E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ siguron kutitë e votimit për zgjedhjet

17/03/2011  Vijon normalisht procesi përgatitor për zgjedhjet vendore të 8 majit

Ristani: Do të blejmë 3000 mijë kuti, të cilat do të shpërndahen në qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur dje që për zgjedhjet vendore të 8 majit të blejë 3 mijë kuti votimi të reja, jo 5500, siç kishte parashikuar të blinte më parë, të cilat do të shpërndahen për çdo qendër votimi. Pavarësisht mungesës së tre anëtarëve të opozitës, katër anëtarët e tjerë të këtij komisioni në mbledhjen e djeshme vijuan shqyrtimin e masave për përgatitjen e zgjedhjeve lokale të 8 majit. KQZ-ja bëri me dije se “kostoja e këtyre kutive do të jetë 57, 360 dollarë, ndërsa kostoja e transportit është 57,188 dollarë. Koha e prodhimit është nga 14 deri në 16 ditë, kurse koha e transportit është nga 7 deri në 9 ditë”. KQZ-ja në mbledhjen e radhës miratoi specifikimet dhe sasinë e nevojshme të kutive të materialeve zgjedhore që do që përdoren për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj. Dhe në zbatim të këtij vendimi administrata e KQZ-së ka kontraktuar me kompani të cilat sigurojnë kuti të materialeve zgjedhore dhe kompania e vetme që ka shprehur interesimin dhe që mund të plotësojë kushtet e përcaktuara në vendimin e mësipërm të KQZ-së është “Code Incorporated”. Kompania kanadeze ka bashkëpunuar edhe më parë me KQZ-në, e cila ka siguruar kuti votimi dhe materiale të tjera zgjedhore për KQZ-në që nga viti 2001.

Transparenca për ofertat

KQZ-ja theksoi dje se në përgjigje të kërkesës së saj kjo kompani ka bërë tri oferta mbi llojet e kutive dhe kostove të tyre. Pas shqyrtimit të dy ofertave të para, KQZ-ja ka vendosur të pranojë ofertën e tretë të bërë në lidhje me kutinë me përmasa 38 x 48 x 45 cm, ose 60 lekë, pasi kjo kuti i përshtaten më tepër kërkesave të KQZ-së dhe ndryshimi që është ofruar konsiston në ndryshimin e çmimit të transportit dhe kohës së prodhimit në rast të reduktimit të sasisë. Për këto arsye sasia e kutive të materialeve zgjedhore që do të sigurohen për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 8 majit është 3000 copë.

Organizimi i zgjedhjeve

Ndër të tjera KQZ-ja diskutoi për infrastrukturën zgjedhore, për regjistrimin e kandidatëve si dhe mbi konstituimin e KZAZ-ve. Në mbledhjen e djeshme grupet e punës të ngritura nga KQZ-ja raportuan se “është bërë regjistrimi i komiteteve nismëtare”. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, njoftoi se është bërë regjistrimi i 70 këshilltarëve bashkiakë.

Kostituimi

KQZ-ja njoftoi dje se është bërë regjistrimi i 66 kandidatëve të pavarur, të cilët zëvendësuan listat e kandidatëve që u takonin dy partive parlamentare të opozitës, PS-së dhe PBDNJ-së. Zëvendësimi i tyre me kandidatë apolitikë u bë pasi këto dy subjekte nuk dorëzuan në afatin e përcaktuar nga Kodi Zgjedhor listat e propozimeve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›