E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Rama takoi djalin, për të kandiduar në bashki

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, iu është përgjigjur dje akuzave të ardhura nga kreu i opozitës, Edi Rama, me kundërakuzë. Në një konferencë për shtyp, Prifti hodhi poshtë akuzat ndaj tij dhe akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, si një njeri të pamoralshëm që është i gatshëm të bëjë çdo gjë. Prifti deklaroi se nuk ka moralin e Edi Ramës dhe duke iu referuar vitit 2000, kur ai punonte në Kryeministri, tha se Rama u pajtua me familjen e tij vetëm për kandidimin për Bashkinë e Tiranës. Sipas Priftit, Rama kishte 13 vjet që nuk takonte djalin e tij, që kur ai kishte lindur dhe vendosi ta takojë kur kjo gjë iu kërkua nga Kryeministri i atëhershëm, Ilir Meta. “Në vitin 2000 unë kam qenë dëshmitar personal, kur Ilir Meta e ka thirrur Ramën përpara se të kandidonte për kryetar bashkie të Tiranës dhe i ka thënë: “Duhet të shkosh e të takosh fëmijën tënd, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë për 13 vitet e para të jetës së djalit. Nëse nuk do takosh djalin tënd, nuk do të jesh kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës”. Ilir Meta ka dërguar njerëz në shtëpinë e ish-gruas së Edi Ramës dhe djalit, për t’u pajtuar ata me Ramën. Unë këtë moral nuk e kam dhe nuk do ta kem kurrë. Nuk mund të më akuzojë mua njëri për gjëra të tilla”, - deklaroi Prifti. Duke iu referuar akuzave të mëtejshme të Ramës, Prifti tha se ka qenë në Turqi për arsye familjare, pasi i ati ndodhet për një ndërhyrje kirurgjikale. “Nuk kam moralin e Edi Ramës, që kthehet në Shqipëri vetëm për ta varrosur babanë. Unë do ta ndihmoj e do ta mbështes tim atë sa të jetë gjallë çdo minutë e çdo orë. Nuk kam moralin e Edi Ramës, që ta nxjerr nënën në mes të natës me shkelma nga shtëpia. Nuk ka për të ndodhur kjo. Nuk kam moralin e Edi Ramës të braktis familjen në mënyrën se si e ka braktisur ai, të akuzoj fëmijën tim”, - tha më tej Prifti. Ministri i Ekonomisë iu kundërpërgjigj edhe akuzave të ardhura nga Erion Braçe. “Nëse edhe një herë tjetër do më bjerë në qafë mua apo këtyre njerëzve që punojnë me ndershmëri 24 orë në ditë, unë do t’i tregoj gjithë publikut shqiptar pse nusja e Erion Braçes, në atë kohë sekretarja e Metës dhe vartësja ime kur kam qenë shef kabineti i Ilir Metës, u largua nga puna nga Kryeministria”, - tha Prifti duke shtuar se “me këta njerëz që vetëm braktisin, duhet të kemi vetëm të vërtetën pa u stepur për asnjë çast përpara të vërtetës. Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe besoj se e vërteta do të dalë shumë shpejt”.
Më tej, ministri foli mbi menaxhimin e situatës. Duke u ndalur tek akuzat mbi menaxhimin e kaskadës, Prifti tha se është zbatuar rregullorja. “Është për të qeshur kur dëgjon Erion Braçen që thotë se ka marrë të gjithë informacionin, por vetëm ai i datës 27 dhjetor, sipas atij, mungon. Dhe a e dini pse i mungon Braçes? Sepse ai vetë e ka fshehur qëllimisht datën 27 dhjetor, sepse në atë datë prurjet kanë shkuar mbi 1.100 metër kub ujë në sekondë. Atë ditë që ne kemi filluar shkarkimet, prurjet në Fierzë kanë shkuar mbi 1100 metër kub ujë në sekondë dhe sipas rregullores, kur prurjet shkojnë mbi 1.100 metër kub ujë në sekondë, pika 3.4, faqe 17 e rregullores së kaskadës së Drinit, niveli i Fierzës mund të shkojë deri në 296.5 metër. T’i hapi sytë mirë Erion Braçe, sepse nëpër ato është mësuar të gërmojë, por jo të tregojë të vërtetën”, - tha ai, duke shtuar se “ekspertë italianë, ekspertë të digave të mëdha anglezë kanë thënë se kaskada e shpëtoi qytetin e Shkodrës. Kaskada duke grumbulluar aq ujë sa lejon edhe rregullorja evitoi të paktën shkarkimin e 300-400 milionë metër ujë shtesë në Shkodër. Imagjinoni ç’do të ndodhte në Shkodër nëse do të ishin shkarkuar edhe 300-400 milionë metër ujë të tjera shtesë. Përmbytjet do të ishin shumë më të rënda dhe këtë dëshironte Partia Socialiste, që atje të bëhej katastrofë, që ne të shkarkonim edhe më shumë ujë sesa kaq. Mirëpo, ne i shërbejmë popullit dhe nuk i shërbejmë Partisë Socialiste, partisë së katastrofave”. Në lidhje me akuzat për import energjie nga Kosova, Prifti tha: “Na akuzuan se kemi bërë import energjie nga Kosova. Doli drejtori i KEK-ut dhe ministri i Energjisë së Kosovës dhe e përgënjeshtruan atë fakt. E përsëris, ata njerëz nuk e kuptojnë se ç’do të thotë të menaxhosh një sistem energjetik”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›