Lëvizja “Mjaft!”: Qeveria shqiptare të heqë dorë nga politika servile ndaj fqinjëve
Lëvizja “Mjaft!” shprehet e shokuar nga demonstrimi i hapur racist i ushtrisë greke përballë institucioneve më të larta të vendit fqinj. “Tonet ksenofobe dhe thellësisht fyese të forcave ushtarake helene janë dëshmi e qartë e një racizmi të skajshëm që manifestohet jo vetëm ndër individë e grupime të shkëputura të shoqërisë greke, por tashmë në formë të organizuar në rang institucional”, - cilësohet në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizjeje. Sipas lëvizjes “Mjaft”, “tone të tilla ksenofobie jo vetëm që nuk i shërbejnë miqësisë dhe bashkëpunimit mes fqinjëve, por mbjellin fara urrejtjeje dhe shkaktojnë destabilitet në rajon, si dhe vënë në pikëpyetje standardet e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian për sa kohë që një anëtar i kësaj bashkësie fyen dhe denigron fqinjët e tij, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë. E bën këtë ngjarje edhe më skandaloz fakti që forcat ushtarake të një vendi anëtar të NATO-s i drejtohen me kërcënime makabre vendeve partnere të Aleancës. Në këtë çast të rëndë ne nuk mund dhe nuk duhet të mjaftohemi me shkarkime selektive në radhët e ushtrisë dhe as me deklarata formale në nivel ambasadorësh. Është e domosdoshme që më së pari, vetë autoritetet më të larta të shtetit fqinj të shprehen qartazi dhe pa ekuivok për këtë çështje, si dhe të ndëshkojnë fajtorët sipas ligjeve në fuqi. Si rrjedhojë, duhet që institucionet më të larta qeverisëse të Greqisë të tregojnë gatishmëri të lartë bashkëpunimi dhe aftësi për të parandaluar përsëritjen e të tilla akteve poshtëruese, tashmë të kthyera në rutinë. Gjithashtu, përgjegjësia bie edhe mbi qeverinë shqiptare, apatia dhe servilizmi tradicional i së cilës në mbrojtje të interesave të vendit i ka hapur rrugën çdo lloj nëpërkëmbjeje të dinjitetit kombëtar dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë tonë që të marrë rolin e domosdoshëm në garantimin e të drejtave themelore të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, si dhe të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në marrëdhëniet dypalëshe”, - bëjnë të ditur drejtuesit e “Mjaft!”-it.
29 Mars 2010