E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa, detyrimet dhe lehtësirat që përfiton Shqipëria

Flasin politikanë të majtë dhe të djathtë lidhur me detyrimet që do të ketë Shqipëria

TIRANË- Politika shqiptare vlerëson marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut si një kurorëzim të të gjitha atyre sakrificave që kanë bërë shqiptarët jo vetëm në këto 17 vite demokraci, por edhe më parë siç ishte rreshtimi i vendit tonë në krah të bllokut anti-fashist në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të demokracisë perëndimore. Por përveç gëzimit për kurorëzimin e këtyre sakrificave, dhjetëra vjeçare, ky akt formal përmban në vetvete një sërë përfitimesh dhe detyrimesh për vendin tonë, shtetin dhe shqiptarët. Politikanë të njohur, si ish-ministri i Jashtëm Kastriot Islami, ish-Ministri iMbrojtjes Luan Rama, ish-zëvendësministri i Jashtëm dhe diplomati Pëllumb Xhufi dhe kreu i komisionit parlamentar të Sigurisë Leonard Demi, duke komentuar për gazetën Shekulli marrjen e ftesës, vlerësojnë detyrimet dhe të mirat që do përfitojë Shqipëria dhe shqiptarët në ditët në vazhdim deri në samitin ardhshëm që do të mbahet pas një viti ku pritet të bëhet dhe anëtarësimi i zyrtar dhe i plotë i vendit tonë në NATO.

Përfitimet

Natyrisht, marrja e ftesës dhe anëtarësimi më pas i plotë në NATO pritet të shoqërohet për vendin tonë me një sërë favoresh, përfshi këtu dhe ato ekonomike, ndonëse jo të prekshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kështu nga të gjithë politikanët e intervistuar vlerësohet në radhë të parë përfitimi i sigurisë dhe stabilitetit të vendit, të cilat garantohen në kuadër të aleancës globale të sigurisë. Kjo sipas ish-ministrit socialist të Punëve të Jashtme Kastriot Islami në vetvete kthehet në një pasaportë të rëndësishme imazhi që ndihmon tërheqjen e investimeve serioze e të fuqishme. "Kjo do të ketë ndikim indirekt në rritjen ekonomike dhe për rrjedhojë në prosperitetin e qytetarëve", - u shpreh Islami. Ndërsa për ish-ministrin e Mbrojtjes Luan Rama përfitimi më shumë është moral sesa material, pasi sipas tij tashmë qytetarët shqiptar do të kenë një status tjetër në marrëdhëniet me qytetarët e Evropës së civilizuar. "Përfitimi është politikë. Kjo do të thotë me pak barriera e më shumë liri për të lëvizur, më shumë siguri e me shumë besim tek të tjerët ndaj nesh, me pak mundësi të keqpërdorimit të pushtetit dhe me shumë transparencë të tij ndaj qytetarëve", - theksoi Rama. Ndërkohë ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali, njëkohësisht kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, përveç përfitimit të një imazhi të një vendi të sigurt, thekson se kjo ftesë do të ndihmojë së tepërmi edhe në procesin e integrimit në BE. "Hyrja në NATO është një kartë e madhe edhe në kuptimin e imazhit të vendit . Të jesh anëtar i NATO-s do të thotë që ti ke arritur një nivel të caktuar të larte dhe që lejon procedimin më të shpejt në procesin e integrimit në BE", - tha Xhufi. Për kreun e komisionit parlamentar të sigurisë, Leonard Demi përfitimi do të konsistojë më shumë në stabilitetin e vendit dhe thithjen e investimeve të huaja, çka do të thotë më shumë mirëqenie për shqiptarët. "Plani i veprimit për anëtarësim kërkon rezultate në pesë drejtim kryesore, që janë politiko-ekonomike, reforma në Forcat e Armatosura, Fondet që ne sigurojmë për reformën në ushtri, përafrimi i legjislacionit dhe ruajta e sekretit. Nëse do t'i analizojmë të gjitha këto: kemi të bëjnë me një demokraci të konsoliduar, që është e mbështetur më ligj"

Detyrimet

Marrja e statusit kandidat për tu bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në samitin e ardhshëm, sjellë dhe një sërë detyrimesh politike dhe institucionale për vendin tonë. Sipas Islamit detyrimet kryesore mbeten kryesisht në aspektin politik me vazhdimin dhe thellimi i procesit të demokratizimit, forcimi i demokracisë elektorale përmes kryerjes së zgjedhjeve të standarteve demokratike, vendosja e shtetit ligjor, thellimi i luftës kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit te organizuar, ndërtimi i një sistemi profesional dhe të pavarur të drejtësisë, ngritja dhe forcimi i institucioneve të qëndrueshme si dhe ndërtimi i ekonomisë së lirë të tregut si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm. Ndërkohë që për Luan Ramën ky moment do të thotë se në fushën e ekonomisë detyrat e shtëpisë do të jenë të drejtpërdrejta. "Jemi përpara një prove të madhe të cilën duhet ta kalojmë me punë dhe angazhim serioz. Shqipëria ka mbyllur një etapë vështirësish të mëdha për të hyrë në një etapë punësh të mëdha. Tashmë jemi qytetarë të NATO-s e duhet të sillemi si të tillë", - u shpreh ish-ministri Luan Rama. Ndërsa për Xhufinqenia pjesë e një aleance të tillë imponon standarde pune më intensive dhe më të thella për politikën shqiptare. Nga ana tjetër megjithëse nuk shprehen hapur politikanët shqiptarë pranojnë se marrja e ftesës për të qenë pjesë e NATO-s do të sjellë dhe një detyrim më të madh financiar për shtetin shqiptar sidomos përsa i përket buxhetit të ushtrisë, çka do të thotë një barrë më e rëndë për taksapaguesit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›