëjtin konsensus si dhe në Komisionin e Sigurisë.

Projektligji

Hartimi i ndryshimeve në Kodin Penal, i fokusuar te veprat me qëllime terroriste, sigurimi dhe grumbullimi i fondeve për financimin e terrorizmit dhe te pastrimi i produkteve të veprës penale, synon reflektimin jo vetëm të qasjes së sotme ndërkombëtare në luftën ndaj terrorizmit dhe pastrimit të parave, si krime që cenojnë shtetet dhe bashkësinë ndërkombëtare, por reflekton edhe detyrimet që rrjedhin për Shqipërinë nga konventat ndërkombëtare, të cilat vendi ynë është anëtar apo palë bashkëpunuese.

Ndryshimet

Në mbledhjen e 33-të plenare të KE-së, të zhvilluar në shtatorin e vitit të kaluar, pas analizës së ekspertëve të këtij komiteti për shtetet që kanë dalë nga raundi i tretë i vlerësimit, ku bën pjesë dhe Shqipëria, u evidentuan mangësi për rekomandimin special II, “për kriminalizimin e veprave me qëllime terroriste dhe të veprave të financimit të terrorizmit”. Në këtë kuadër, u propozua ndryshimi i paragrafit të dytë të nenit 230 të Kodit Penal, me qëllim përfshirjen e akteve të parashikuara nga konventat europiane në listën e veprave me qëllime terroriste. Sa i përket pastrimit të parave, për të adresuar plotësisht rekomandimet e komitetit MONEYVAL dhe të akteve ndërkombëtare që synojnë parandalimin e pastrimit të parave, u propozua ndryshimi i nenit 287 të Kodit Penal. Ndryshimet në këtë nen kanë për synim të qartësojnë dhe të parashikojnë në dispozitë të gjitha elementet e anës objektive dhe subjektive të detyrueshme për t’u përfshirë në dispozitat e pastrimit të parave për shtetet palë në konventën e Kombeve të Bashkuara.

Kriteret e kërkuara

Sipas kritereve të rekomandimit special II të komitetit MONEYVAL, shtetet duhet të kriminalizojnë sigurimin e grumbullimin e fondeve, me qëllim që ato të përdoren ose duke ditur se ato do të përdoren pjesërisht ose plotësisht për të kryer një vepër me qëllime terroriste. Ky detyrim është reflektuar në paragrafin e parë të nenit 230/a të propozuar, duke mundësuar kriminalizimin e financimit të organizatave terroriste.

Qëllimi i rekomandimeve

Këto rekomandime kërkojnë qartësimin e zbatimit të nenit mbi kriminalizimin e grumbullimit dhe sigurimit të fondeve për financimin e terrorizmit edhe kur personi që prezumohet se ka kryer këtë vepër penale ndodhet në një shtet të ndryshëm nga ai në të cilin ndodhet organizata terroriste, terroristi apo në të cilin është kryer apo do të kryhet vepra me qëllime terroriste.

Konventa e Kombeve të Bashkuara

Neni 230/a i Kodit Penal i propozuar për t’u ndryshuar përkufizon fondet në përputhje me paragrafin 1, të nenit 1 të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër financimit të terrorizmit. Konkretisht, përkufizon “fonde” gjithë ato asete të çdo lloji, materiale ose jo, të luajtshme apo të paluajtshme, pavarësisht nga mënyra e përftimit të tyre, si dhe dokumente ligjore e instrumente të çdo forme, përfshirë këtu mjetet elektronike ose dixhitale.

Raundi i 4-t për Shqipërinë

Shqipëria në vitin 2010 ka hyrë në raundin e katërt të vlerësimeve nga komitetit MONEYVAL. Në kuadër të këtij raundi, vitet 2010-2011 përbëjnë një periudhë përgjatë së cilës Shqipëria i nënshtrohet vlerësimit për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Në kuadër të këtij komiteti, këtë vit do të bëhet edhe vlerësimi i ekspertëve për këtë raund vlerësimesh për vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›