E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u ndanë votat në Gërdec, Ruzhdie, Dushk e Bushat

SHKRUAN: Dardan Malaj 30-06-2011 11:17

Secili ka historinë e tij. Kanë qenë njësoj të panjohur. Në momente të ndryshme janë kthyer në objekt polemikash publike dhe politike. Ajo çka e bashkon Ruzhdien, Dushkun, Bushatin dhe Gërdecin është publiciteti që u është bërë, paçka negativ apo pozitiv. Tre të parët i kemi dëgjuar më së shumti për probleme zgjedhore, ndërsa të fundin për tragjedinë e që u identifikua me të, e që mori jetën e dhjetëra shqiptarëve të pafajshëm. Po për kë kanë votuar qytetarët e këtyre katër fshatra më 8 Maj 2011 dhe si kanë ndryshuar votat në raport me zgjedhjet e fundit të vitit 2009.

Ruzhdia

Komuna Ruzhdia përmban pesë qendra votimi dhe në total ka pasur të regjistruar një numër prej 2272 zgjedhësish në lista. Më 8 Maj rezulton se kandidati i koalicionit të majtë, Agim Mesutaj, ka marrë 498 vota ndërsa kandidati i koalicionit të djathtë Pajtim Gllava, 835. Pavarësisht se kandidati socialist ka humbur, koalicioni i majtë në Ruzhdie është në avantazh, në raport me të djathtin, çka lë të kuptohet se ka pasur rrjedhje votash brenda të majtës. Konkretisht PS ka marrë 409 vota, PD 270, PBDNJ 112, PBK 111, PAA 109, PDS 80, PSD 62, PDK 61, PDIU 43, PR 36 dhe LSI 34. Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” mori 724 vota ndërsa koalicioni “Aleanca për Qytetarin” 603 vota. Në zgjedhjet e vitit 2009 në Ruzhdie, votat u ndanë sa më poshtë: PAA 36 vota, PBK 10, Partia Demokracia e re Europiane 4, Partia Demokratike 421, Partia e të Drejtave të Mohuara 1, PDI 16, Partia Republikane 4, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 10, Partia e Reformave Demokratike Shqiptare 1, Lëvizja Socialiste për Integrim 1, PBDNJ 9, PDS 7, G99 3, PSD 3 dhe PS 433 vota. Në total aleatët bashkë me PD morën 492 vota ndërsa aleatët bashkë me PS morën 455 vota.

Gërdeci

Fshati i Gërdecit ka vetëm një qendër votimi, atë me numër 1560, e cila ka pasur të regjistruar në total 380 votues në listat e 8 majit. Votuesit e kësaj zone zgjedhin për kandidatin e Bashkisë së Vorës, ndaj më 8 Maj u hodhën 94 vota për kandidatin e koalicionit të majtë Bashkim Haxhiu dhe 104 vota për kandidatin e djathtë, Fiqiri Ismaili. Në rezultatin e proporcionalit rezulton se Partia Socialiste ka marrë 76 vota, PD 72, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 18, Aleanca Demokratike 18, Partia Ardhmëria Shqiptare 17, Lëvizja Socialiste për Integrim 2, ndërsa partitë e tjera nuk kanë marrë asnjë votë. Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” ka marrë 93 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për Qytetarin” 92 vota dhe LZHK me 18 vota. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 rezulton se Partia Demokratike kryesonte me 120 vota dhe ndiqej nga socialistët me 76 vota. Më pas vinte Aleanca Demokratike, Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Ligj e Drejtësi me nga 3 vota. Tabela mbyllej me Partinë Demokracia e re Evropiane, atë demokristiane dhe Lëvizjen Socialiste për integrim që merrnin nga 1 votë.

Dushku

Komuna Dushk ka në total 12 qendra votimi dhe 8038 zgjedhës të regjistruar në listat e votuesve për në 8 maj 2011. Nga të dhënat zyrtare rezulton se kandidati i “Aleanca për të Ardhmen” Afrim Dedej ka marrë 2194 vota ndërsa rivali i djathtë që garonte për “Aleanca për Qytetarin” Bashkim Kadiu ka marrë 2010 vota. Në proporcional rezulton se PS ruan avantazhin e dukshëm me 1744 vota, PD ka 952, Aleanca Demokratike 288, Lidhja Demokristiane Shqiptare 233, Lëvizja Socialiste për Integrim 233, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet 233, Partia Socialdemokrate ka 189, Partia Republikane 103, Partia Demokristiane 86, Partia Socialiste e Vërtetë 91 me 53 vota, Partia Lëvizja e Legalitetit 12 vota dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me 6 vota. Koalicioni “AA” ka marrë 2078 vota ndërsa koalicioni “AQ” mori 2054 vota. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike ka marrë 1751 vota dhe koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste 1645 vota. Koalicioni i drejtuar nga LSI mori 188 vota, koalicioni i LZHK 24 vota.

Bushati

Komuna Bushat në Qarkun e Shkodrës ka 24 qendra votimi dhe numëron në total 16977 zgjedhës në listat e votimit. Në votimet e 8 Majit, kandidati Gojart Salja i “Aleanca për të Ardhmen” mori 2139 vota, ndërsa Zef Hila i “Aleanca për Qytetarin” mori 4949 vota. Në proporcional rezulton të jetë bërë kjo ndarje: Partia Demokratike 2595 vota, Partia Socialiste 1418 vota, Partia Republikane 795, Partia Demokracia Sociale 405, Lëvizja Socialiste për Integrim 393, Partia Demokristiane 314, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet 255, PBDNJ me 229 vota, Partia Aleanca Demokristiane 176, Partia Socialdemokrate 146, Balli Kombëtar Demokrat 139, Partia Socialiste e Moderuar ka marrë 102, Aleanca Demokratike 96, Balli Kombëtar 84, PLL me 43 vota, PAA me 29, Aleanca Arbnore 28 dhe LZHK ka marrë 18 vota. Në total rezulton se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mori 4605 vota dhe koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” 2413 vota. Në zgjedhjet e vitit 2009 rezultati ishte: PD dhe aleatët 4589 vota, LZHK dhe aleatët 152 vota, LSI dhe aleatët 137 vota dhe PS bashkë me aleatët 2693 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›