E Shtunë, 31 Tetor 2026

As dënim, as falje për Ramën, thjesht përgjegjësi!

HENRI ÇILI 

“Dënim me kusht për Edi Ramën” propozon kryeredaktori i revistës “Mapo”, analisti Skënder Minxhozi, në numrin në qarkullim të revistës së tij. Në shkrim, më i miri i mundshëm, në rast se kahu i analizës do të drejtohej drejt idesë, “ka ndodhur çfarë ka ndodhur, t’i japim një shans të dytë Edi Ramës në krye të PS-së”,  që autori e koncepton tani e tutje, jo më si “martesë me dashuri” por një “kontratë të detajuar”. Por a ka sot arsye reale, që diskutimi i jashtëm rreth Partisë Socialiste, pasi në fakt PS  është sovrane në mënyrën si i bën debatet dhe i zgjidh punët e saj, të derivojë drejt të tilla termave patetike si “jo dënim kapital, por dënim me kusht”, apo “PS nuk mund të mos preket dhe dëmtohet nga një rotacion i mundshëm që vjen pas një humbjeje të rëndë në zgjedhjet e përgjithshme”? Nuk ka asnjë arsye. Jemi krejtësisht në kushtet e një humbje normale të një partie, e ngushtë por humbje, jemi në kushtet kur ideja e ndërprerjes së mandatit të kryetarit që humb zgjedhjet është evidente, jo thjesht si “precedenti Nano”, por edhe si detyrim i statutit të partisë që vetë Rama e ka sanksionuar. Përkundrazi, janë të paktën dy arsye pse Edi Rama duhet të mbajë fjalën, t’i bindet statutit dhe të mos i bëhet pengesë partisë së tij në këto ditë të vështira, por të largohet dhe të mbështesë me luajalitet liderin e ri të PS-së, që do të dalë nga një garë e gjerë dhe e ndershme. Garë, ku ai nuk ka sesi të rikonkurrojë sërish pasi gjoja e kërkon partia, e kërkon baza apo analiza nëpër organizata me të cilat vetë Rama do të gajasej së qeshuri dikur. Këto dy arsye kanë bëjnë njëra me moralin politik, tjetra me efikasitetin politik ose fatin për pushtet nesër të PS dhe së majtës.
Arsyeja e parë ka të bëjë me moralin politik. Rama duhet t’i bindet precedentit që e solli atë në krye të Partisë Socialiste, dorëheqjes së Nanos pas humbjes së zgjedhjeve pa konkurruar sërish në garën për kryetarin e ri. Nëse Nano do të sillej sipas parimit të “dënimit me kusht”, siç po i propozohet sot Ramës, ky i fundit nuk do të mund të ishte sot këtu, as politika e re dhe as fryma e Ramës. Ajo nuk do të kishte as shans të humbte, pasi nuk do të garonte dot. Por jo vetëm fuqia e papërballueshme e “precedentit Nano” kërkon që Rama të veprojë njësoj si paraardhësi i tij, por dhe mënyra më të cilën ai drejtoi dhe ndërtoi opozitën këto katër vjet, kërkojnë si evidencë largimin e tij. Vetëm kështu, në emër të kësaj përgjegjësie sot merr kuptim ajo që ai ka bërë dje, ashtu sikurse vetëm në emër të kësaj përgjegjësie që ai premtonte dje se do të mbante sot, socialistët ai pranuan, thuajse pa kushte, të gjitha paketat organizative, politike, të burimeve njerëzore, komunikative apo marrëveshje politike me kundërshtarin Berisha. Rama e kërkoi dhe e mori mbështetjen e partisë për rrugën e tij politike, vetëm në emër të këtij premtimi: që sot do të mbante përgjegjësinë. Ndaj nuk ka kuptim t’i kërkojë kush llogari Blushit, Malajt apo Ruçit pse “nuk e ndalën” apo “pse nuk e kundërshtuan”, kur pakti brenda partisë qe ndryshe: kompetencat dhe përgjegjësitë janë të kryetarit. Ndonjë që kundërshtoi, pasi ka pasur dhe të tillë është sot jashtë politike si puna e Petro Koçit. Edi Rama pati katër vjet opozitë komode, erdhi në krye të PS-së dhe i bëri rregullat e lojës nga e para, përfshi dhe nenin në statut që “mandati i kryetarit ndërpritet në rast humbjeje në zgjedhjet politike”, bëri me kundërshtarin Berisha Kodin Elektoral, që i voliti dhe bashkë më këtë ndryshimet kushtetuese, që i duheshin përmes kritikash të shumanshme e të pandërprera. Zgjodhi bashkë me Berishën KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor.
