E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj në Bulqizë: “Qeveria po i shtyn minatorët drejt vdekjes”



G99-a ka zhvilluar prezantimin publik në qytetin e Bulqizës, në një takim me minatorë dhe qytetarë të tjerë. Duke folur në këtë takim, Erion Veliaj tha se qeveria i ka lënë minatorët në një gjendje të mjerueshme, me miniera që i zënë nën vete dhe pa spitale ku të kurohen. "Si ka mundësi që anestezistët duhet të vijnë nga Tirana, që spitali nuk ka kushte për të shpëtuar jetët e minatorëve dhe për më tepër morgu nuk ka ujë të lajë xhenazet? Kur vdes një minator, ai nuk është as i majtë, as i djathtë, por babai i një fëmije, gjyshi i një nipi ose mbese, familjari i dikujt. Sot në Shqipëri kemi shumë më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa që na ndajnë. Nuk kanë mbaruar në qytet talentet lokale që interesat e tyre të përfaqësohen nga politikanët e Tiranës, të cilëve qeveria ua gjen lekët për t’i pajisur me benza dhe tuaregë”, - tha Veliaj. Kreu i G99-s përgënjeshtroi deklaratat e kryeministrit, sipas të cilit Shqipëria ka ndryshuar për mirë. Veliaj tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, sepse ndryshimi që ka pësuar vendi gjatë qeverisjes “Berisha” ka qenë për keq. “Dje kryeministri ynë na tha se Shqipëria po ndryshon. Dhe ne jemi dakord. Po ndryshon për keq dhe tani kemi nevojë që të ndryshojë për mirë. Ne nuk jemi këtu për të sharë politikanë, siç bëjnë qeveritarët rëndom, por për t’ju ftuar të bashkohemi dhe të organizohemi për të ndryshuar Shqipërinë, këtë radhë për mirë", - vijoi Veliaj. Takimi është përshëndetur dhe nga përfaqësuesi i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, i cili theksoi nevojën për bashkimin e shumë zërave për të sjellë ndryshimin. Xibri i ftoi minatorët të jenë më të organizuar dhe më aktivë në mbrojtje të interesave të tyre primare për sigurinë e jetës dhe statusin.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›