E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Vlorës, të Kukësit, Lezhës, Shkodrës, Sarandës e Bathores, që marrin tapitë

“Albania” boton të plotë listën e banorëve që përfitojnë lejen e legalizimit. Pas shlyerjes së detyrimeve financiare, këta banorë ligjërojnë objektin pa leje

Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit ka përfunduar dosjet e banorëve të disa zonave informale në qytetin e Vlorës, Kukësit, Lezhës, Shkodrës, Sarandës e Bathores. Më poshtë, gazeta “Albania” boton të plotë listën e banorëve të këtyre zonave që përfitojnë lejen e legalizimit për objektet e ndërtuara pa leje. Në qytetin e Vlorës janë bërë gati dosjet me dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor për banorët e Orikumit dhe Berdeneshit. Janë gati dhe dosjet e banorëve që kanë ndërtuar pa leje në qytetin e Sarandës. Në qytetin e Lezhës ka përfunduar dokumentacioni i nevojshëm për zonën e Marlekajt, ndërsa në Shkodër zona e Bahçallëkut dhe disa blloqe të tjera informale. Në qytetin e Tiranës vazhdon lista e banorëve që kanë ndërtuar pa leje në Bathore.
Për këta banorë është përfunduar dokumentacioni tekniko-ligjor, është kryer verifikimi i dokumentacionit dhe verifikimi në terren i objektit pa leje dhe dosja ka shkuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas nëndrejtorit të Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, shumica e këtyre banorëve e kanë paguar faturën financiare për truallin e zënë dhe brenda një muaji pritet të pajisen me lejen e legalizimit. Banorët, të cilët nuk kanë paguar faturën financiare, duhet të paguajnë në bazë të sipërfaqes dhe çmimeve që janë parashikuar në ligjin e legalizimeve. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë të rinj. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë të rinj; për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë; për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë dhe për sipërfaqe deri në 300 m2, banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Përveç pagesës për truallin e zënë nga ndërtimi informal, banorët do të paguajnë dhe tarifën e shërbimit për të gjithë dokumentacionin që përgatitet nga ALUIZNI. Tarifa e shërbimit do të kushtojë 4 mijë lekë dhe kjo vlerë është e pandryshueshme, pavarësisht sipërfaqes së ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit informal.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›