Përmbytjet, sondazhi “korrieri.com”: Faji kryesor i qeverisë

"Nga data 7 janar e deri ditën e sotme në sondazh janë regjistruar 1 052 vota në total”
Vizitorët dhe lexuesit e faqes në internet të gazetës “Korrieri” shprehen se përmbytjet në zonën e
Shkodrës dhe Lezhës nuk kanë pasur si shkak vetëm katastrofën natyrore. “Përmbytjet në veri janë:
Përgjegjësia e Qeverisë. Shkaqet Natyrore. Apo të dyja së bashku?” - kanë qenë pyetjet që kanë
shoqëruar përgjatë këtyre dy javëve vizitorët e shumtë të faqes online të gazetës “Korrieri”. Nga data
7 janar e deri ditën e sotme në sondazh janë regjistruar 1 052 vota në total, ku 54.9 për qind i kanë
thënë qeverisë se është përgjegjëse për përmbytjet në veri, 29.1 për qind e votuesve në këtë sondazh
janë shprehur se përmbytjet janë fatkeqësi natyrore, ndërsa një pjesë prej 16.1 përqindësh mendojnë
se shkaktarë të kësaj katastrofe janë si qeveria, ashtu edhe shkaqet natyrore.
“Korrieri.com” në këtë sondazh i ka dhënë mundësi që çdo përdoruesi me anë të PC së tij, që ka të
drejtën e një vote dhe se sondazhi online nuk kanë vlera statistikore. Gjatë ditëve të fundit është
duke u zhvilluar një debat i ndezur midis qeverisë dhe opozitës për shkaktarët e vërtetë të kësaj
katastrofe natyrore, e cila për fat të mirë nuk rrezikoi jetë njerëzish. Ujërat gjatë dy javëve pushtuan
veç 11 mijë hektarëve në fshatra të Shkodrës, rrugët dhe një pjesë të territorit të qytetit. Qeveria duke
vënë alarmin, thirri ekspertët më të mirë që
prej vitesh ishin anashkaluar nga komisioni i posaçëm për digat e larta, duke marrë situatën në dorë
për sigurinë e digave, por në një kohë që përmbytjet tashmë nuk mund të shmangeshim. Edhe
specialistët e fushës së hidroteknikës dhe hartuesit e digave në vend janë të ndarë për sa i përket
faktit se me të vërtetë është një fatkeqësi natyrore, apo përmbytjet masive u shkaktuan, pasi uji
u mblodh më shumë seç parashikonte rregullorja për digat. Edhe pas kësaj furtune të reshjeve, digat
tashmë me një jetëgjatësi më shumë se 40-vjeçare qëndruan, ndërsa një projekt prej më shumë se
200 milionë eurosh do të kërkojë që të kryejë edhe një remont të plotë në HEC-e. Digat mbeten tashmë
edhe pasuria më e madhe e shqiptarëve, me një vlerë që shkon në disa miliardë euro. Por edhe kostoja
e këtyre përmbytjeve duket se nuk është e vogël. Nga ana tjetër, energjia që është shitur nga uji i
mbledhur nuk duket se ndihmon këtë situatë. Pas më shumë se dy javësh tmerri, humbjesh që kalojnë
100 milionë euro vetëm në dëme të prekshme, KESH-i rezulton që të ketë mbledhur nga kjo katrahurë
vetëm çikërrima. Paratë që Korporata Energjetike ka arkëtuar nga shitja e energjisë gjatë muajit dhjetor
dhe ato që pret të marrë në janar nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet emergjente që ka krijuar
situatën e përmbytjeve në fazën e parë të tyre. Të dhënat zyrtare të vetë korporatës tregojnë se në
dhjetor KESH-i fitoi nga eksporti i energjisë vetëm 2.3 milionë euro, duke shitur 55.6 milionë kilovat/orë
energji, me një çmim mesatar prej 42.84 eurosh për megavat. Edhe pas rritjes së eksporteve në janar,
si pasojë e tejmbushjes së hidrocentraleve, shifrat e arkëtuara nga eksporti do të vazhdojnë të jenë
sërish të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare për të gjithë muajin janar, KESH-i parashikon të eksportojë
rreth 329 milionë kilovat/orë energji, sipas kontratave tashmë të lidhura.