Topi: Ftesa, angazhim madhor ndaj vendeve të aleancës
Presidenti Topi tha se reformat e realizuara në vend janë kontribut i të gjitha forcave politike
Bukuresht- Ashtu siç ishte paralajmëruar dy ditë më parë, Shqipëria mori zyrtarisht dje ftesën për anëtarësimin në NATO. Një ftesë që për Shqipërinë nënkupton përmbushjen e reformave të rëndësishme në vend, për të kaluar më pas në aktin final, atë të anëtarësimit të saj në aleancën më të madhe ushtarake. Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar dje në Samitin e NATO-s të mbajtur në Bukuresht se Shqipëria nënshkruan aktin më të rëndësishëm në historinë e tij. "Sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit; Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin ku, jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës",- tha dje Topi. Pikërisht për këtë arsye, Presidenti falënderoi të gjitha ato vende mike, të cilët besuan në kërkesën dhe dëshirën e sinqertë euroatlantike të popullit shqiptar dhe e mbështetën atë. "E gjithë shoqëria shqiptare, e gjithë politika shqiptare, mediat dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Shqipëri, janë të vendosur dhe të përgjegjshëm për të mbështetur anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Shqipëria ndodhet tashmë në rrugën e saj të pakthyeshme për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të së drejtës. Ne jemi të vendosur të mos ndalemi përpara kësaj sfide, në emër të një të ardhmeje më të mirë, më të sigurt dhe më të begatë për fëmijët tanë, ku çdo sakrificë është e përligjur", tha ai. Ndryshe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli apo deri diku edhe Kryeministrit Sali Berisha, Presidenti i Republikës ka theksuar se reformat e realizuara në vend janë kontribut i të gjitha forcave politike, i të gjitha qeverive, por mbi të gjitha i vetë popullit shqiptar. "Reformat e rëndësishme politike dhe ekonomike në Shqipëri, reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve, reformat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat janë kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, por sidomos i vetë popullit shqiptar, janë procese të pandalshme, të qenësishme dhe të domosdoshme edhe për një vend anëtar të Aleancës. E konsideroj vendimin që Aleanca mori sot për Shqipërinë si një vlerësim dhe besim ndaj të gjithë angazhimit të deritanishëm, serioz dhe shumëplanësh të vendit tim dhe si një angazhim madhor që ne kemi si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu dhe ndaj popullit shqiptar", tha ai. Presidenti Topi shtoi se Shqipëria është e gatshme të bëhet pjesë e rëndësishme e politikave të sigurisë dhe demokracisë së Aleancës si në planin rajonal dhe në atë global. Po dje, i pyetur nga mediat shqiptare mbi detyrimet që i dalin politikës shqiptare, Presidenti Topi u shpreh se imediate do të jetë bashkëpunimi pozitë – opozitë për çështjet e reformës zgjedhore, në mënyrë që të realizohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara.