E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha-Gruevski vendosin ndërtimin e linjës hekurudhore “Shqipëri-Maqedoni”



Kryeministri Berisha është takuar dje me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski. Megjithëse ishte i pranishëm në veprimtaritë festive me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, kryeministri Berisha ka arritur të marrë konfirmimin e kryeministrit maqedonas për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë. Ndër të tjera në këtë takim u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe u diskutua rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Kryeministri Berisha u shpreh se “një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim është se të dy qeveritë do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. Qeveria maqedonase është marrë me përcaktimin e trasesë dhe shpronësimet, ndërsa Shqipëria ka tre-katër kilometra të mbetura dhe ne do përpiqemi që brenda vitit 2009 ta kompletojmë detyrimin tonë”. Gjatë takimit, të dyja palët shprehën interesin e tyre për një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat, në luftën kundër kriminalitetit, përgatitjen e një kuadri të ri ligjor, për një marrëveshje të re për menaxhimin e ujërave të përbashkëta, mbrojtjen e tyre, kontrollin e integruar të kufijve, pikat e reja doganore etj. Kryeministri Berisha, duke shfrytëzuar këtë takim, i shprehu kryeministrit Gruevski falënderimet për ceremoninë që u organizua dje në kryeqytetin e Maqedonisë për një nga ngjarjet më të mëdha e më rrezatuese në historinë e kombit shqiptar, 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe alfabetit shqiptar.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›