E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori grek kërkon falje zyrtare për skandalin e videos raciste



Ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, i ka kërkuar dje ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, falje zyrtare në lidhje me skandalin e videos raciste greke dhe ksenofobe ku forcat speciale të Ushtrisë lëshojnë thirrje antishqiptare gjatë paradës me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë. “Do të hetojmë ngjarjen dhe skandali do të dënohet ashpër”, - ka deklaruar ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, në një letër “faljeje” që në emër të qeverisë greke i ka dërguar ministrit të Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Ambasadori grek mësohet të ketë deklaruar se qeveria në Athinë do t’i shkojë deri në fund hetimit duke ndëshkuar dhe autorët sipas ligjeve në fuqi.
Falja
“Pas reagimit të zv.kryeministrit, ministrër i Punëve të Jashtme, z.Ilir Meta, në lidhje me incidentin e disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke, të cilët kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinjë, ambasadori i Republikës së Greqisë, z.Nikolaos Pazios, i ka konfirmuar zotit Meta vendosmërinë e qeverisë greke për të dënuar skandalin dhe ndëshkimin e ashpër të autorëve. Ambasadori Pazios i ka shprehur z.Meta ndjesën e qeverisë greke për çfarë ka ndodhur dhe e ka siguruar se autoritetet kompetente greke do t`i shkojnë hetimit të këtij incidenti deri në fund, duke ndëshkuar edhe autorët e tij”, - shkruhet në njoftimin për shtyp. Njoftimi i Ministrisë së Jashtme vazhdon më tej duke shtuar se zoti Meta vlerësoi reagimin e Athinës zyrtare dhe deklaron se ndan të njëjtin mendim se ekstremistët duhen ndëshkuar. Meta është shprehur i sigurt se pavarësisht këtyre incidenteve, marrëdhëniet mes dy vendeve do të përparojnë. “Z. Meta, pasi ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm e të vendosur të qeverisë greke, ka theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë do të vazhdojnë të përparojnë dhe të forcohen më tej”, - përfundon njoftimi.
Reagimi
Kjo është hera e parë që qeveria greke kërkon falje për incidentet dhe rastet e racizmit kundër shqiptarëve. Edhe ambasadori shqiptar në Greqi, Vili Minarolli, ndërsa e ka cilësuar aktin të shëmtuar ka vënë në dukje se ky akt u dënua menjëherë nga autoritetet, media dhe shoqëria greke. “Dua të vë në dukje reagimin e menjëhershëm të të gjitha institucioneve greke, të mediave greke dhe të shoqërisë greke. Është qëndrimi i ministrit që e ka në varësi këtë repart ushtarak dhe qëndrimi i vetë Sindikatës së Rojeve Bregdetare. Ky akt i shëmtuar konsiderohet i tillë edhe për vetë këta që e bënë dhe e dënojnë tërësisht. Ata e vlerësojnë si një akt i veçantë i një grupi të vogël njerëzish që nuk ka të bëjë as me politikën, as me qëndrimin e tyre ndaj një vendi mik siç është Shqipëria. Veprimi konsiderohet si një turp për grekët dhe në një farë mënyre, nëpërmjet qëndrimeve dhe veprimeve të tyre, është një kërkesë faljeje për atë çka bënë shokët e tyre, kolegët e tyre”, - tha Minarolli.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›