Asambleja e G99-ës rizgjedh kryetar Veliajn
Lëvizja politike G99 mblodhi dje Asamblenë Kombëtare, në të cilën Erion Veliaj u rizgjodh kryetar me një mandat prej katër vitesh. Gjatë paradites së djeshme, delegatë të degëve të G99-ës nga e gjithë Shqipëria u mblodhën me rastin e njëvjetorit të partisë për të rizgjedhur Këshillin Kombëtar prej 50 përfaqësuesish si dhe kryetarin e partisë. Këshilli Kombëtar përfshin emra të njohur të sferës publike, si Milva Ikonomi, Gjergji Filipi, Eduard Hashorva, Juliana Hoxha etj. Në çelje të kësaj asambleje, Arbjan Mazniku prezantoi tri shtyllat kryesore të programit të G99-ës, modernizimin e arsimit, punësimin rinor dhe realizimin e votës së të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Në fjalën e tij para asamblesë, Erion Veliaj tha se "premtimi ynë për Shqipërinë është potenciali ynë rinor. Ne, tha ai, nuk jemi të armatosur me vinça që shkulin tabelat, me KKRT që dhunon fjalën e lirë duke vënë gjoba televizioneve që transmetojnë spotet tona, nuk kemi paratë dhe pushtetin e politikës së vjetër, ne vijmë me fytyrat tona të reja, me pasionin tonë për të punuar dhe me dinjitetin e integritetin tonë të paprekur, pa asnjë bagazh të rëndë apo kompleks nga e kaluara. "Në kundërshtim nga zoti Berisha, mendojmë se mosha mesatare mjaft e re e Shqipërisë është një avantazh, një ndër armët më të forta që ka ky vend në betejën e integrimit evropian. Më 28 qershor është dita për të treguar pikërisht këtë", nënvizoi Veliaj. Sakaq, ai shprehu mirënjohjen për të gjithë kontributin e përkrahësve të G99-ës, duke përsëritur se forca e katërt politike në vend ka treguar se si mbahet në këmbë një lëvizje politike me angazhim vullnetar. Gjatë pasdites, G99 festoi në amfiteatrin veror të Tiranës njëvjetorin e prezantimit publik dhe nisi zyrtarisht fushatën me prezantimin dhe fjalimet e disa kandidatëve kyç, si: Arbjan Mazniku, Juli Hoxha (Tiranë), Milva Ikonomi (Durrës), Maklen Misha (Korçë), Genci Kojdheli (Vlorë), Orgen Hasanbegaj (Gjirokastër) etj.
Kandidatët
Arbjan Mazniku, Juli Hoxha (Tiranë), Milva Ikonomi (Durrës), Maklen Misha (Korçë), Genci Kojdheli (Vlorë), Orgen Hasanbegaj (Gjirokastër)
Kandidatët
Arbjan Mazniku, Juli Hoxha (Tiranë), Milva Ikonomi (Durrës), Maklen Misha (Korçë), Genci Kojdheli (Vlorë), Orgen Hasanbegaj (Gjirokastër)