Asambleja: Priten debate për lënien e bojkotit
Asambleja kombëtare e socialistëve që mblidhet sot paradite pritet të shtojë zërat për heqjen dorë nga bojkoti. Mësohet se përfaqësues të grupit për Mendimin Ndryshe brenda kësaj partie, të argumentojnë se rruga e ndjekur që prej tre muajve, ajo e bojkotit nuk ka sjellë asnjë rezultat për PS dhe elektoratin që e ka votuar. Pritet që ata të kërkojnë nga kryetari Rama t'u tregojë socialistëve strategjinë e tij se si do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe se çfarë ndryshe nga ç'kanë sjellë do të japin protestat e opozitës në të ardhmen. Një tjetër pikë e rëndësishme pritet të jetë dhe situata e përmbytjeve në Shkodër dhe mungesa e një analize dhe llogaridhënie e qeverisë. Për këtë deputetët socialistë të mendimit ndryshe do të kërkojnë sqarime pse socialistët do të mungojnë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku të zgjedhurit në këtë qark kishin deklaruar më parë se do të merrnin pjesë në të. Në pjesën e parë të asamblesë, do të diskutohet rreth fakteve që socialistët kanë mbledhur për përmbytjet në Shkodër që fajësojnë qeverinë për mosveprim dhe shkelje të rregullores së digave, gjë që sipas tyre shkaktoi dhe përmbytjet. Për këtë pritet të japë një raport dhe ish-ministri i Energjetikës, Viktor Doda. Por objekti i mbledhjes së asamblesë Kombëtare ka qenë niveli i demokracisë dhe funksionimi i shtetit ligjor në Shqipëri. Kjo pritet të jetë dhe pjesa më interesante e asamblesë që sipas të dhënave do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pasi do të ketë dhe propozime që kanë të bëjnë me pozicionin e ardhshëm të PS-së ndaj parlamentit dhe institucioneve kushtetuese. Propozimet pritet të kenë në qendër një rol më të madh të opozitës në reformat e ardhshme që do të prekin dhe institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar. Një grup pune i drejtuar nga sekretari socialist për çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, do të bëjë analizën e funksionimit të shtetit nën qeverisjen e të djathtëve, por do të paraqesë dhe propozime konkrete. Në grupin e punës janë përfshirë deputetët Ilir Gjoni, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Ditmir Bushati, Fatmir Toçi dhe Armando Subashi, Vasilika Hysi, të cilët sipas një ndarje të tematikës do të paraqesin ekspertizën e tyre rreth çështjeve të korrupsionit, gjyqësorit, zgjedhjeve, marrëdhënieve të parlamentit, funksionimit të institucioneve kushtetuese, mediave etj. Rezoluta që do të miratohet në fund të mbledhjes, mbahet nga kryetari socialist, ndërkohë që pak njerëz në selinë rozë kanë dijeni rreth përmbajtjes së saj.