Ylber Gjini, Skarpia i Ballkanit
Sapo është kthyer nga Maqedonia ku luajti në operën "Toska" e po përgatitet për "Trovatoren". Baritoni Ylber Gjini tregon për rolet e fundit dhe atmosferën e pafavorshme në Teatrin e Operës dhe Baletit
Atje është si i shtëpisë. Maqedonët e quajnë si të vetin, madje shkojnë edhe më larg. Mediat e kanë quajtur "Skarpia i Ballkanit". Baritoni Ylber Gjini sapo është kthyer nga Shkupi, ku interpretoi suksesshëm rolin e Skarpias. Teksa ndien ende duartrokitjet e gjata të spektatorit maqedonas, po përgatitet për rolin e Kontit Di Luna në operën "Trovatore" të Giuseppe Verdit, që shfaqet në datën 6 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një rol impenjativ, që fatkeqësisht duhet ta përgatisë në një situatë jo fort të qetë në teatër. Si një bariton me 20 vjet eksperiencë, Gjini thotë se artistët ndihen të fyer nga draft-reformat tendencioze dhe drejtuesit e paaftë që kanë në krye.
Sapo jeni kthyer nga Maqedonia, ku interpretuat në operën "Toska", si shkoi?
Interpretova rolin e Skarpias në operën "Toska" në krah të këngëtarëve të shquar nga Ballkani. Kjo nuk është hera e parë që e luaj këtë rol në Maqedoni. Pa modesti mund t'ju them se prej vitit 1995, kur e interpretova këtë rol për herë të parë, Teatri i Shkupit nuk ka preferuar tjetër bariton në këtë rol. Megjithatë mund t'ju them se ky ishte Skarpia "më i mirë" që kam interpretuar deri më sot. Këtë nuk e ndjeva vetëm nga reagimi i publikut, i cili më mbajti 10 minuta me duartrokitje në skenë, por edhe zëri i brendshëm më thoshte se ky personazh është pjekur tani tek unë.
Pas këtyre bashkëpunimeve të huaja e keni menduar të largoheni nga TOB-i, për të interpretuar, diku, jashtë?
Ky interpretim më hapi tre bashkëpunime të tjera. Skarpian do ta interpretoj së shpejti edhe në Bullgari, Çeki e Gjermani. Por jo, nuk preferoj të jetoj jashtë shtetit. Është më mirë për mua të shkoj e të vij. Nuk qëndroj dot larg Tiranës, më duket sikur mbytem. Kam punuar katër vjet në Gjermani dhe vazhdoj të kem në sirtar një kontratë të pafirmosur, por preferoj më mirë të qëndroj këtu. Ndoshta jam pak kokëkrisur në këtë pikë. Por kjo është zgjidhja ime.
Jeni në prag të "Trovatores", na flisni pak për rolin tuaj.
Tani po punoj për rolin e Kontit Di Luna, tek "Trovatore". E pranoj se ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur, pasi kemi bërë shfaqje pas shfaqjesh e tani më takon të interpretoj në të katërta netët sepse nuk kam dublant. Roli që interpretoj nuk është i lehtë, madje ka arie shumë të vështira. Konti është një personazh dramatik, por që ka edhe lirizmin brenda. Është një njeri që përballet me sfidat që i dalin përpara e në këtë drejtim më përshtatet si karakter.
Ndryshe nga ai i Skarpias që është një karakter i "prapshtë"…
Të them të drejtën jam menduar shumë për këtë rol dhe e dini, është shumë aktual. Historitë përsëriten. Skarpian mund ta gjejmë kudo sot. Pushteti i kolltukut dhe i parasë nuk njeh kufi.
U bënë muaj që TKOB-i po kalon kohëra të trazuara, ç'mendoni për zhvillimet e fundit, reformën, ndryshimet në poste?
Na u paraqit një draft-reformë tendencioze e realizuar nga njerëz inkompetentë, jo profesionistë. Për këtë draft thuhet se janë marrë shembuj nga vende shumë të zhvilluara, që kanë dhjetëra teatro, ndërkohë që duhej të merrnin si shembuj vende që kanë kaluar të njëjtën rrugë si ne, që kanë kaluar periudha tranzicioni. Këta njerëz nuk mund të hedhin poshtë punën e bërë në Teatrin e Operës dhe Baletit, ta shumëzojnë gjithçka me zero e të thonë që do të fillojnë gjithçka nga e para.
Keni pasur një problem me audicionet kohët e fundit…
Unë jam dakord për zhvillimin e audicioneve të trupave në Teatër, sepse kështu maten forcat, aftësitë dhe dalin në pah problemet. Po kështu edhe për audicionet për role të caktuara dhe tek këto duhet të marrin pjesë të gjithë. Audicioni është rruga më demokratike dhe pjesëmarrjen në të nuk mund t'ia mohosh askujt. Unë si përgjegjës i solistëve e kam kërkuar me ngulm shpalljen e datave për audicione të lira.
Atëherë si justifikohet mohimi i kësaj të drejte?
Teatri gjithnjë ka vuajtur nga njerëz që politika e vë nga jashtë teatrit. Artistët nuk mund të fyhen me një teserë partie. Kjo është si ajo puna e gamiljes që shkoi tek Zoti e i tha se e falte që e kishte bërë të shëmtuar, madje edhe që e lejonte të pinte ujë vetëm një herë në javë, por jo që rrugën t'ia tregojë një gomar. Fatet e teatrit vendosen kafeneve dhe artistët që i kanë dhënë jetën teatrit drejtohen nga njerëzit e kulisave.
Ç'doni të thoni me këtë?
Unë jam njeri i lirë dhe e them gjithnjë atë që mendoj. Aftësitë e mija më bëjnë të lirë. Drejtori artistik që na kanë vendosur është i paaftë. Një njeri që prej 10 ditëve që është në atë kolltuk i ka prerë të gjitha komunikimet me kolegët. U lutem njerëzve që kanë në dorë vendosjen e drejtuesve ta shikojnë më me vëmendje këtë çështje. Drejtorët duhet të zgjidhen mbi bazën e platformave dhe punës që kanë bërë, CV-ve. Ajo që kemi arritur nuk është maksimumi, por nuk mund të hedhim gjithçka poshtë. Gjithnjë kam ëndërruar që në teatër të fryjë një erë e re, që të ndihemi më artistë e më të përgjegjshëm. Kemi pritur ndyshimin, por jo këtë që na ofrohet.
Si e shihni të ardhmen e Teatrit të Operës dhe Baleti?
Nuk e shoh qartë të ardhmen e teatrit. Tani ndodhet nën një mjegullnajë, që të gjithë artistët i bën të ndihen keq. Luhet në kurrizin tonë për interesa. Artistët përdoren nga grupe të caktuara. Është e pafalshme që të hedhim hapa mbrapa. Duhet të shohim forma të reja menaxhimi. Duhet menduar për agjenci artistike që merren me menaxhimin jetës së artistëve, që bëjnë lidhjet me skenat e huaja. Pavarësisht mënyrave që mund të gjejë një artist, apo tjetër, kjo nuk është rruga që duhet ndjekur.
Përpos problemeve,si po tërheq opera vëmendjen e publikut?
Them se njerëzit duhet të vijnë më shumë në opera, sepse kështu kuptojnë më mirë jetëne. Shoh se ndryshimi ka filluar. Ndoshta njerëzit janë mërzitur prej muzikës komerciale dhe i janë kthyer operës, e cila është e pazëvendësueshme. Sigurisht opera është më elitare se gjinitë e tjera muzikore, por çdo vend ka elitën e vet.