E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: “Incidenti i ushtarëve grekë, akt skandaloz dhe i dënueshëm”



Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka reaguar dje në lidhje me videon raciste të ushtarëve grekë duke e cilësuar atë një akt skandaloz dhe të dënueshëm. Ministri i Jashtëm, nëpërmjet zëdhënësit për shtyp, i cilësoi thirrjet antishqiptare të ushtarëve grekë si një akt të rëndë provokues. Ai ka shprehur indinjatën e thellë për këtë ngjarje të rëndë që vjen në kundërshtim të plotë dhe që nuk i përgjigjet nivelit të marrëdhënieve të dy shteteve fqinje që janë dhe anëtare të NATO-s.
Deklarata
“Pasi u njoh përmes burimeve mediatike me aktin e rëndë të datës 25 mars, ku gjatë një parade zyrtare me rastin e festës së Republikës së Greqisë, disa prej anëtarëve të forcave të armatosura greke kanë hedhur slogane fyese, ekstremiste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinj, deklaron se zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e dënon incidentin e ushtarëve grekë dhe e konsideron atë një akt skandaloz dhe të dënueshëm. Zoti Ilir Meta insiston në domosdoshmërinë për ndëshkimin e autorëve të këtij akti të rëndë provokues dhe thekson se ekstremistët duhen izoluar kudo qofshin ata. Ministri i Punëve të Jashtme shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e rëndë, e cila vjen në kundërshti të plotë dhe nuk i përgjigjet aspak vullnetit politik dhe nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve mes vendeve e popujve tanë fqinj, si dy shtete anëtare të NATO-s. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerëson gatishmërinë e autoriteteve greke për t`u distancuar nga kjo ngjarje skandaloze dhe mirëpret angazhimin e menjëhershëm dhe konkret nga ana e tyre për t`u dhënë autorëve ndëshkimin e merituar jo thjesht dhe vetëm për të dënuar autorët e ngjarjes së rëndë, por që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”, - është shprehur dje zëdhënësi për shtyp i Ministrisë së Jashtme.
Ngjarja
Ushtria greke shënoi dy ditë më parë skandalin e radhës në manifestimet zyrtare të mbajtura me rastin e Ditës së Pavarësisë. Gjatë parakalimeve në festën kombëtare të Greqisë, ushtarët grekë kanë lëshuar thirrje raciste kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun do të derdhim o derr shqiptar!”. Kjo ka qenë një nga thirrjet gjatë manifestimit në Ditën e Pavarësisë në Greqi. Dhe sikundër komentoi “Elefterotipia”, gazeta më e madhe greke, thirrjet skandaloze erdhën në qendër të Athinës jo nga anëtarët e demonstruesve Hrisi Avgji, por nga Forcat Speciale Zhytëse në Universitetin “Shën Konstandini”, në paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit.
Gjithçka ka ndodhur në qendër të kryeqytetit grek, Athinë. Forcat Speciale të Ushtrisë greke (ΟΥΚ), zhvilluan paradën zyrtare ushtarake të 25 marsit. Ndërkohë që parakalonin sipas procedurës, ka shpërthyer mes tyre kënga “Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim mor derr shqiptar”. Këto dhe të tjera thirrje rrëqethëse u dëgjuan dy ditë më parë në mes të Athinës. Thirrja tjetër e këngës horror ishte: “Do të bëhet kasaphanë, pastaj do të hakmerrem, kur të adhuroni kishën dhe kryqin”. Më tej vijuan dhe frazat për ne shqiptarët dhe për fqinjët e tjerë: “U thonë shkupjanë, u thonë shqiptarë, rrobat e mia do të qep me lëkurën e tyre”. Dëshmitarët treguan se thirrjet u përkrahën edhe nga njerëz të politikës greke, të cilët ndoqën paradën ushtarake së bashku me qytetarët grekë. “Një prej burrave politikanë madje u priu Forcave Speciale duke thirrur dhe ai së bashku me ta e duke u paraprirë atyre me thirrje i pari”, - raportoi “Elefterotipia”. Menjëherë pas bërjes publike të këtij skandali, ka reaguar Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Roja Bregdetare, të cilat kanë pranuar se ishin forcat e saj që u përfshinë në këtë ngjarje të rëndë antishqiptare dhe kanë identifikuar ushtarakun e lartë që u priu parullave raciste antishqiptare. “Lidhur me sloganet raciste të shprehura më 25 mars nga një grup i Rojës Bregdetare me uniformë gjatë paradës ushtarake për të festuar përvjetorin e festës kombëtare, njoftojmë vendimin se shefi i OS (Rojet Bregdetare), zëvendësadmirali Athanasios Bousiou, urdhëroi fillimin e hetimeve administrative nga zyrtarë të saj për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes”, - thuhet në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Ministria për Mbrojtjen e Qytetarëve.

Idrizi: “Qeveria greke të distancohet nga aktet e përsëritura të racizmit”

Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i pranishëm në protestën e organizuar kundër racizmit grek, u shpreh dje se ky manifestim u krye për të shprehur indinjatën e thellë për këtë gjest të shëmtuar. “Shprehim indinjatën tonë të thellë për gjestin e shëmtuar, i cili nuk u shërben marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Gjesti vjen në një ditë si Dita e Pavarësisë së Greqisë, kur ne nuk e prisnim, por prisnim një falënderim për çamët që ishin në krye të luftës për pavarësinë e Greqisë, si Marko Boçari, Kiço Xhavella e të tjerë. Ne i kërkojmë qeverisë greke të distancohet nga aktet e përsëritura. Qeveria shqiptare, në mënyrë të qartë, të mbajë qëndrim dhe të kërkojë shpjegim. I kërkojmë presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe të gjitha forcave politike të ruajnë identitetin shqiptar dhe të hapin në tryezën e bisedime çështjen çame”, - deklaroi Idrizi.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›