E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja “Mjaft!” shprehet e shokuar nga demonstrimi i hapur racist i ushtrisë greke përballë institucioneve më të larta të vendit fqinj. “Tonet ksenofobe dhe thellësisht fyese të forcave ushtarake hel

Reagojnë anëtarë të qeverisë, struktura ushtarake dhe ambasadori Pazios

Albert Gjoka, Eljona Ballhysa

ATHINË/TIRANË – “Njerëz pa mend na nxinë festën kombëtare”. Ky ka qenë reagimi i bërë nga një prej anëtarëve të qeverisë së Athinës pas denoncimit të akteve skandaloze të disa prej forcave speciale të Marinës greke. Duke iu referuar burimeve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, edhe përfaqësuesi diplomatik i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios, kërkoi ndjesë për gjestin e bërë nga forcat ushtarake. Sipas mediave në vendin fqinj, ministri i Mbrojtjes së Greqisë bëri të ditur dje se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë. Ndër të tjera është kërkuar që të zhvillohet një seancë në Parlamentin grek për thirrjet raciste dhe ksenofobe. Rikthimi i toneve ekstremiste nacionaliste vjen në kohën kur qeveria shqiptare i bëri dhuratë Greqisë ngritjen e varrezave greke, por edhe në momentin kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi paktin Berisha-Karamanlis për ndarjen e vijës kufitare detare mes dy vendeve.

Reagimet në Athinë
Ministri i Rendit në Greqi urdhëroi hetimin e menjëhershëm të incidentit të ndodhur më 25 mars gjatë paradës së Forcave Speciale të Marinës greke, të cilët bënë thirrje antishqiptare. Duke iu referuar incidentit të rëndë, ministrit grek i Rendit, Hrisohoidhis, bëri publike një deklaratë me të cilën kërkon hetimin e ngjarjes dhe ndëshkim të autorëve. Ministri i konsideron personat që thirrën në kor kundër shqiptarëve, turqve e maqedonasve, “njerëz pa mend që nxinë festën kombëtare me parulla raciste dhe ksenofobe”. Ministri i Rendit kërkoi gjithashtu një diskutim në Parlament për ngjarjen.
Mediat greke bënë të ditur dje se ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve, Michalis Chryssochoidis, i cili vetëm pak ditë më parë bëri një vizitë zyrtare në Tiranë, ka deklaruar se “kanë filluar hetimet”.

Falja e ambasadorit
Ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, i ka kërkuar dje ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, falje zyrtare në lidhje me skandalin e videos raciste greke dhe ksenofobe ku Forcat Speciale të Ushtrisë lëshuan thirrje antishqiptare gjatë paradës me rastin e festës kombëtare të Greqisë. “Do të hetojmë ngjarjen dhe skandali do të dënohet ashpër”, - ka deklaruar ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, në një letër “faljeje” që në emër të qeverisë greke i ka dërguar ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Ambasadori grek mësohet të ketë deklaruar se qeveria në Athinë do t’i shkojë deri në fund hetimit duke ndëshkuar dhe autorët sipas ligjeve në fuqi.

Roja bregdetare
Në morinë e reagimeve është bashkuar edhe sekretari Ekzekutiv i Rojës Bregdetare greke, duke deklaruar se “e dënojmë ashpër sjelljen e papranueshme të një grupi të vogël të trupave amfibe të Rojës Bregdetare, të cilët, me qëndrimin e tyre gjatë paradës së 25 marsit, ose nga naiviteti për të cilin shpresojmë, ose nga pozicioni i tyre, diçka të cilën as duam ta imagjinojmë, krijuan probleme serioze si për kolegët e tyre në radhët e forcave amfibe, ashtu edhe për Rojën Bregdetare”, - tha ai.

“Por, ky incident i vetëm, - vijon deklarata, - nuk pasqyron Forcat Komando të Shkatërrimit Nënujor në tërësi, të cilët përbëjnë elitën e Rojës Bregdetare”. “Ata ofrojnë shërbime të nivelit të lartë në situata të tilla si p.sh. lirimin e pengjeve, neutralizimin e pajisjeve shpërthyese etj. Duke përfunduar përsërisim edhe njëherë se roli i Federatës sonë është të mos lejojë fenomene të tilla në radhët e trupave të Rojës Bregdetare, që luftojnë në kushte shumë të vështira për të kryer detyrën”, - tha ai.
Për herë të parë Greqia zyrtare ka reaguar kaq shpejt në lidhje me aktet raciste dhe ksenofobe. Para pak vitesh u publikua një tjetër video e ushtarëve grekë, të cilët këndonin në kor këngën, ku thuhej: “Me zorrët e tyre (shqiptarëve) do të bëjmë lidhëse këpucësh”. Me gjithë denoncimet, askush nuk mori masa për t’i ndëshkuar ushtarët që bënin thirrje të tilla raciste. Edhe në raportet e ndërkombëtarëve, sidomos në monitorimet e bëra nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, konstatohet se Greqia mbetet ndër vendet me përhapje të theksuar të fenomeneve të tilla si racizmi, ksenofobia dhe diskriminimi. Tensionimi i situatës në Greqi dhe lëshimi i thirrjeve ekstremiste vjen në momentet e dëshpërimit të qytetarëve grekë për shkak të krizës ekonomike dhe raporteve të tensionuara që Athina ka me fqinjet e saj, Maqedoninë dhe Turqinë.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›