E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, italianët eksplorojnë shpellën e Skotinisë

 

GJIROKASTER - Pasuritë natyrore dhe kulturore të Gjirokastrës, rikthejnë studiuesit italianë. Pas misionit të parë eksplorues, i realizuar në pranverën që shkoi në mjediset (katakombet) e Kalasë së Gjirokastrës, ku gjeti pasqyrim të gjerë në një dokumentar televiziv në RAI 2, radha i ka ardhur Shpellës së Skotinisë. Ajo ndodhet 10 km në jug të Gjirokastrës, ku buron nga thellësia uji i cili ka grykëderdhjen në liqenin e Viroit. Në qendër të kërkimeve nënujore të djeshme ka qenë rilevimi dimensional dhe hidrogjeologjik për të kuptuar shtrirjen dhe tipologjinë e shpellës ku ndodhet burimi, si dhe të baseneve nënujore, prej të cilave ajo furnizohet me ujë. Ekspedita është drejtuar nga specialisti i njohur italian Mario Mazzoli, Drejtor i Përgjithshëm i ASSO (Archeologia, Subacqua, Speleologia e Organizzazione). Sipas tij, kjo ekspeditë ka realizuar mjaft zhytje në Gjirin e Vlorës dhe tek Syri i Kaltër. Sipas Mazzolit, studiuesit dhe zhytësit javën që vjen do të fillojnë eksplorimet arkeologjike nënujore në Gjirin e Vlorës, në kuadër të Projektit “Liburnia- Arkeologjia nënujore në Shqiperi” dhe jo pa arsye misioni në Shqipëri për sezonin e verës filloi me zhytjen dhe studimin e shpellës së Skotinisë. Me kërkimet e realizuara dje, misioni ka si objektiv të nxjerrë elementë të rinj të pa njohura më parë përmes eksplorimeve nënujore dhe rilevimeve të përmasave hidrogjeologjike. Këto do të ndihmojnë specialistet për të kuptuar shtrirjen dhe tipologjinë si të shpellave, por edhe baseneve ujëmbledhëse nëntokësore në Rajonin e Gjirokastrës.        p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›