E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli ofertë të re për PS-në

 ADI SHKEMBIKryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli bën ofertën e dytë brenda 24 orëve për Partinë Socialiste. Një ditë pas letrës që u dërgoi deputetëve të opozitës për tu futur në parlament, kryeparlamentarja inicioi mbledhjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme, përmes një vendimi të Konferencës së kryetarëve, për përmbytjet në Shkodër. Ndonëse ishte parashikuar që Kuvendi të niste punimet të enjten e ardhshme, dje u vendos që kjo seancë e parë e sesionit të ri të bëhet pikërisht të hënën ku do të debatohet vetëm për situatën në qarkun verior. "Konferenca e Kryetarëve, pas kërkesës së deputetëve të opozitës për të pasur ditën e hënë një seancë të jashtëzakonshme për emergjencën në Shkodër vendosi që t'i japë të gjitha hapësirat dhe t'i përgjigjet pozitivisht. Opozita ndryshe nga maxhoranca bëri një kërkesë, në mënyrë të veçantë deputetët e Qarkut të Shkodrës, por edhe deputetët e qarqeve të tjera dhe, konferenca sot vendosi t'i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese duke afruar seancën e parë të parashikuar për ditën e enjte, në ditën e hënë dhe të ketë në rendin e ditës vetëm çështjen e situatës së emergjencës civile në qarkun e Shkodrës", u shpreh Topalli. Ajo e ka quajtur komunikim institucional letrën e dërguar në adresë të deputetëve socialistë, duke shtuar se betimi i deputetëve është individual. E pyetur mbi qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama një ditë më parë, nënkryetarja e PD-së tha se "komunikimi im është me deputetët. Parlamenti është i deputetëve dhe ne iu përgjigjëm kërkesës së deputetëve. është kushtetuese, është ligjore, është njerëzore. Unë jam Kryetare e Parlamentit, unë komunikoj me deputetët me secilin prej tyre. Detyra ime ishte që të ftoja Konferencën e Kryetarëve dhe unë falënderoj Konferencën që vendosi t'i japë një përgjigje pozitive kërkesës së deputetëve të opozitës për një seancë të jashtëzakonshme".Qëndrimi i PSGjatë gjithë ditës së djeshme nga selia rozë kanë ardhur zëra për një mundësi të futjes së deputetëve socialistë në kuvend ditën e hënë. Gjithmonë sipas këtyre zërave bëhej fjalë për të bërë betimin në seancën e parë të sesionit të ri dhe për të debatuar mbi përmbytjet në Shkodër, ndërkohë që më pas të vazhdojnë protestat për hapjen e kutive. Kjo mundësi duket se përforcohet edhe nga fakti se vetëm deputetët Balla e Tahiri kanë folur publikisht për të mos hyrë në kuvend të hënën, ndërkohë që lideri i opozitës Edi Rama në daljen e fundit para mediave foli vetëm për përmbytjet në Shkodër. Megjithatë vetëm sot pritet të ketë një qëndrim nga 64 deputetët e PS-së nëse do të hyjnë apo jo në Kuvend. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, deputeti Taulant Balla reagoi mbi vendimin e Konferencës së kryetarëve për të mbledhur Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën. Sipas tij ky është një vendim i vonuar i kryetares së Parlamentit. "Zonja Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, për aq kohë sa sipas nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor. Zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur Buna dhe liqeni filluan të derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shoping në Rue Neuve, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e jashtëzakonshme të rrobave të reja për vitin e ri 2010", tha Balla. Ai akuzoi Topallin se ka harxhuar mbi 750 mijë euro me udhëtime jashtë vendit, teksa shtoi se seanca e jashtëzakonshme për PS-në do të jetë ajo e ditës së sotme në Asamblenë Kombëtare ku sipas Ballës do të paraqiten fakte mbi përgjegjësitë që kishte qeveria për përmbytjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›