E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefer: Vendimi për Shqipërinë, fillimi i një faze të re

 

Shqipëria dhe Kroacia kanë firmosur zyrtarisht dje ftesën për t'u anëtarësuar në NATO

TIRANË- Ashtu siç pritej Shqipëria dhe Kroacia kanë firmosur zyrtarisht dje ftesën për t'u anëtarësuar në NATO, e cila është miratuar nga 26 vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut. Këtë e ka lajmëruar i pari sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Scheffer, duke thënë se samiti vendosi të dorëzojë dy ftesa për anëtarësim dhe njoftoi se vendimi për Maqedoninë është shtyrë për një kohë të mëvonshme, duke qenë se shteti fqinj nuk ka zgjidhur ende mosmarrëveshjet për emrin me Greqinë. "Shqipëria do të marrë sot ftesën e anëtarësimit në NATO, ndërkohë që emrit të saj do t'i bashkëngjitet edhe Kroacia, ndërsa ndjej keqardhje për Maqedoninë, e cila nuk mund të marrë këtë ftesë për shkak të emrit"- deklaroi ai. Por, çfarë do të thotë për kreun e Aleancës së Atlantikut marrja e ftesës për anëtarësim për Shqipërinë? Kjo, sipas tij, nuk shënon fundin e një procesi, por fillimin e një faze te re zhvillimi, dhe e njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë. "Marrja e ftesës për të hyrë në NATO ka shënuar kalimin e një pragu të rëndësishëm drejt rrugës së Shqipërisë për t'u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike. Por, kjo ftesë nuk duhet të shikohet si fundi i një procesi. Ajo shënon fillimin e një faze të re në zhvillimin e Shqipërisë", është shprehur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ndërsa bëri publik vendimin për dhënien e ftesave për Shqipërinë dhe Kroacinë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota te Aleancës. Vendimi për t'u dërguar ftesa për anëtarësim dy vendeve të Kartës së Adriatikut ishte thuajse i marrë dhe samiti i Bukureshtit vetëm sa bëri zyrtarizimin e tij. Kjo është dukur hapur në deklarimet e zyrtarëve të NATO-s dhe të përfaqësuesve të qeverive anëtare të Aleancës, ku është shprehur optimizmi për zgjerimin e saj.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›