E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu për luftën kundër korrupsionit: Abuzuesit të ndëshkohen

Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë qofshin këta ushtarë, gjeneralë apo president, politikanë apo qeveritarë. Mesazhi i drejtpërdrejtë vjen nga përfaqësuesi i SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Qëndrimi i diplomatit amerikan u bë në konferencën “Korupsioni Rajonal”. Ndër të tjera, ambasadori Arvizu deklaroi se për të luftuar korrupsionin duhen përpjekje mbarëkombëtare.
 

“Për të luftuar korrupsionin duhen përpjekje mbarëkombëtare. Një nga gjërat që mund të them për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se edhe ne kemi patur dhe kemi probleme me korrupsionin. Nuk jemi imun ndaj korrupsionit, ai ndikon në shoqërinë tonë ashtu sikurse ndikon në shoqërinë e çdo vendi. Por e rëndësishme në SHBA është se, ne kemi ligje dhe qytetarët i rekpektojnë këto ligje. Dhe qytetarët e dinë se nëqoftëse merren me korrupsion, ata rrezikojnë të kapen. Por në Shtetet e Bashkuara nëqoftëse dikush kapet, do arrestohest, do t`i vihen prangat, do të gjobitet dhe burgoset. Në SHBA e dinë se mund të jesh një ushtar i thjeshtë në ushtri apo një general, mund të jesh zyrtar i lartë, madje dhe presidenti i vendit, por kurrkush nuk është mbi ligjin, të gjithë janë subjekt i ligjeve”, u shpreh Arvizu.
Ndërkohë, që kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit është edhe mospolitizimi.

Kryeministri Berisha e përcaktoi korrupsionin si një betejë të vështirë, por që mund të fitohet. “Lufta ndaj korrupsionit bëhet shumë e vështirë nëse ajo politizohet. Përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit janë të vazhdueshme. Përpara ligjit të gjithë janë të barabartë, por kjo luftë ka një të keqe, politizimin. Lufta ndaj korrupsionit është më e vështira, kjo është një temë qendrore dhe permanente, sepse nuk ka reformë që mund të ketë sukses pa luftën kundër korrupsionit. Jam dakord me ambasadorin, është duel permanent, i përjetshëm midis zbatimit të ligjit dhe këtij fenomeni, dhe duhet luftuar. Qeveria ime po bën përpjëkje shumë të mëdha për të luftuar .Duhet të marrim parasysh se antidoti më i rëndësishëm dhe më i mirë në këtë process është transparenca dhe duhet vullnet që të bëhet transparencë”, u shpreh ai.
 

Konferenca rajonale për luftën kundër korrupsionit, në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë që po mbahet në kryeqytet, u organizua nga qendra “Marshall”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›