Procedimi politik që PS futi me Ramën në krye, apo që Rama futi në krye të PS-së, ishin një procedim prej partie moderne, partie uni-centrike, ku lideri ka gjithë pushtetin dhe nesër merr ose meritat e pushtetit ose përgjegjësitë e humbjes. Ky pakt, ky parim kërkon tani përmbylljen e tij: mbajtjen e përgjegjësisë nga lideri. Ky është një precedent, tashmë një vlerë e politikës shqiptare, që askush nuk ka të drejtë të na e mohojë, pasi nesër do t’i kërkojmë të njëjtën llogari partisë kundërshtare, PD-së, kur të gjendet në të njëjtat kushte. Së jashtmi këtë detyrim mund t’ia pretendojmë PS-së, në emër të rëndësisë së madhe që ajo ka për demokracinë shqiptare, si një prej dy forcave kryesore politike. Sepse kështu inkurajohet dialektika e elitës politike dhe rritet përgjegjshmëria e saj. Kush nga ata analistë apo faktorë të shoqërisë që deri dje ka trumbetuar largimin e liderit të partive të mëdha që humb zgjedhjet, apo që do të kish bërë namin nëse Berisha do të ishte humbësi, sot ka ndërruar mendim, le të deklarojë fundin e koherencës së tij. Dhe të ndërtojë shpjegimin e vet të ri pas koherencës së humbur.
Arsyeja e dytë, është efikasiteti politik. A është PS më efikase, më e suksesshme me Ramën sërish në krye apo me lidership të ri? As që do mend që një lidership i ri në krye të Partisë Socialiste krijon me shpejtësi kushtet për një reformim të përmbajtjes dhe taktikës politike, krijon një fabul dhe një moral të ri politik opozitar, shumëfishon shanset për sukses elektoral, aq më tepër kur si votë sasiore elektorati nuk i mungon së majtës. Një PS me Edi Ramën në krye, qoftë pa dhënë dorëheqjen, qoftë i rizgjedhur me “kërkesë nga baza”, do të ishte një proces i mundimshëm ringritjeje, kryesisht pa sukses, do të ishte një shpërthim real dhe i moralshëm i rivalitetit politik brenda partisë për “prishje të rregullave”. PS me të njëjtin lider do të kishte pamundësi për të ndryshuar imazh dhe për të ndërtuar atë fabul të re politike, për të cilën çdo opozitë ka nevojë. Kjo do të ishte një përpjekje sizifiane me Edi Ramën në krye, pasi tërësia e faktorëve politike në favor të tij, që më e mira e mundshme në 28 qershor. Më pas gjithçka është e prirur të degradojë në disfavor të tij. Ndaj një lideriship i ri i PS-së ka apriori shanse të lërë pas gabimet e Ramës, t’i korrigjojë ato pa kompleks, të ketë një moral të ri dhe të ndërtojë një opozitë tjetër. Një lideriship i ri, ka të drejtë të menaxhojë me moral më të shëndoshë kohezionin e faktorëve brenda PS-së, pasi ai nuk ka asnjë përgjegjësi ose ka përgjegjësie të dorës së dytë e më tej, për gjendjen aktuale dhe relacionale të faktorëve të së majtës sot, apo për marrëdhëniet e PS-së me grupe të tjera shoqërore dhe interesi që Rama nuk mundi ti bëjë mjaftueshmërisht me vete deri në kufirin e fitores.
Në politikë ka raste, dhe këto janë më të shumtat, kur morali dhe efikasiteti apo interesi politik shkojnë kundër njëri tjetrit. Në politike lejohet që interesi apo efikasiteti politik të kenë përparësi ndaj moralit. Në rastin e situatës në të cilën ndodhet sot PS-ja lidhur me debatin e saj për lidershipin dhe Edi Ramën, edhe morali dhe efikasiteti, madje dhe precedenti plus statutin shkojnë në të njëjtin drejtim: lidership i ri për PS-në. Kështu e do morali, kështu e do statuti, kështu e do precedenti, kështu e do efikasiteti i luftës së ardhshme politike.
Për Edi Ramën nuk duhet as dënim e as falje. Këto janë kategori jopolitike, madje janë kategori puniste, punizëm ndaj të cilit Rama luftoi shumë në krye të PS-së. Rama thjesht duhet të mbajë përgjegjësi. Jeta politike vazhdon, aq më tepër jeta tjetër, ajo jopolitike për Edi Ramën. Rama pati një bilanc pozitiv në reformimin e PS-së për të cilin shoqëria dhe PS duhet t’i jetë mirënjohës. Ai nuk arriti ta çojë atë në fitore, por arriti ta de-punistizojë përfundimisht atë. Një PS si e Edi Ramës është më e mirë se të gjitha PS-të paraardhëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›