Asambleja Kombëtare: Më 30 prill nis protesta e madhe në Tiranë
Opozita u rikthehet protestave javën e ardhshme, duke filluar nga rrethet e vendit, ndërsa më 30 prill do të zhvillohet protesta më e madhe në Tiranë, ku do të marrin pjesë militantë të partisë nga rrethet. Ndryshimet statutore do të diskutohen më 18 prill në Kongresin e PS-së. Këto vendime u konfirmuan nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, pas mbledhjes së djeshme të Asamblesë së PS-së. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë pjesëmarrës në Parlamentin shqiptar vetëm, e theksoj vetëm, për të shfrytëzuar çdo hapësirë parlamentare për të çuar përpara transparencën e zgjedhjeve të mohuar në mënyrë jodemokratike, aspak kushtetuese, aspak procedurale e aq më pak pa vullnet politik të maxhorancës aktuale për transparencën e zgjedhjeve, të thellë, të plotë dhe të gjithanshme”, - u shpreh Ruçi. Ai theksoi se Asambleja përshëndet gjithë mbështetjen e dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për kauzën jo vetëm të PS-së dhe të grupit të saj, por të të gjithë elektoratit shqiptar lidhur me transparencën e zgjedhjeve. Gjithashtu, Ruçi tha se njëherësh Asambleja Kombëtare u bën dhe njëherë apel të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të vazhdojnë gjithë përpjekjet dhe mbështetjen e tyre për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.
Deklarata
Kreu i Grupit deklaroi se PS-ja, nga pikëpamja procedurale, do të shfrytëzojë çdo hapësirë procedurale që lejon që PS-ja të ngrejë kauzën për transparencën e zgjedhjeve dhe që lejon ngritjen e komisionit hetimor, ashtu sikurse do të kërkojnë që në mënyrë demokratike të krijohen hapësira plus për ngritjen dhe mbrojtjen e kësaj kauze. “Çdo seancë parlamentare ka hapësira për të kërkuar në zgjidhjen e kauzës sonë për transparencë. Nuk ka normalitet të veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe nuk ka çështje të tjera për Grupin Parlamentar të PS-së pa zgjidhur krizën politike dhe transparencën e zgjedhjeve”, - u shpreh Ruçi.
Statuti
Më datë 18 prill do të mbahet Kongresi i PS-së, në të cilin do të diskutohen ndryshimet statutore shumë të debatuara edhe nga deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Kryetari i Grupit të socialistëve deklaroi se ka një grup pune që ka punuar prej 7 muajsh, ndryshimet që do t’i paraqiten Kongresit janë gati. Ruçi saktësoi se Asambleja Kombëtare e Partisë do të rithirret brenda 10 ditësh, ku do të shqyrtojë këto ndryshime programore dhe statutore. Në Kongresin e shkuar deputetët e LMN-së i paraqitën një paketë propozimesh, ku evidentoheshin 10 ndryshimet statutore. Por kjo paketë nuk u fut në axhendën e kongresit të kaluar. Kjo paketë është hartuar nga 5 deputetët e LMN-së, të cilët kryesohen nga deputeti Ben Blushi. Paketa "Blushi" përmban dhjetë pika, duke synuar ndryshimin e shumë prej neneve të tij. Platforma synon zgjerimin e hapësirave demokratike, të cilat, sipas kritikëve të Ramës, janë ngushtuar ndjeshëm nga ky i fundit. Ndryshimi i Statutit në nenin që nuk qartëson rikandidimin e kryetarit të partisë, në rast të dorëheqjes duket se do të jetë një prej pikave më të nxehta në Kongresin e Jashtëzakonshëm, pasi platforma kërkon rikonceptim për të drejtën morale për rikandidim. Një tjetër pikë synon që të rriten kompetencat e kongresit. Në të thuhet se kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen. Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.
29 Mars 2010