E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raikonen mendon tërheqjen

Kimi Raikonen është i zhgënjyer nga rrjedha e Botërorit dhe bën deklarata që u lënë hapësirë spekulimeve për largimin e mundshëm nga Formula 1. Rregullorja e paqartë, përplasjet e skuadrave me FIA-n për kufizimin e buxhetit e të panjohurat që rezervon e ardhmja duket se e kanë mërzitur pilotin e Ferrarit. "Kjo nuk është më F1", deklaroi finlandezi ish-kampion bote. "Momentalisht jam i lumtur te skuadra ku garoj. Kontrata ime përfundon vitin e ardhshëm, ndërsa më pas do të vendos atë që dëshiroj të bëj. Të presim dhe të shohim se çfarë drejtimi do të marrë Formula 1. Është absurde të lihen kaq shumë gjëra me pikëpyetje dhe që askush të mos dijë se cilën rregullore të përshtatë. Largimi nga Ferrari? Nuk jam unë ai që duhet të japë përgjigje. Duhet të përcaktohet një buxhet i arsyeshëm për të gjithë. Gjithsesi është e vështirë të vendosësh në të njëjtin nivel të mëdhenjtë dhe të vegjlit, ashtu sikurse është e vështirë që të gjithë të jenë të kënaqur". Raikonen nuk është i vetmi që ka dyshime. Tojota del hapur dhe deklaron se pa ndryshime të dukshme në rregullore nuk do të regjistrohet në Botërorin 2010. "Ka shumë gjasa të mos regjistrohemi", tha Xhon Houet, presidenti i skuadrës japoneze. "Nevojiten ndryshime të rëndësishme. Disa çështje kërkojnë zgjidhje dhe me rregullat aktuale nuk mund të garantojmë pjesëmarrjen në kampionatin e ardhshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›